Kosova

Mbi 18 mijë hyrje e dalje në Morinë brenda 24 orësh, kosovarët ia mësyjnë bregdetit shqiptar

Shëngjini dhe Velipoja mbeten destinacionet më të preferuara, ndërsa kalimi në kufi po zhvillohet pa vonesa falë procedurave të përshpejtuara.

Fundjava ka sjellë sërish fluks të lartë të udhëtarëve në Pikën Kufitare të Morinit, ku mijëra qytetarë nga Kosova dhe diaspora po i drejtohen bregdetit shqiptar për të kaluar pushimet verore, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve, destinacionet më të preferuara vazhdojnë të jenë plazhet e Shëngjinit dhe Velipojës, të cilat edhe këtë sezon po tërheqin një numër të madh vizitorësh nga Kosova.

“Shqipëria është vendi ynë. Deti është i mirë, mikpritja po ashtu dhe gjuha na bashkon. Pushimet i kalojmë gjithmonë këtu”, u shpreh një qytetar nga Gjakova për RTSH.

Pavarësisht numrit të madh të udhëtarëve, lëvizja në Pikën Kufitare të Morinit po zhvillohet pa vonesa të konsiderueshme. Kjo falë zbatimit të marrëveshjes për procedurat e përshpejtuara mes Kosovës dhe Shqipërisë, e cila ka lehtësuar ndjeshëm kalimin e kufirit.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Pikën Kufitare të Morinit janë regjistruar mbi 18 mijë hyrje dhe dalje të qytetarëve, ndërsa fluksi pritet të mbetet i lartë edhe gjatë ditëve në vijim./Albinfo.ch