Lajme

Propozohet që të gjithë punonjësit me orar të plotë në Zvicër të kenë pesë javë pushime

Një mocion parlamentar kërkon rritjen e pushimit minimal vjetor nga katër në pesë javë për të gjithë të punësuarit me kohë të plotë.

Një mocion i paraqitur në Parlamentin zviceran synon që të gjithë punonjësit me orar të plotë të kenë të drejtë ligjore për pesë javë pushime vjetore, përcjell albinfo.ch.

Nisma është dorëzuar nga deputeti Daniel Sormanni, i cili kërkon që minimumi ligjor i pushimeve të rritet nga katër në pesë javë në vit, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, ligji zviceran garanton katër javë pushime në vit. Megjithatë, shumë kompani ofrojnë më shumë se minimumi ligjor, ndërsa numri i ditëve të pushimit përcaktohet zakonisht në kontratën e punës.

Sipas të dhënave, gjatë vitit 2025, punonjësit me orar të plotë në Zvicër kanë përfituar mesatarisht pesë javë e një ditë pushim.

Sormanni argumenton se kjo praktikë tashmë është e përhapur dhe duhet të bëhet pjesë e legjislacionit. “Ka ardhur koha që të ligjësohet një realitet që tashmë është i konsoliduar në Zvicër”, është shprehur ai. /Albinfo.ch