Lajme

Pishinat publike në Bazel ndalojnë hyrjen për dhjetëra shtetas francezë

Autoritetet morën masën pas ankesave për incidente dhe shqetësime të shkaktuara nga disa vizitorë që vinin nga Franca.

Pishinat publike në Bazel kanë ndaluar hyrjen për 67 shtetas francezë, pas ankesave të shumta për sjellje që kanë shkaktuar shqetësime në zonat e frekuentuara nga pushuesit, përcjell albinfo.ch.

Sipas autoriteteve lokale, afërsia e qytetit me kufirin francez bën që një numër i madh vizitorësh nga Franca të përdorin pishinat komunale gjatë sezonit veror. Megjithatë, disa prej tyre janë përfshirë në incidente që kanë nxitur reagimin e administratës.

Vendimi për ndalimin e hyrjes për 67 persona vjen si masë për të garantuar sigurinë dhe qetësinë e vizitorëve të tjerë.

Ky nuk është rasti i parë i një mase të tillë në Zvicër. Më herët, edhe qyteti Porrentruy, në kantonin Jura, kishte vendosur të kufizojë hyrjen në pishinat publike për vizitorët që vijnë nga përtej kufirit francez, duke krijuar një precedent për raste të ngjashme. /Albinfo.ch