Lajme

Një valë e re të nxehti pritet javën e ardhshme në Zvicër

Meteorologët paralajmërojnë temperatura mbi 35 gradë dhe net tropikale në shumë rajone të vendit

Pas një periudhe të shkurtër me temperatura më të ulëta, Zvicra pritet të përballet sërish me një valë të fortë të nxehti gjatë javës së ardhshme, transmeton albinfo.ch.

Sipas parashikimeve meteorologjike, temperaturat do të rriten gradualisht nga mesi i javës, ndërsa në shumë zona pritet të kalojnë 35 gradë Celsius.

Ekspertët e motit paralajmërojnë se, përveç vapës gjatë ditës, priten edhe net tropikale, ku temperaturat nuk do të zbresin nën 20 gradë Celsius. Kjo situatë mund ta bëjë edhe më të vështirë përballimin e të nxehtit, veçanërisht për të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore, transmeton albinfo.ch.

Sipas parashikimeve aktuale, nuk ka shenja të një freskimi të ndjeshëm. Vetëm stuhi të izoluara në zonat malore mund të sjellin lehtësim të përkohshëm, por ato nuk pritet të ndryshojnë ndjeshëm situatën në pjesën më të madhe të vendit.

Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve të pinë sa më shumë ujë, të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të tregojnë kujdes të veçantë për personat më të rrezikuar. Në disa kantone, planet e emergjencës për valët e të nxehtit janë riaktivizuar për shkak të temperaturave të larta të parashikuara.