Lajme

Evropa drejt kartëmonedhave të reja

BQE prezantoi në Frankfurt dizajnet e përzgjedhura nga mbi 1,200 propozime, me dy tema: kultura dhe natyra evropiane.

Që kur ekziston euro, kjo nuk kishte ndodhur kurrë: kartëmonedhat do të ndryshojnë pamjen e tyre. Banka Qendrore Evropiane (BQE) zbuloi të enjten në Frankfurt skicat finaliste për kartëmonedhat e reja euro, të përzgjedhura nga mbi 1,200 propozime dhe të mbledhura në dy tema.

Nga njëra anë “kultura evropiane”, me Cervantesin, Bethovenin, Maria Callasin dhe Leonardo da Vinçin; nga ana tjetër natyra, me lumenjtë dhe zogjtë.

Një konsultim publik fillon sot, i hapur deri më 21 shtator, për të mbledhur mendimin e qytetarëve evropianë, shkruan RSI, transmeton albinfo.ch.

Bordi i Guvernatorëve të BQE-së do të zgjedhë dizajnin përfundimtar deri në fund të vitit, por para se kartëmonedhat e reja të hyjnë në qarkullim, ato do të duhet të kalojnë nëpër faza të mëtejshme të zhvillimit dhe testimit: shfaqja e tyre në portofole pritet vetëm pas disa vitesh.

“Kartmonedhat janë më shumë sesa një mjet pagese: ato janë ndër shprehjet më të prekshme të identitetit evropian”, tha Presidentja Christine Lagarde.