Kosova

AAK-PSD, arrijnë marrëveshje për koalicion

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti kanë nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen për koalicion parazgjedhor.

Bartës i listës të këtij koalicioni dhe pretendent për kryeministër do të jetë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, kështu ka thënë gjatë një konference për media, kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti.

Ai ka thënë se PSD nuk ka pasur pretendime për kryeministër, përcjell albinfo.ch.

“Unë e tregova që bartës i listës edhe pretendent për kryeministër është Ramush Haradinaj. Unë jam kryetar komune, i kam edhe dy vjet mandat. Nuk ka pasur pretendime nga PSD-ja që të marrim kryeministrin”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij, sot është ndërtuar boshti i këtij koalicioni fitues, duke thënë që në gatishmëri të plotë e presim shpërndarjen e Kuvendit më 22 gusht.

I pari i PSD-së bëri të ditura edhe arsyet pse vendosën të bashkohen me partinë e Ramush Haradinajt.

“Në këtë betejë ne po i bashkojmë forcat si PSD me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e që synimin kryesor e kemi që t’i fitojmë zgjedhjet me një program të përbashkët qeverisës dhe në këtë program i keni vendosur kërkesat, të cilat kanë qenë të drejtuara duke marrë parasysh mospajtimet, qëndrimet që i kemi pasur të ndryshme”, ka thënë ai.

Ahmeti ka bërë të ditur se do të ftojnë edhe parti të tjera për t’iu bashkuar, raportojnë mediat kosovare.