Maqedonia

Ahmeti falënderon Zvicrën për ndihmat e dhëna në Maqedoni

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur në Shkup, ambasadoren e Zvicrës në Maqedoni, Sybille Suter Tejada.

Kryetari Ahmeti dhe ambasadorja e Zvicrës diskutuan rreth aktualiteteve politike në vend, por edhe mbështetjes zvicerane për institucionet dhe proceset në Maqedoni, shkruajnë mediat shqiptare në Maqedoni.

Lideri i BDI-së Ahmeti fillimisht foli për situatën politike me ç’rast vlerësoi arritjet e mëdha brenda vitit të parë të qeverisjes siç janë rrumbullakësimi i pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit, reformat urgjente, marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bulgarinë dhe marrëveshja për kontestin e emrit me Greqinë, përcjell albinfo.ch.

Ahmeti theksoi që Maqedonia do të marrë ftesë për anëtarësim në NATO në samitin e javës së ardhshme të Aleancës në Bruksel, ndërsa muajin e kaluar përfituam edhe datën për fillim të negociatave për anëtarësim në BE.

Ambasadorja e Zvicrës Tejada elaboroi projektet e mbështetura nga Zvicra në Maqedoni, përfshirë edhe aktivitetet e parapara në drejtim të bashkëpunimit me partitë politike me ç’rast Ahmeti tha që BDI mbështet tërësisht këto përpjekje dhe u shpreh falënderues ndaj qeverisë zvicerane për gjithë ndihmën e dhënë.