Lajme

Alarm global nga “The Lancet”: Çrregullimet mendore prekin 1.2 miliardë njerëz në botë

Një studim i publikuar në revistën prestigjioze The Lancet paralajmëron për një rritje të ndjeshme të çrregullimeve mendore në nivel global, të cilat sot prekin rreth 1.2 miliardë persona. Sipas të dhënave, ky numër pothuajse është dyfishuar që nga viti 1990, duke e kthyer shëndetin mendor në një nga sfidat më të mëdha të kohës moderne.

Studimi, i realizuar nga Institute for Health Metrics and Evaluation në bashkëpunim me University of Queensland, analizon situatën në 204 vende gjatë periudhës 1990–2023. Rezultatet tregojnë se ankthi dhe depresioni mbeten ndër çrregullimet më të përhapura dhe me ndikimin më të madh në jetën e njerëzve.

Në vitin 2023, këto gjendje kanë shkaktuar rreth 171 milionë vite jete të humbura ose të jetuara me paaftësi (DALYs), duke përbërë mbi 17% të barrës globale të paaftësisë. Kjo e vendos shëndetin mendor përpara shumë sëmundjeve të tjera serioze si sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceret.

Studiuesit raportojnë gjithashtu një përkeqësim të dukshëm pas pandemisë COVID-19. Që nga viti 2019, rastet e depresionit janë rritur me rreth 24%, ndërsa çrregullimet e ankthit me mbi 47%. Sipas tyre, kjo rritje lidhet si me pasojat e pandemisë, ashtu edhe me faktorë afatgjatë si varfëria, pasiguria sociale dhe izolimi.

Studimi thekson se të rinjtë, veçanërisht grupmosha 15–19 vjeç, janë ndër më të prekurit, me ndikim të madh në arsimimin dhe të ardhmen e tyre profesionale e sociale.

Po ashtu, gratë rezultojnë më të prekura se burrat, si në numrin e rasteve ashtu edhe në barrën e paaftësisë, çka lidhet me faktorë socialë si dhuna, diskriminimi dhe ngarkesat familjare.

Në nivel global, rritje e çrregullimeve mendore është regjistruar në pothuajse të gjitha rajonet, me nivele më të larta në disa vende të Evropës Perëndimore dhe Australazisë, por edhe rritje të ndjeshme në Afrikë dhe Azi. Studiuesit paralajmërojnë se mungesa e shërbimeve të shëndetit mendor mbetet një problem serioz në shumë shtete të botës.