Jeta në Austri

Alarmante: A po “vdes” gjuha shqipe në Austri?

Në Austri janë mbi 12 mijë fëmijë që gjuhë amtare e kanë shqipen. Nga 26 gjuhët që mësohen në Austri, shqipja ka përqindjen më të ulët të vijueshmërisë.

Në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar ishte rritur ndjeshëm numri mërgimtarëve tanë në Austri, kur nga organet austriake emërohet mësuesi i parë i mësimit plotësues në gjuhën shqipe, Shefqet Gashi. Nga viti 1993 filluan aktivitetet e mërgimtarëve tanë në organizimin e mësimit në gjuhën amtare pasi Austria e mundësonte këtë me ligjet e saj.

“Viti 1993 është viti kur u  themelua Këshilli për Regjistrimin e Fëmijëve Shqiptarë në Austri, të cilin e drejtoi aktivisti i dalluar Dr.Xhevat Hasani. Një vit më vonë nga ky këshill formohet Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Austri. Këto aktivitete ndikuan që  Ministria e Arsimit e Austrisë të shtonte përkujdesjen për mësimin e gjuhës shqipe si gjuhë amtare, krahas gjuhëve tjera”, shprehet për “albinfo.at” veterani i shkollës shqipe në Austri, mësuesi, Hazir Mehmeti.

Ministria e Arsimit e Austrisë e financon dhe mbikëqyr rrjedhën e mësimit amtar në kuadër të sistemit publik të arsimit vendor; kuadrin mësimor, regjistrimin e nxënësve, formimit të grupeve mësimore, teksteve, sipas ligjit për mësimin e gjuhëve amtare.

 

 

Shqiptarët, në vendin e  fundit për ndjekjen e mësimit në gjuhën amtare

Nisur nga statistikat, kushtet shumë favorizuese që ofron Ministria e Mësimit të Austrisë për gjuhët amtare, vijueshmëria e nxënësve shqiptarë është e ulët krahasuar me 26 gjuhë tjera që mësohen në Austri. Në Austri konsiderohen se janë mbi 12 mijë fëmijë të regjistruar në shkolla, të cilët kanë gjuhë amtare shqipen. Sipas statistikës zyrtare nga Ministria e Arsimit e Austrisë, vitin e kaluar shkollor,  2017-2018, vetëm  1893 nxënës  shqiptarë  ndoqën mësimin shqip. Shprehur në përqindje kjo është vetëm 17 %. Krahasuar me vitin paraprak shkollor janë 116 nxënës më pak, apo minus 5.8%.

“Kjo është për keqardhje, dhe mjerisht gjuha shqipe po shkon drejt “vdekjes”. Nga 26 gjuhët amtare që mësohen në Austri, gjuha shqipe është në përqindjen më të ulët të vijueshmërisë. Bie fjala në turqisht vijueshmëria është 63%, BKS (Gjuha: Boshnjake –serbe – kroate) 66%, arabisht 66%, dari (Gjuha në: Afganistan, Pakistan etj.) 100%”, shpjegon mësuesi dhe publicisti Mehmeti duke shtuar se fëmijët arabë tani janë me vijueshmëri 66%, që i bie mbi tri herë më shumë se sa shqiptarët dhe ata zënë vendin e tretë në Austri.

Hazir Mehmeti

 

Në Austri japin mësim 21 mësues shqiptarë

Mësimin në gjuhën shqipe e mbajnë 21 mësues shqiptarë në gjithë Austrinë, të cilët, pothuajse të gjithë kanë nënshtetësi austriake. Megjithëkëtë, interesimi i shqiptarëve për gjuhën amtare është tejet i ulët dhe kjo tregon një vetëdije të ulët kombëtare të prindërve, ndonëse mësimin në gjuhën shqipe e kanë pa asnjë pagesë dhe shteti austriak ua ofron të gjitha kushtet e favorshme.

“Ata duhet vetëm ta plotësojnë një formular të paraqitjes (Anmeldung), asgjë më shumë”, thotë ai.

Mësuesi Mehmeti, edhe pse është në pension, gjatë gjithë jetës së tij si mësues por edhe tash vazhdon të jetë një nga aktivistet më të zëshëm në këtë drejtim. Ai pjesën më të madhe të fajit ua atribuon prindërve shqiptarë. “Prindërit shqiptarë kanë një pjesë të madhe të përgjegjësisë. Ata na thonë: ‘Nuk ka nevojë fëmija im të mësojë tek mësuesi, ne flasim shqip në shtëpi’. Kjo është vërtet alarmante, ndërkohë në anën tjetër paraqiten patriotë duke u tubuar për të dëgjuar muzikë tallava dhe me çiftelia”, potencon i mllefosur, mësuesi Mehmeti.

Sipas mësuesit Hazir Mehmeti shkaqet tjera janë edhe pasiviteti i shoqatave në lidhje me mësimin shqip, pak kujdes nga mjetet e informimit publike: RTK dhe RTSH dhe ato private, shtypi, investimi i ulët nga institucionet arsimore në projekte konkrete rreth rëndësisë së mësimit amtar.

Të fuqizohet Shoqata e Mësuesve

Një element tjetër është mbështetja e projekteve mësimore nga mësuesit e mërgatës, ndikimi në raportet prindër mësues dhe anasjelltas. “Shoqata e Mësuesve të fuqizohet me intelektualë të mirëfilltë nga rrethi i gjerë i shoqatave nga lëmi i kulturës, artit, shkencës, biznesit e jo vetëm me personelin mësimdhënës. Kjo do ta shtonte peshën ndikuese në masivizimin e mësimit amtar edhe atje ku mungon. Të faktorizohen prindërit në shoqatë kur dihet se ata janë faktori kryesor në vijueshmërinë e fëmijëve”, potencon ai.

Nënshkrimi i fletëregjistrimit për fëmijë ka peshë ligjore obliguese të drejtuesve të shkollave dhe prindërve. Sipas ligjit, grupi mësimor formohet nëse janë të  nënshkruara  fletëparaqitjen për 12 nxënës. Atëherë drejtoria obligohet të informojë instancat më të larta të cilat vendosin për hapjen e grupit mësimor.

“Ministria e Arsimit dhe Ministria e Diasporës ndihmuan në shumë drejtime, por si duket kjo nuk mjafton. Këto institucione mbajnë kontakte kryesisht me mësues e pjesërisht me shoqata, por jo me mërgimtarë në masën e duhur, apo fare pak. Në tubime të shqiptarëve pak prezantohet, apo fare, rëndësia e mësimit shqip. Pra me fjalë të tjera të gjithë jemi nga pak fajtorë për këtë gjendje të arsimit shqip në Austri”.

 Planprogrami mësimor dhe tekstet

Austria është njëri nga vendet e pakta në botë ku mësimi i gjuhës amtare është i garantuar brenda arsimit publik dhe mësimi mbahet sipas planprogramit për gjuhë amtare, ku bën pjesë edhe gjuha shqipe, plan program i hartuar nga ekspertë. Në tema të veçanta kur ka mundësi përputhjeje, merren pjesë nga planprogrami për mësimin në diasporë, i hartuar nga vendi i origjinës.

Në vitin shkollor 2013/ 2014 Ministria e Arsimit të Austrisë vendosi ta botonte abetaren e parë në gjuhën shqipe, A-B-C Fibel –Abetare, autor i së cilës është Hazir Mehmeti, të cilën nxënësit shqiptarë e marrin falas. Tekstet e caktuara bazike me standarde arsimore e edukative të porositura në Kosovë apo Shqipëri, mbështeten materialisht nga Ministria e Arsimit të Austrisë.

“Fat i madh për mërgimtarët shqiptarë që jetojnë në Austri me kushtet e ofruara për mësimin e gjuhës amtare. Fatkeqësi kohe me pasoja është mosinteresimi i mërgimtarëve për ta mësuar gjuhën shqipe. Sa mund të shpresohet në vetëdijesim, kjo nuk mund të pritet para asimilimit të gjeneratave”, nënvizon mësuesi Hazir Mehmeti.

Në fund të bisedës, mësuesi Hazir Mehmeti kërkon nga prindërit shqiptarë që të shfrytëzojnë mundësitë e ofruara nga shteti austriak.

Formimi i personalitetit me identitet dhe i kompletuar thotë ai, nuk mund të jetë i plotë pa e mësuar gjuhën e nënës. Sipas tij, nuk mund të jesh shqiptar e të mos flasësh gjuhën shqipe. Gjuha shqipe nuk e pengon integrimin dhe mësimin e gjuhës së shkollës, përkundrazi e ndihmon atë.

 

 

Mësimi i shqipes në Austri, i garantuar me ligj

Austria është njëri nga vendet e pakta në botë ku mësimi i gjuhës amtare është i garantuar brenda arsimit publik dhe mësimi mbahet sipas planprogramit për gjuhë amtare, ku bën pjesë edhe gjuha shqipe, plan program i hartuar nga ekspertë.

Vetëm 17% ndjekin mësimin në gjuhën shqipe

Sipas statistikës zyrtare nga Ministria e Arsimit e Austrisë, vitin e kaluar shkollor,  2017-2018, vetëm  1893 nxënës  shqiptarë  ndoqën mësimin shqip. Shprehur në përqindje kjo është vetëm 17 %. Krahasuar me vitin paraprak shkollor janë 116 nxënës më pak, apo minus 5, 8%. Ndërsa për turqishten vijueshmëria është 63%, BKS (Gjuha: Boshnjake –serbe – kroate) 66%, arabisht 66%, dari (gjuha në: Afganistan, Pakistan etj) 100%!

 

P.s: Artikulli fillimisht është botuar në revistën albinfo.at