Kuriozitete

Amazon gjobitet me 886 milionë dollarë për shkeljen e të dhënave

Gjoba u lëshua nga Komisioni Kombëtar i Luksemburgut për Mbrojtjen e të Dhënave, i cili pretendoi se përpunimi i të dhënave personale të gjigantit teknologjik nuk ishte në përputhje me ligjin e BE-së

Amazon të premten e 30 korrikut është goditur me një gjobë prej 886.6 milionë doallarësh (636 milionë paund) – të dyshuar për shkeljen e ligjeve të Bashkimit Evropian – për mbrojtjen e të dhënave.

Një zëdhënës i Amazon ka deklaruar për mediat se gjoba ishte “e pamerituar”, dhe e mbron “fuqishëm” këtë çështje. Më tej, ai shtoi se nuk ka, “asnjë shkelje të të dhënave”.

Rregullat e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave kanë urdhëruar që kompanitë të kërkojnë pëlqimin e njerëzve para se të përdorin të dhënat e tyre personale ose të përballen me gjoba të mëdha.

Autoriteti i Luksemburgut për mbrojtjen e të dhënave, i njohur gjithashtu si “Commission Nationale pour la Protection des Données” (CNPD), i dha gjobën Amazon-it më 16 korrik, sipas një depozitimi nga Komisioni Amerikan i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim (SEC) nga kompania të premten.

Gjoba vjen pas rritjes së kontrollit rregullator të kompanive të mëdha të teknologjisë për shkak të shqetësimeve mbi privatësinë dhe keqinformimin.

Po ashtu dhe ankesave nga disa biznese që gjigandët e teknologjisë kanë abuzuar me fuqinë e tyre të tregut.

“Wall Street Journal” raportoi në qershor se Amazon mund të gjobitet me më shumë se 425 milionë dollarë sipas ligjit të privatësisë të BE-së.

Amazon nuk është kompania e parë e madhe që bie ndesh me Rregulloren e Përgjithshme të BE -së për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR). Por kjo gjobë, sipas analistëve, është më e madhja që kur ligji hyri në fuqi në vitin 2018 – dhe me një diferencë shumë të rëndësishme.

Rregullorja paraqiti kufizime të rrepta në mënyrën në të cilën të dhënat e ndjeshme mund të përdoren, ruhen ose përpunohen.

Një zëdhënëse e Amazon tha se ruajtja e “sigurisë së informacionit të klientëve tanë dhe besimit të tyre”, ishin “përparësitë kryesore”.

“Nuk ka pasur shkelje të të dhënave dhe asnjë e dhënë e klientit nuk është ekspozuar ndaj ndonjë pale të tretë”, shtoi ajo. “Këto fakte janë të padiskutueshme”.

Ajo theksoi se firma nuk pajtohet plotësisht me vendimin e CNPD-së dhe synojnë ta apelojnë.

“Vendimi në lidhje me mënyrën se si ne u tregojmë klientëve reklamat përkatëse mbështetet në interpretime subjektive dhe të paprovuara të ligjit evropian të privatësisë dhe gjoba e propozuar është plotësisht jashtë proporcionit edhe me atë interpretim”, tha ajo.

Gjigantët e teknologjisë amerikane, përfshirë Amazon, janë akuzuar për “pushtet monopol” vitet e fundit.

Kjo ka nxitur thirrje për fuqitë që këto kompani duhet “të kontrollohen”.

Më parë, shqetësimet e BE-së besohej se përqendroheshin në të dhënat, në të cilat Amazon ka qasje dhe si i përdor ato, siç janë informacionet e ndjeshme tregtare mbi produktet e palëve të treta, si vëllimi dhe çmimi.

Në nëntor, Komisioni Evropian akuzoi Amazon për abuzim me pozicionin e tij dominues në shitjen me pakicë në internet për të fituar një avantazh të padrejtë ndaj konkurrentëve.

Ndërkohë, në maj, Amazon fitoi një betejë gjyqësore mbi 250 milionë euro në taksa që ishte urdhëruar t’i paguante Luksemburgut.

Komisioni Evropian kishte urdhëruar gjigantin e teknologjisë të shlyente fondet si taksa të prapambetura – duke pretenduar se Amazon ishte trajtuar në mënyrë të padrejtë – por një gjykatë e rrëzoi urdhrin.