Maqedonia

Ambasada është shtëpia e gjithë mërgatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër

Ambasadori, Kenan Ramadani: "Ambasada është shtëpia e gjithë mërgatës së RMV në Zvicër, pa dallim profesioni, statusi social ose kombësie. Ambasada është shtëpia e tyre"

Intervistë ekskluzive me Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, z. Kenan Ramadani ku ai flet mbi marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, sfidat e mërgatës në Zvicër, për mësimin plotësues në gjuhën shqipe si dhe për potencialin e investimeve zvicerane ne RMV

Kenan Ramadani si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Konfederatën Helvetike, rezident në Bernë, ka nisur mandatin më 1 dhjetor 2018, pas punës dhjetëvjeçare (2008-2018) si Shef i Protokollit shtetëror pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Albinfo.ch: Cilat janë sferat kryesore të bashkëpunimit të Ambasadës suaj me autoritetet zvicerane? 

Ramadani: Si i deleguar i Qeverisë dhe i Presidentit të shtetit në Zvicër, përfaqësoj interesat e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut (RMV) dhe mbroj interesat e qytetarëve të RMV, si urë lidhëse në politikat zhvillimore në drejtim edhe më multidimensional në arenën ndërkombëtare për mirëqenien e qytetarëve të të dy vendeve. Aktivitetet e një Ambasadori në përgjithësi, janë të kanalizuara me institucionet shtetërore më të larta, sikur që është Ministria e Punëve të Jashtme, më konkretisht me Kabineti i Ministrit si dhe me departamentin politik ku mbulohet bashkëpunimi politiko-ekonomik i RMV. Konform këtyre aktiviteteve, në raste specifike, bashkëpunim realizohet edhe me autoritetet kantonale. Në parim, të gjitha aktivitetet e ambasadorëve koordinohen përmes protokollit të Ministrisë së Jashtme.

Albinfo.ch: Cilët jane hapat që keni ndërmarrë, ose planifikoni t’i ndërmerrni prej kur jeni emëruar si Ambasador i RMV në Zvicër?

Ramadani: Fillimisht kisha pasur dëshirë të theksoj se ne, RMV-së, gjatë kohë, për arsye të ndryshme, nuk kemi pasur të nominuar Ambasador në Zvicër. Më tepër se 5 vite ka pasur vetëm ushtrues detyre dhe si rezultat i kësaj, komunikimi me instancat shtetërore, me automatizëm ka qenë i kanalizuar në disa nivele më të ulëta. Si rezultat i kësaj, mund të them se bashkëpunimi sikur kishte ngecur. Me ardhjen time në postin e Ambasadorit, gjatë takimeve protokollare me Kryetarin e shtetit, Ministrin e punëve të jashtme dhe Kryetarin e Parlamentit, i hapa dhe u kushtova theks të veçantë, të gjitha temat e rëndësishme të nivelit më të lartë të bashkëpunimit bilateral. Jam shumë krenar që në takimin që e pata me Kryetaren e Parlamentit të Zvicrës, Zonjën Marina Carobbio Guscetti mes tjerash e nënvizova edhe temën e vizitave të ndërsjella të kryetarëve të parlamenteve, e cila rezultoi me realizimin e një vizite të një delegacioni relativisht të madh nga Maqedonia. Vlen të theksohet se kjo ka qenë vizitë e parë e Kryetarit të Parlamentit të RMV në Zvicër prej pavarësimit/mëvetësimit të saj nga ish Jugosllavia. Vizita e cila kishte karakter zyrtar ishte shumë produktive me biseda tejet transparente dhe ishte një kënaqësi që starti i punës time si Ambasador të shënohet në këtë mënyrë. Tani, aktualisht kemi ftesë të hapur që Kryetari i Parlamentit të Zvicrës të vizitojë Parlamentin e Maqedonisë, vizitë e cila, sipas të gjitha gjasave do të realizohet pas formimit të Qeverisë së re në RMV. Në këtë drejtim do të përmendja edhe ftesën e hapur të Ministrit të Punëve të Jashtme të RMV, z. Nikolla Dimitrov drejtuar Ministrit të Punëve të Jashtme të Zvicrës, z. Ignacio Cassis për të vizituar RMV-në, vizitë kjo e cila, ishte paraparë të ndodhë në vjeshtë të këtij viti. Por duke marrë parasysh situatën e pandemisë, sipas të gjitha gjasave, do të realizohet diku në pjesën e parë të vitit 2021.

Albinfo.ch: Çfarë keni ndërmarrë në drejtim te përfaqësimit sa më adekuat të mërgatës së RMV në Zvicër?

Ramadani: Unë personalisht, së bashku me kolegët e pjesës konsullore të Ambasadës punojmë intensivisht brenda mundësive tona për t`u dalë në ndihmë qytetarëve tanë. Mërgata e RMV është shumë mirë e integruar në shoqërinë zvicerane dhe më tutje duan të mirëmbajnë fuqishëm lidhjen me vendin e tyre të prejardhjes. Prej angazhimeve më konkrete kisha dashur të theksoj mbledhjen e organizuar në Cyrih mes mërgatës tonë, Sekretariatit për Bashkëpunim Ekonomik në Zvicër, Ambasadores së Zvicrës në RMV si dhe Udhëheqësit të Sektorit për përkrahje të sistemit profesional të edukimit shkollor te ne. Theks i veçantë u vendos në ndihmën e cila u ofrohet personave me aftësi të kufizuara. I jam shumë mirënjohës edhe diasporës, por edhe shtetit të Zvicrës që përkrahën këtë projekt. Pos kësaj, kisha dashur të theksoj se ne përpiqemi të mirëmbajmë kontaktet me mërgatën tonë në shumë mënyra. Më e shpeshta është përmes aktiviteteve jo formale, që nënkupton gjatë manifestimeve të ndryshme kombëtare, gjatë festave të ndryshme dhe evenimenteve kulturore dhe sportive. Ne përpiqemi t`i mbulojmë aq sa mundemi ftesat e bëra nga mërgata jonë, duke marrë parasysh se jemi një Ambasadë e vogël e cila numëron 3 diplomatë dhe 2 persona teknikë, megjithatë relativisht mirë e organizuar, veçanërisht në departamentin konsullor. Si Ambasador, preferoj t’ju përgjigjem ftesave për evenimentet kulturore sportive të shoqatave të mërgatës ku marrin pjesë edhe autoritetet kantonale dhe komunale.

Albinfo.ch: Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat ballafaqohet mërgata e RMV në Zvicër?

Ramadani: Në bazë të përshtypjeve dhe bisedave që i kam me përfaqësuesit e mërgatës në Zvicër, ndihet veçanërisht lidhja emocionale me vendlindjen si dhe ndjenja e mungesës së rrjetit social familjar. Edhe përkundër avansimit të mirëqenies së tyre ekonomike, po edhe të efekteve të globalizmit, vazhdon të ndihet mungesa emocionale e rrethit më të ngushtë dhe atij më të gjerë, prej nga vijnë. Kjo u theksua në veçanti gjatë kohës së pandemisë kur ne si Ambasadë kemi pasur thirrje të shumta  nga mërgata jonë që kërkonte informacione për atë se kur do të përmirësohet situata, ose kanë kërkuar informata për kthimin e një pjese të qytetarëve të RMV të cilët kishin ardhur në vizitë te familjarët e tyre në Zvicër. Konkretisht, kemi pasur situatë ku ka pasur mbi 500 persona të këtillë në Zvicër dhe se ne si Ambasadë kemi qenë të detyruar të organizojmë një fluturim special për një numër të qytetarëve të cilët medoemos dëshironin të ktheheshin në vendlindje.

Albinfo.ch: Çfarë mund të na thoni për mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe sa është përfshirë Ambasada për rregullimin e kësaj çështje?

Ramadani: Qeveria e RMV ka një rregullore në të cilën parashikohet përzgjedhja e arsimtarëve me angazhim në mërgatë, të cilët në aspektin fiskal, do të jenë nën ombrellën e Qeverisë dhe për të cilët mërgimtarët tanë nuk kanë nevojë të paguajnë asnjë kompensim. Megjithatë, jam i detyruar të theksoj faktin se qytetarët shqiptarë, me prejardhje nga RMV, sikur nuk e ndjejnë të nevojshme për t`u angazhuar që të kërkojnë arsimtarë shqiptarë. Për momentin, ata qytetarë te RMV të cilët dëshirojnë që fëmijët e tyre të mësojnë gjuhën shqipe, nevojat e tyre i përmbushin përbrenda kornizës së LAPSH-it.

Nëse do të kishte pasur një iniciativë ku prindërit do të kishin mbledhur të dhënat e një numri të caktuar të fëmijëve të interesuar për të ndjekur mësim plotësues në gjuhën shqipe, në bazë të kësaj do të ishte përpiluar një dokument i cili arsyeton nevojën për angazhimin e disa arsimtarëve për mësimin e gjuhës shqipe si mësim plotësues. Kjo iniciativë ndoshta kërkon pak punë, por megjithatë është e realizueshme.

Albinfo.ch: Në cilën fushë do të përqendroni punën tuaj si Ambasador i RMV në Zvicër?

Ramadani: Pikësynimi kryesor është që me dinjitet të përfaqësoj shtetin, Ministrinë e Jashtme dhe mërgatën e RMV në Zvicër. Të gjitha përpjekjet që i bëj unë, së bashku me kolegët e mi, janë në drejtim të përfaqësimit sa më të dinjitetshëm të tyre dhe instancave të lartpërmendura. Si pjesë përbërëse e angazhimeve të mia si Ambasador është edhe intensifikimi i bashkëpunimit bilateral si dhe i vizitave të niveleve më të larta të dy shteteve. Siç e ceka edhe më lartë, vizita e Ministrit të punëve të Jashtëm të Zvicrës në Maqedoni është në përgatitje e sipër. Pas saj kemi ndërmend edhe vizitën e Kryetarit të Parlamentit të Zvicrës në Maqedoni. Kulmi i këtyre vizitave bilaterale do të ishte vizita e Kryetarëve të shtetit qoftë në Maqedoni ose në Zvicër.
Si detyrim tjetër që dëshiroj të marr mbi vete, do të ishte që në RMV të promovojmë një investim shumë me peshë. Qoftë ai investim i ndonjë qytetarit tonë në Zvicër, ndonjë investim zviceran, ose ndonjë miks i të dyjave.

Albinfo.ch: A mundeni të na tregoni pak më tepër lidhur me investimet ekonomike nga Zvicra në RMV?

Ramadani: Për potencialin të cilin RMV e posedon, sasia e investimeve nga Zvicra është e vogël. Brendi i Zvicrës gëzon reputacion shumë të madh në tërë vendin. Ai karakterizohet me precizitet, korrektësi dhe  kualitet, dhe si i tillë është shumë atraktiv. Duke marrë këtë parasysh, çdo investim që vjen nga Zvicra, gëzon pozicionim të mirë në tregun e RMV-së. Nuk duhet harruar po ashtu se përfitimet ekonomike në Maqedoni janë mjaft atraktive, sidomos kur merret parasysh niveli i të ardhurave të cilat dallojnë dukshëm me ato në Zvicër. Në këtë drejtim, mund të them se çdo ide është e mirëseardhur dhe unë nuk do të hezitoj të jap përkrahjen time. Unë potencialin më të madh e shoh në investimet e vogla të bizneseve familjare me nga 10-20 punëtorë. Si të këtilla, mendoj se bizneset familjare janë më të lehta, më të shëndosha dhe më produktive.

Albinfo.ch: A ekziston ndonjë mënyrë për të kanalizuar dhe organizuar investimet e mundshme?

Ramadani: Nuk them se ne duhet të shpikim rrotën përsëri. Agjensioni për investimet e huaja ekziston. Pos kësaj, ka një pako të madhe avantazhesh qeveritare për investitorët e huaj dhe mendoj se tash edhe klima për investime është e përshtatshme. Mjafton të jetë interesi për të bërë investime. Unë, pa asnjë përtesë, mund të jem urë kryesore për ndërlidhje por edhe shtyrje të këtyre iniciativave. Nëse paraqitet nevoja, jam i gatshëm si Ambasador të bëj ndërlidhjet me instancat me relevante në Shkup që këto iniciativa të kenë sukses, edhe qëndroj pas kësaj deklarate.

Albinfo.ch: A do të kishit ndonjë porosi përfundimtare për mërgatën e RMV-së?

Ramadani: Çfarë mund të nënvizoja këtu është se Ambasada është shtëpia e gjithë mërgatës së RMV në Zvicër, pa dallim profesioni, statusi social ose kombësie. Ambasada është shtëpia e tyre. Mua mund të më konsiderojnë si personin me të cilin mund t`i diskutojnë hallet e tyre. Kisha dashur që mërgata ta ndjejë që unë dhe stafi im jemi në shërbimin e tyre. Me fjalë tjera, ne jemi këtu falë tyre dhe për ta.

Karriera

Si diplomat profesional, Ambasadori i RMV në Zvicër, z. Kenan Ramdani, karrierën e tij të pasur e fillon qysh në vitin 1996 si desk oficer në sektorin e marrëdhënieve multiraterale ku punon deri në vitin 2000. Në po të njëjtin vit avansohet në pozitën e udhëheqësit për marrëdhënie bilaterale me vendet anëtare të BE-së ku qëndron deri me vitin 2004 kur edhe merr mandatin e Sekretarit të parë pranë Ambasadës në Bernë. Ndërsa gjatë periudhës 2006 -2008 ka punuar si ushtrues i detyrës në po të njëjtën Ambasadë.

RMV siguron mësues për diasporë, por mërgata nuk shpreh interesim

Qeveria e RMV ka një rregullore në të cilën parashikohet përzgjedhja e arsimtarëve me angazhim në mërgatë, të cilët në aspektin fiskal do të jenë nën ombrellën e Qeverisë dhe për të cilët mërgimtarët tanë nuk kanë nevojë të paguajnë asnjë kompensim. Megjithatë, jam i detyruar të theksoj faktin se qytetarët shqiptarë, me prejardhje nga RMV, sikur nuk e ndjejnë të nevojshme për t`u angazhuar që të kërkojnë arsimtarë shqiptarë.

  • Intervista është realizuar nga fundi i qershorit për numrin e korrikut të magazinës albinfo.ch