Muzikë

Ambasadorët e kulturës shqiptare, Gjon’s Tears dhe Elina Duni, pjesë kyçe e Festivalit të Filmit në Fribourg

Albinfo.ch shfrytëzoi mundësinë që në Fribourg të takonte dy Ambasadorët e kulturës shqiptare në Zvicër dhe të zbulojë diçka më tepër lidhur me angazhimin e tyre në këtë festival

Portete te Gjon's Tears dhe Elina Duni

Edicioni i 36-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Friburg është në kulmin e tij. Në krahasim prej herëve të tjera, edicioni i sivjetëm karakterizohet me pjesëmarrje të rëndësishme të shqiptarëve. Në njërën anë kemi Gjon’s Tears me detyrën e kuratorit të seksionit DIASPORA, i cili përmes kinemasë paraqet kulturën e vendit prej nga e ka prejardhjen; ndërsa në anën tjetër është Elina Duni, në rolin e anëtares së jurisë ndërkombëtare për filmat e metrazhit të gjatë.
Albinfo.ch shfrytëzoi mundësinë që në Fribourg të takonte dy Ambasadorët e kulturës shqiptare në Zvicër dhe të zbulojë diçka më tepër lidhur me angazhimin e tyre në këtë festival.

Portraits of Gjon's Tears (left) and Elina Duni
Gjon’s Tears dhe Elina Duni -Foto: Rromir Imami për Albinfo.ch

Albinfo.ch: Përshëndetje Gjon. Ju faleminderit që ndatë kohë për të bërë këtë intervistë për lexuesit e Albinfo.ch, sidomos duke pasur parasysh agjendën tuaj të ngjeshur. Edicioni i 36-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Friburg është në kulmin e tij. A mundeni të na tregoni diçka më tepër lidhur me rolin tuaj në këtë festival?

Gjon’s Tears: Roli im ishte të shpërndaj kulturën e artit nga Kosova dhe Shqipëria në Fribourg, por jo vetëm në Fribourg, por edhe në gjithë Zvicrën, sepse ky është festival ndërkombëtar i filmit, kjo ishte ideja e parë. Për mua ishte një mundësi e mirë ta njihja akoma më mirë kinematografinë e Kosovës dhe Shqipërisë, sepse nuk e njihja shumë. Kështu që kur kam bërë përzgjedhjet e filmave, për mua ishte një mënyrë shumë e bukur për t’u treguar edhe njerëzve të Zvicrës, ata që dëshirojnë ta njohin më shumë kulturën e Kosovës dhe Shqipërisë. Ishte mënyrë e bukur dhe e kam marrë si detyrë shumë të rëndësishme të paraqes imazhin e bukur dhe të vërtetë të Kosovës. Ideja që buron nga gjithë këta filma është se njerëzit e Kosovës dhe Shqipërisë janë njerëz shumë të dashur dhe me shumë sinqeritet. Kjo është ajo gjëja që pasqyrojnë më shumë këta filma.

Portret i Gjon's Tears
Gjon’s Tears – Foto: Rromir Imami

Albinfo.ch: Përse i keni zgjedhur pikërisht këta filma, a ka ndonjë arsye të veçantë, sepse janë filma të llojllojshëm?

Gjon’s Tears: Ka plot arsye, ideja ishte jo të tregoj se çka është një shqiptar ose një kosovar në Zvicër. Sepse kam parë disa reportazhe që nuk më kanë pëlqyer shumë. Sepse ishte pak, sikurse shkon në kopsht zologjik të shkosh në Kosovë dhe Shqipëri. Unë nuk doja të shpërndaja këtë ide, por doja të shpërndaja se cilat janë vlerat e Kosovës dhe Shqipërisë. Për shembull, e kam marrë një reportazh të një trajneri të futbollit që ka shkuar në Kosovë dhe që është habitur me mikpritjen e shqiptarëve dhe, në këtë mënyrë të shihen shumë vlera të Kosovës, të cilat janë shumë të rëndësishme për mua. Janë gjëra të cilat i kam mësuar unë me familjen time dhe dëshiroj që secili njeri që shkon në këtë vend t’i ketë parasysh këto vlera. Kjo, pra, ishte ideja e këtyre filmave. Pastaj ka edhe tema të ndryshme, p.sh. filmi i Skënderbeut, film që ka një histori shumë të mirë dhe të rëndësishme, unë e kam parë kur kam qenë 10 vjeç. Ishte një mënyrë shumë interesante për të treguar me këta filma të ndryshëm historinë dhe vlerat e këtyre dy shteteve.

Gjon’s Tears – Foto: Rromir Imami

Albinfo.ch: Sa ndikon arti në përgjithësi, dhe filmi në veçanti në prezantimin e mirëfilltë të kulturës shqiptare në Zvicër?

Gjon’s Tears:  Në Zvicër qëllimi i këtij fesivali është të prezantojmë Kosovën dhe Shqipërinë te njerëzit që nuk i njohin mirë këto vende. Sepse shumë shqiptarë që kanë ardhur në fillimet e tyre në Zvicër kanë qenë shumë diskretë për ardhjen e tyre, pasi që Kosova ishte e dalë nga lufta dhe kanë qenë më të rezervuar, diskretë të tregojnë për vendlindjen e tyre. Andaj ideja është që të tregohet kultura e mirëfilltë e Kosovës dhe Shqipërisë. Besoj me të vërtetë që kinemaja dhe arti shqiptar ka një shpresë shumë të madhe në kinematë internacionale dhe për këtë jam shumë i gëzuar për këtë festival.

Gjon’s Tears – Foto: Rromir Imami

Albinfo.ch: Cili do të kishte qenë apeli juaj për diasporën shqiptare në Fribourg dhe më gjerë lidhur me këtë festival, sidomos duke marrë parasysh se një segment i tij i është dedikuar filmit shqiptar.

Gjon’s Tears:  Për gjithë audiencën e albinfos, lexuesve dhe diasporës në përgjithësi që e duan kinemanë, këshilla ime është që duhet të përfitohet nga organizimet e këtilla. Është mirë të vihet dhe të shihen këto filma, qoftë edhe nëse i kanë shikuar kohë më parë, duhet përsëri të shikohen, si p.sh. Skënderbeu, Zgjoi, si edhe filma të tjerë të metrazhit të shkurtër. Me qëllim që të shpërndahet kultura shqiptare, qoftë mes vete, ashtu edhe më gjerë dhe të bisedohet për këto tema që po bëhen të shpeshta.

Gjon’s Tears – Foto: Rromir Imami

Albinfo.ch: Mbesin edhe disa ditë deri në përfundim të festivalit. A të pret edhe shumë punë?

Gjon’s Tears:  Ka shumë gjëra që jam duke bërë, jo vetëm promovimin përbrenda festivalit, por ka edhe disa gjëra të tjera, sepse jam artist, bëj muzikë. Për momentin jam duke jetuar në Paris dhe jam duke punuar edhe në projektet e mia. Ka plot gjëra për të bërë për momentin, por një gjë e bukur është që festivali bën prezantimin e diasporës shqiptare në Zvicër. Aq më tepër kur dihet që gjuha e gjashtë më e folur në Zvicër shte shqipja dhe kam dëgjuar se çdo i 10-ti kosovar jeton në Zvicër. Kështu që është një gjë shumë e rëndësishme që t’i japim një fjalë, një jetë, diasporës tonë shqiptare, e cila kohë të gjatë që ka dashur gjithmonë të jetë më sekrete dhe e rezervuar për kulturën shqiptare. Besoj që tani me artin dhe kulturën e shqiptarëve dhe artistëve tanë, siç është Elina Duni, që është edhe në jurinë e festivalit, është bukur të kesh njerëz nga Kosova dhe Shqipëria, që mund ta prezantojmë kulturën dhe artin e shqiptarëve.

Elina Duni – Foto: Rromir Imami

Albinfo.ch: Përshëndetje Elina. Faleminderit për kohën që ndatë. Si anëtare e jurisë ndërkombëtare, mund të paramendoj se jeni e stërngarkuar me vlerësimin e filmave të festivalit. Pa e zgjatur shumë, a mund të na tregoni diçka më tepër për rolin tuaj në këtë festival?

Elina Duni: Drejtori artistik i fetivalit, Thierry Jobin, më ka kërkuar si pjesë e jurisë internacionale, ne jemi 4, e që është juria më e rëndësishme e festivalit, e cila është e vetmja juri që i jep 2 çmime të filmave të metrazhit të gjatë dhe më ka kërkuar të jem pjesë e kësaj jurie. Është një kërkesë që më ka befasuar dhe surprizuar, sepse së pari jamë shumë kinofile, i dua shumë filmat, e dua kinemanë, babi im është aktor dhe jam rritur me këtë frymën e teatrit dhe kinemasë dhe, së dyti, sepse më duket shumë interesante zgjedhja e Thierry që të marrë një muzikante si pjesë e jurisë të festivalit. Është një sy tjetër që nuk është i fushës, por një sy që vjen nga një anë tjetër e fushës së artit. Më pëlqen dhe jam shumë e lumtur që jam këtu, në fakt, dhe kisha kohë pa shkuar në kinema, sepse unë s’kam kohë, por shoh filma në kompjuter dhe të thuash që për 4 herë në ditë të futesh në sallat ku dritat errësohen dhe ka diçka magjike që më bëri të rigjej magjinë e kinemasë dhe të papriturës, sepse unë nuk i lexoj tekstet çfarë më pret dhe futem dhe thjesht e lë veten të zhytem në këtë univers.

Albinfo.ch: Nuk është hera e parë që arti të jetë diplomaci më e suksesshme se politika, sidomos në kontekst të promovimit të vlerave kulturore shqiptare. A je më tepër në favor të diplomacisë politike apo asaj artistike?

Elina Duni: Për mua arti është politika më e mirë dhe mendoj që shtetet si Kosova, Shqipëria e Maqedonia e Veriut duhet të investojnë shumë në art, sepse kjo është mënyra më e bukur për të lidhur ura midis njerëzve e kulturave. Sa më shumë investime e ndihmë që do të ketë nga shteti, subvencionime për artin, aq më mirë është për artistët, publikun dhe vlerat.

Portret i Elina Dunit
Elina Duni – Foto: Rromir Imami

Albinfo.ch: A mendoni që janë pjekur kushtet që në të ardhmen e afërt të shohim më tepër filma, të cilët do të burojnë nga Zvicra dhe do të udhëhiqen nga regjisorë, producentë dhe artistë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër?

Elina Duni:  Sigurisht besoj që është momenti dhe është koha. Është Fisnik Maxhuni ai është një nga këta përfaqësues. Sepse ashtu siç çdo imigracion ka valët e saj. Është vala e parë ku njerëzit ekonomikisht duhet të punojnë, të fitojnë një status e një vend ku kanë ardhur, pastaj fëmijët e tyre fillojnë dhe bëhen dikush dhe studiojnë. Do të thotë, po vjen momenti ynë dhe çdo gjë është e pjekur që të ndodhë kjo gjë.

Elina Duni - Portret
Elina Duni – Foto: Rromir Imami

Albinfo.ch: Jeni pjesë e jurisë ndërkombëtare për filmat e metrazhit të gjatë. A mund të veçoni ndonjë film për lexuesit e albinfo.ch, jo domosdoshmërisht të atyre filmave që janë në garë?

Elina Duni: Nuk mund të flas për momentin për filmat që janë në garë, por mund të veçoj dy filma që janë të Kosovës, është ‘Zgjoi’ dhe ‘Martesa’. Janë dy filma që kam dashur gjithmonë t’i shoh dhe që i ka zgjedhur Gjoni për të përfaqësuar shqiptarët. Dua t’i veçoj, sepse janë filma shumë interesantë dhe që flasin për këndvështrimet mbi disa nga problematikat e përditshmërisë sonë.

Elina Duni - portret
Elina Duni – Foto: Rromir Imami

Albinfo.ch: Çka do të shtonit tjetër si rekomandim për lexuesit e Albinfo.ch lidhur me këtë festival të filmit?

Elina Duni: E rekomandoj këtë festival, do të thotë unë kam parë deri tash 10 filma dhe shumica e tyre janë filma që më kanë prekur shumë nga historitë që kam parë dhe mënyra se si janë xhiruar dhe mendoj se janë filma të zgjedhur me shumë sensibilitet. Do të ishte mirë sikur lexuesit tuaj të gjenin pak kohë dhe të vinin të përcillnin këtë festival, i cili është plot humanitet dhe njerëzi, dhe na bën të reflektojmë mbi jetën dhe veten tonë. Na zgjeron këndvështrimin dhe na pasuron.

Elina Duni - Portret
Elina Duni – Foto: Rromir Imami

Albinfo.ch: Besoj se ky festival ndihmon, po ashtu kontribuon në zgjerimin e këndvështrimit të bashkëqytetarëve, të shprehemi ashtu, zviceranë.

Elina Duni:  Absolutisht, sepse ka një fokus mbi komunitetin shqiptar dhe unë jam këtu nga ky fakt, sepse deshi edhe dikush prej këtij komuniteti që të ishte pjesë e jurisë. Jo vetëm kishte fokus me këta filma, por kishte edhe dikush që përfaqëson këtë komunitet, i cili jep çmime.

Elina Duni - Portret
Elina Duni – Foto: Rromir Imami

 

Autor i fotografive dhe tekstit: Rromir Imami