Kosova

Ambasadorët e politizuar

Ish-ministri i Brendshëm, Bejtush Gashi, i shkarkuar nga kjo pozitë, pritet të emërohet ambasador në Shqipëri

Qeveria ka vazhduar me politizimin e shërbimit të jashtëm të Kosovës, duke emëruar ambasadorë njerëz të partive në pushtet.

Ditë më parë, në Komisionin për Punë të Jashtme, është proceduar për dekretim te presidenti emri i Avni Arifit, këshilltarit të kryeministrit, për ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ish-ministri i Brendshëm, Bejtush Gashi, i shkarkuar nga kjo pozitë, pritet të emërohet ambasador në Shqipëri, raporton KTV.

Para tij, Ekrem Mustafa, tani ministër i Brendshëm, ishte propozuar për këtë pozitë por emri i tij ishte tërhequr, përcjell albinfo.ch.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, akuzon partitë në pushtet për shkelje të Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, duke e tejkaluar kuotën prej 50 përqind me emërime politike të ambasadorëve.

Thotë se tashmë kjo kuotë ka kaluar në 80 përqind.

Të njëjtin shqetësim e ka shprehur edhe Vetëvendosje. Deputetja Fitore Pacolli thotë se shërbimi i jashtëm vazhdon të degradohet me emërime të militantëve partiakë.

Zyrtarë tjerë politikë tashmë janë emëruar ambasadorë. Gjergj Dedaj është dekretuar ambasador në Maqedoni. Gjithashtu, Arbër Vllahiu, anëtar i AAK-së, aktualisht është shef i misionit diplomatik në Çeki.

Sipas Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Kosovës, kërkohet që së paku 50% e ambasadorëve të emëruar të jenë ambasadorë të karrierës, ndërsa pjesa tjetër të jenë të emëruar politik.

Lëvizjet e shumta prej kur mandatin e ka nisur kryeministri Ramush Haradinaj, në koalicion me AKR-në e Nismën, Ministria e Punëve të Jashtme i ka quajtur normale.

Drejtori për Komunikim në MPJ, Sami Kastrati, ka thënë për KTV-në se emërimet e ambasadorëve të rinj do të vazhdojnë dhe do të bëhen në konsultim me kryeministrin dhe presidentin, në pajtim me ligjet në fuqi.