Shqipëria

Angazhimi turistik i Zvicrës në Shqipëri

Turizmi duket se është sektori ekonomik me potencialin më të madh të zhvillimit. Për të bërë një hap përpara drejt turizmit të qëndrueshëm, duhen kapërcyer disa pengesa dhe duhen krijuar kapacitete.

Zvicra, mbështet zhvillimin e Shqipërisë prej më shumë se 25 vitesh, vend i cili gjatë kësaj kohe ka përjetuar një zhvillim të pabesueshëm në fusha të ndryshme, por që megjithatë ka mbetur një ndër vendet më të varfra të Evropës.

Zvicra ndihmon Shqipërinë në veçanti në përpjekjet e saj për demokratizim dhe decentralizim, në ndërtimin e infrastrukturës së qyteteve, në shëndetësi dhe në zhvillimin e ekonomisë me synimin për të krijuar vende pune. Turizmi duket të jetë sektori ekonomik me potencialin më të madh të zhvillimit, pasi Shqipëria ofron pothuaj gjithçka që dëshiron një turist: peizazhe të larmishme me male, liqene dhe një vijë bregdetare shumë të gjatë, të bukur e të jashtëzakonshme, ushqim të shkëlqyer, monumente historike, ndërtesa dhe fshatra karakteristikë, klimë të mirë dhe, ajo që është shumë e  rëndësishme, një popull shumë mikpritës dhe simpatik.

Për turistët europerëndimorë, Shqipëria ofron veç kësaj, çmime shumë të lira dhe është relativisht lehtësisht e arritshme. Për këtë arsye nuk është befasues fakti se vitet e  fundit ka pasur shtim të vazhdueshëm të numrit të vizitorëve. Gjithashtu turizmi përqendrohet më së shumti gjatë verës në rajonet  zonat  bregdetare.  Veç kësaj, të ardhurat nga turistët në Shqipëri janë shumë më të ulëta se në vendet fqinje.

Për të bërë një hap përpara drejt zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, i cili do të favorizonte një shtresë të gjerë të popullsisë, duhen kapërcyer disa pengesa  dhe duhen krijuar kapacitete. Kështu për shembull, duhet përmirësuar infrastruktura turistike, shërbimi në hotele dhe në restorante si dhe të zgjerohet oferta për argëtim dhe për eksplorim. Në të njëjtën kohë turizmi në Shqipëri duhet të zhvillohet mbi një bazë të qëndrueshme.

Zvicra, përmes Agjencisë Zvicerane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SDC) dhe Sekretariatit Shtetëror të Zvicrës për Çështjet Ekonomike (SECO)  mbështet Shqipërinë në tejkalimin e pengesave të sipërpërmendura dhe në ngritjen e kapaciteteve të nevojshme. Së bashku me Gjermaninë, Zvicra, për shembull, po përmirëson infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve në qytete të ndryshme të vendit, në mënyrë që të sigurojë furnizim 24 orë në ditë me ujë të pijshëm .

 

Në qytetin e mbrojtur nga UNESCO-ja si trashëgimi botërore, në Berat dhe në zonat përreth tij, veç kësaj po modernizohet edhe menaxhimi i mbetjeve. Deri tani të gjitha mbeturinat derdheshin në lumë, e për pasojë në det, duke ju rikthyer plazheve të bregdetit.

Sistemi i ujësjellësit, ai i pastrimit të ujërave të zeza dhe ai i menaxhimit të mbeturinave përbëjnë një bazë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit në të ardhmen.

Në projektin për angazhimin e të rinjve, i cili financohet nga qeveria zvicerane dhe zbatohet nga Helvetas, mbështetet krijimi dhe ndërmjetësimi i vendeve të punës. Projekti promovon produktet inovative që për Shqipërinë shpesh, janë produkte të reja, si ai i vrojtimit të zogjve, dhënien me qira të biçikletave ose rafting në lumenj; të gjitha këto oferta përkojnë me një nevojë të qenësishme dhe që njëkohësisht e zgjasin sezonin turistik shumë të shkurtër. Shfrytëzimi më i mirë tërheq më shumë fuqi punëtore dhe çon, në planin afatgjatë në krijimin e më shumë vendeve të punës dhe jo vetëm në zonat bregdetare.

Swisscontact, në njërin nga projektet e financuara nga qeveria zvicerane promovon sistemin e arsimit profesional shqiptar sipas modelit zviceran, edhe në sektorin e turizmit. Për herë të parë shkollat profesionale studentët kanë lidhur marrëveshje afatgjata për të zhvilluar seanca praktike në ndërmarrje. Edukimi në këtë mënyre bëhet i mirëorientuar sipas kërkesës së tregut dhe më profesional. Në të njëjtën kohë, Programi zviceran për nxitjen e importeve (SIPPO) punon bashkë me Agjencinë Shqiptare të Turizmit për të promovuar në tregun ndërkombëtar  Shqipërinë si destinacion për turizmin e qëndrueshëm.

Mbështetja e Zvicrës në sektorin e turizmit mban në konsideratë edhe ndryshimet gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe sistemike.

Ky botim i muajit gusht i albinfo.ch është gjithashtu një ftesë për vendet dhe banorët e tyre të zbulojnë dhe të shohin se si jetësohet qëndrueshmëria, gjithëpërfshirja,  dhe ndryshimet sistemike. Revista u drejtohet edhe partnerëve dhe investitorëve potencialë, që ofruesit e shërbimeve turistike,  zviceranë dhe shqiptarë, të lidhen drejtpëdrejtë ose përmes projekteve të mbështetura nga Zvicra.

Promovimi i turizmit shqiptar nën sloganin “go your own way” vlen jo vetëm për turistët por edhe për partnerët e biznesit. Revista që kemi përpara mund të jetë hapi i parë në këtë drejtim.

 

(Fotot: Fation Plaku)