Lajme

Anulohet Vibez Festival, komuna nuk lejon organizimin në territorin e saj

Të gjithë ata që tashmë kanë blerë bileta do të kontaktohen personalisht dhe përmes rrjeteve sociale.

Pak ditë para se të mbahen koncertet 3 ditore të organizuara dhe të paralajmëruara për datat 9, 10 dhe 11 shtator, është anuluar Vibez Festival. Ky vendim është marrë nga Komuna Port-Valais në territorin e të cilës ishte rezervuar hapësira (openair) ku do të zhvillohej festivali.

Refuzimi u konfirmua më 24 gusht pas një mbledhje mes përgjegjëseve komunal dhe organizatorit.

Sipas komunikatës me shkrim nga këta të fundit, thuhej se bashkësia Port-Valais refuzoi me arsyetime rreth sigurisë, transportit dhe zënkave të cilat mund të ndodhin shkaku i një publiku të caktuar.

“Policia ka mungesë të personelit atë fundjavë, transporti publik nuk po funksionon në  atë pjesë dhe programi do të tërheq njerëz nga Franca që prishin rendin publik dhe bëjnë dëme materiale” citohet në deklaratën  e publikuar nga Vibez festival.

Udhëheqsit e këtij manifestimi u përpoqën që të japin zgjidhje në favor të komunës, për vendin, sigurinë dhe detajet e tjera por që, sic thuhet, vendimi ishte i prerë dhe nuk pranonte propozime.

Kujtojmë që organizatorët kishin përgatitur gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe gjithçka ishte gati për festival.

Shpenzimet dhe investimet mijëra franga, thuhet që do të përcillen në mënyrë ligjore për të kërkuar dëmshpërblim nga komuna Port-Valais.

Organizatorët gjithashtu theksojnë që po shqyrtojnë një lokacion të ri, me kushte më të mira për publikun e tyre. Të gjithë ata që tashmë kanë blerë bileta do të kontaktohen personalisht dhe përmes rrjeteve sociale.

Ky vendim i papritur shihet si diskriminim, i paqartë dhe i vonshëm.

Vibez Festival pritej të ishte njëri ndër organizimet më të mëdhaja në rajonin frankofolës, me artistët më të njohur nga skena, duke i përfshirë edhe yjet shqiptarë të muzikës pop, R&B dhe Rap.

Alisa Buzhala