Muzikë

Argjenda Aliu, një zë i ëmbël nga Finlanda

Këngëtarja e re shqiptare, Argjenda Aliu, e cila jeton në Finlandë, është në hapat e parë të karrierës së saj artistike, shkruan albinfo.ch.

Ajo ka një zë mjaft të veçantë dhe pasioni për muzikën i ka lindur që në moshë fare të vogël.

Argjenda thekson se ëndrra e saj është realizimi i një këngë profesionale dhe lidhja e një kontrate me ndonjë studio të madhe muzikore.

Kujtojmë se 16-vjeçarja Argjenda Aliu është bërë pjesë e “The Voice of Finland”. Ajo interpretoi këngën ‘Yours’, të këngëtares së njohur, Ella Henderson, duke bërë që gjithë paneli i jurisë të kthejë karriget e tyre.

Juria mbeti e mahnitur nga zëri brilant i adoleshentes nga Kosova që pushtoi skenën. Ata në fund edhe u ngritën në këmbë, duke duartrokitur këngëtaren e re. Ajo arriti të kaplonte dhe zemrat e publikut, duartrokitjet e së cilëve dëgjoheshin gjatë transmetimit të “The Voice of Finland”, duke u kualifikuar deri në gjysmëfinale të këtij spektakli, shkruan albinfo.ch.