Kultura

“Arti është një det i thellë, të cilit nuk i shihet fundi“

Në një intervistë për albinfo.ch, Uzri Mustafi ose “Paco”, siç njihet me emrin e tij artistik, ka folur për fillimet e tij në botën e artit, peripecitë dhe mundësitë që i janë dhënë, për pikturën dhe të ardhmen e tij artistike

Ishte një ditë vikendi me diell dhe trafik të ngjeshur. Rruga gjarpëruese nga Frutigeni i Bernës drejt destinacionit tonë final, ishte e stërngarkuar. Pas thuajse 2 orëve udhëtim, arritëm në destinacion, ku na priti Uzri Mustafi, protagonisti i bisedës sonë.

Uzriu jeton dhe krijon në Adelboden të Kantonit të Bernës. Ka ardhur në Zvicër në moshën 8 vjeçare, nga Jazhinca e Tetovës. Para më pak se tre vitesh ka filluar karrierën e tij në fushën e artit figurativ. Sot është vetëm 23 vjeç dhe diku nga fundi i vitit, planifikon të realizojë takimin e parë me dashamirët e Artit në një ekspozitë të tij. Krahas aktiviteteve me pikturën, ai vazhdon të ndjekë Shkollën e Artit në Bernë.

Albinfo.ch: Sa kohë keni që merreni me pikturë dhe si u zbulua talenti juaj në këtë lëm?

Uzri Mustafi: E vërteta është se piktura më ka pëlqyer gjithnjë. Miqtë e familjarët më thoshin se kisha talent, por kishte edhe të tillë që shumë herë ma kujtonin se nga ky profesion nuk ka “bukë”, nuk ka ardhmëri, pasi duhet të kesh njerëz që të ndihmojnë, kontakte, material etj. Kur erdha në Zvicër, kjo mundësi mu paraqit para vetes. Pas përfundimit të shkollës fillore jam regjistruar në një shkollë të mesme, pastaj edhe në një zanat për lyerje të veturave (autolakierer), por që tw dyja i braktisa dhe tani ja tek më shihni në një atelie, i rrethuar me ngjyra dhe brusha.

Albinfo.ch: Çfarë pikturoni?

Uzri Mustafi: Momentalisht jam duke provuar gjithçka që më lind si ide. Ende nuk mund të them që ky ose ai është stili im ose bota ime e pikturës. Vazhdoj të marr inspirim nga të tjerët dhe nuk kam arritur në atë pikë në të cilën njerëzit do të dallonin punën time nga të tjerët dhe të më njohin përmes punës që bëj. Ndoshta pas disa viteve, mund të arrij në atë pikë që të kem stilin tim dhe ai të jetë letërnjoftimi im.

Albinfo.ch: Në atelienë tuaj, kam vërejtur shumë portrete, çfarë mund të na thoni për këtë?

Uzri Mustafi: Po. Më pëlqejnë portretet, por nuk mund të them se kjo është rruga që do të ndjek. Disa portrete janë të porositura dhe punoj me to. Por gjithashtu ajo që më pëlqen të pikturoj janë dhe rrugët e vjetra të qyteteve. Dua të potencoj që edhe arti abstrakt më pëlqen. Bile dy nga pikturat e mia që janë vlerësuar më shumë nga blerësit, i takojnë këtij zhanri. Dua të provoj shumë gjëra, jo të gjitha, pasi arti është një det i thellë të cilit nuk i shihet fundi.

Albinfo.ch: Pikturoni vetëm atë që ju pëlqen, apo pranoni edhe kërkesa nga dashamirët e artit?

Uzri Mustafi: Patjetër që pranoj edhe kërkesa nga dashamirët e artit. Puna me kërkesë është e lidhur edhe me stres, pasi në radhë të parë kërkesa për të bërë një pikturë më pret krahët, më kufizon. Megjithatë puna me porosi ka dhe anën tjetër pozitive. Për mua është shumë lehtë të bëj një pikturë të porositur, pasi që në start kam një ide dhe një koncept se si të punoj dhe ta përfundoj. Gjysmën e kohës merrem me porositë dhe gjysmën tjetër me punë të lirë, pra bëj atë që dëshiroj të bëj më shumë.

Albinfo.ch: Në një pikturë që ke në atelie, shoh Loredanën me një fëmijë afër vetes. Më thatë që ajo nuk e ka porositur këtë pikturë, më thoni atëherë pse e keni bërë?

Uzri Mustafi: Për disa arsye. Ajo është e njohur në botën e artit të muzikës dhe mendoj që të pikturosh një njeri të famshëm është një punë në një rrugë të mbarë. Ne të dy jemi artistë dhe mund të merremi vesh mirë në gjuhën e artit. Dua që të bashkëpunojmë. Shfrytëzoj rastin që përmes albinfo.ch ta informoj Loredanën se në një atelie të fshehur nga bota, diku në një maje mali të Alpeve zvicerane, gjendet e varur një pikturë e saj. Tani kur ne po flasim, Loredana nuk e di që unë e kam pikturuar. Nuk është vetëm Loredana. Unë kam pikturuar portrete të disa raperëve dhe muzikantëve të zhanreve tjera, që veprojnë në Gjermani. Megjithatë unë i përgjigjem çdo kërkese e cila ka shije dhe natyrisht i përgjigjet punës sime edhe materialisht, qoftë ajo edhe nga njerëz që jetojnë një jetë të qetë, larg mediave.

Albinfo.ch: Cila është piktura më e shtrenjtë e shitur deri më tani?

Uzri Mustafi: Deri më tani kam bërë diku më shumë se 300 piktura. Disa të mëdha e ca tjera me format më të vogël. Varësisht nga formati, lloji dhe shija e blerësit janë vendosur dhe çmimet. Piktura më e shtrenjtë që kam shitur deri më tani, ka qenë një pikturë me vizatim abstrakt, e cila ka kushtuar 5000 franga zvicerane, por kam shitur edhe piktura me çmime shumë më të lira.

Albinfo.ch: A mund të jetoni nga profesioni që keni zgjedhur?

Uzri Mustafi: Tash për tash nuk mund të them se mund të jetoj nga piktura edhe pse është një fillim relativisht i mirë. Harxhimet janë shumë të mëdha. Pikturën e shoh si diçka më shumë se një profesion për të jetuar.

 

Loredana nuk e di se unë e kam pikturuar!

“Ne të dy jemi artistë dhe mund të merremi vesh mirë në gjuhën e Artit. Dua që të bashkëpunojmë. Shfrytëzoj rastin që përmes albinfo.ch, ta informoj Loredanën se në një atelie të fshehur nga bota, diku në një maje mali të Alpeve zvicerane, gjendet e varur një pikturë e saj…“

5000 franga për pikturë

Varësisht nga formati, lloji dhe shija e blerësit janë vendosur dhe çmimet. Piktura më e shtrenjtë që kam shitur deri më tani, ka qenë një pikturë me vizatim abstrakt, e cila ka kushtuar 5000 franga zvicerane, por kam shitur edhe piktura me çmime shumë më të lira. Për shitje kam përdorur lidhjet e mia dhe shpesh herë bëj shitje edhe përmes Instagramit me emrin paco.arts.