Kosova

Auditori ngre dyshime për ushqimin që hanë qytetarët e Kosovës

Për mishin që konsumojnë qytetarët e Kosovës janë bërë qindra raportime, janë ngritur dyshime të shumta e janë arrestuar edhe njerëz. Por, dyshimi se çfarë mishi hanë kosovaret vazhdon të jetë temë diskutimi ende. Madje ditë më parë dolën dëshmi se qytetareve të Kosovës u servohet dhe mish i kalit si suxhuk.

E, përkundër kësaj mish me sasi të madhe po vazhdon të futet në Kosovë. Me cilësi të dyshimtë po vlerësohet edhe buka e mielli që konsumojnë qytetarët e Kosovës.

Vlerësohet se furrat po manipulojnë me aditivët dhe higjienën e bukës. Zyra Kombëtare e Auditimit ka bërë një raport dhe hetim për këto produkte, për të cilat edhe ka ngritur dyshime të mëdha.

“Siguria e Ushqimit, rast studimi: Produktet e mishit dhe të grurit”, kështu quhet raporti që ka nxjerrë në pah cilësinë e dy produkteve që konsumohen më së shumti nga qytetarët e Kosovës.

Zyra Kombëtare e Auditimit e Republikës së Kosovës ka bërë një hetim dhe hulumtim gjatë vitit 2019 për mishin dhe grurin që hynë në Kosovë dhe që konsumohet nga qytetarët.

ZKA në këtë raport ka nxjerr konkluzione se këto dy produkte nuk kontrollohen mirë gjatë importimit por edhe gjatë shitjes.

“AUV-ja ka rol kyç për të ofruar siguri në ushqim dhe për këtë ka hartuar rregullore, Procedura Standarde të Operimit dhe lista kontrolluese. Megjithatë, ka ende mangësi pasi procedurat e vendosura nuk mbulojnë tërë procesin e sigurisë ushqimore. Po ashtu, edhe procedurat e vendosura nuk janë zbatuar mjaftueshëm për të dhënë siguri se ushqimi në treg është I kontrolluar mjaftueshëm dhe ka siguri për konsumatorin”, thuhet në raport.

Aty tutje bëhët e ditur se një gjendje më e mirë në aspektin e procedurave qëndron në sektorin veterinar, por jo edhe sektorin sanitar dhe fitosanitar. Listat kontrolluese nuk adresojnë plotësisht kërkesat e Ligjit për Ushqim dhe Parimet e HACCP-së.

“Edhe pse AUV-ja kryen numër të madh të kontrolleve në baza vjetore, nuk ka regjistër të plotë për kompanitë në sektorin e ushqimit dhe kjo paraqet mangësi për AUV-në për mbulimin e tërë tregu e cila mund të rritë rrezikun në ushqim”.

Auditori ka treguar se DShP-ja nuk ka arritur të hartojë plane për të gjithë sektorët, duke e mundësuar sektorit fitosanitar të bëjë vetë plane dhe njëkohësisht të ekzekutojë ato duke krijuar konflikt në mundësinë e planeve sipas vlerësimit të rrezikut.

“Përderisa te furrat planet për dy vjetët e audituara janë të orientuara në periudha specifika pa ndonjë analizë të rrezikut duke krijuar mundësinë te furrat që në periudhat të tjera të manipulojnë me aditivët dhe higjienën e bukës”.

Në këtë raport thuhet se kontrollet nuk janë efektive pasi që listat kontrolluese kanë mungesë të informacioneve dhe kështu rëndësia e tyre është e ulët duke përfunduar pa ndonjë vlerë.

“Për më tepër, këto lista kontrolluese as nuk dorëzohen në DShP nga Drejtoria e Inspektoratit dhe kështu kategorizimi i kompanive dhe kontrolli tyre nuk është i bërë në pajtim me gjendjen reale të tyre. Tërë këtë proces e ka vështirësuar edhe mungesa e një aplikacioni elektronik ku zyrat regjionale të AUV-së do të shkarkonin të gjitha të dhënat për kompanitë dhe DShP-ja do të mund t’i përdorte gjatë hartimit të planeve vjetor duke bërë kategorizimin e kompanive”.

Autitori tregon se pjesë e diagramit janë ushqimet më të konsumueshme në vend.

“Për shembull, për të mbuluar konsumin e mishit, Kosova importon rreth 40,000 ton/vit apo mbi 80% e konsumit të përgjithshëm, përderisa rreth 20% mbulohet nga prodhimi vendor. Po ashtu, edhe grurë për vitin 2018 janë importuar 101,980 ton apo rreth 95% e nevojave vendore. Këto të dhëna tregojnë se rëndësia e kontrollit të sigurisë për produktet e importuara është mjaft e lartë”.