Bota

Austria ashpërson në mënyrë drastike ligjin mbi azilin

Ligji i ri parasheh që në rast të ndonjë vale të madhe të refugjatëve, mund të shpallet edhe gjendje e jashtëzakonshme në vend

Austria ka ashpërsuar në mënyrë drastike politikën e saj të azilit. Ajo ka miratuar sot një ligj të azilit që konsiderohet më i ashpri në mesin e shteteve të Bashkimit Evropian. Ligji i ri parasheh që në rast të ndonjë vale të madhe të refugjatëve, mund të shpallet edhe gjendje e jashtëzakonshme në vend, shkruajnë mediat austriake, transmeton albinfo.ch.

Në raste të tilla, kur konsiderohet se siguria e vendit është në rrezik, azili mund t`u pranohet vetëm kategorive të caktuara si nënave me fëmijë dhe personave që në Austri kanë pjesëtarë të familjes së ngushtë. Të gjithë të tjerët, në situata të tilla do të kthehen me forcë në vendet fqinje. Një gjendje e tillë e jashtëzakonshme fillimisht caktohet për gjashtë muaj por ndërkohë ajo mund të zgjatet deri në dy vjet, përcjell albinfo.ch. Një rregullim të tillë azili aktualisht ka vetëm edhe Hungaria

Parlamenti i Austrisë e ka miratuar këtë ligj të kontestuar me shumicë dërmuese të votave. Partitë e majta, liberalët, të gjelbrit si dhe kishat e grupet që mbrojnë të drejtat e njeriut e kanë kritikuar ashpër këtë ligj.