Zhvillim

Banesat bosh, çmimet e larta

Prishtina vazhdon me çmime të larta të apartamenteve, shumica prej tyre mbeten bosh. Shumica e ndërtuesve dhe blerësve tani janë orientuar kah Fushë-Kosova

Ndërtimet e shumta që kanë kapluar lagjet periferike të Prishtinës, i kanë dhënë kryeqytetit kosovar një pamje metropolitane, të një qyteti “milionë-banorësh”. Por, ky fakt po del të jetë vetëm një mashtrim optik, sepse një pjesë e madhe e ndërtesave kolektive në këto lagje janë boshe.

Pse janë të tilla ka dy arsye, thonë zyrtarë të komunës së Prishtinës. Sipas tyre, pjesa më e madhe e apartamenteve janë të pabanuara për shkak se ato janë ende pa shitur, por edhe një pjesë e konsiderueshme prej tyre janë blerë nga bashkatdhetarët tanë të cilët jetojnë nëpër vende të ndryshme të Evropës Perëndimore, dhe të njëjtat i shfrytëzojnë vetëm gjatë pushimeve.

Pjesët më të urbanizuara të Prishtinës në 15 vitet e fundit, Lagjja e Spitalit, “Mati 1”, “Kalabria” etj, janë bërë së fundi lagje joshëse për banim, por çmimi për metër katror i apartamenteve në këto lagje, vazhdon të jetë i lartë për standardin kosovar.

Çmimi i banesave, ndërkaq, varet sipas kontratës së shitblerjes. Nëse blerja bëhet në kohën e fillimit të ndërtimit të objektit, atëherë blerësi potencial në lagjen “Kalabria” (ish-lagjja “Emshir”) mund ta kontraktojë një banesë (e cila do t’i bëhej gati për banim brenda dy vjetëve), me çmim prej 650 deri në 750 euro për metër katror.

Por, nëse një blerës kërkon apartament të gatshëm për banim në këtë lagje atëherë atë nuk do të mund ta marrë nën çmimin prej 850 euro metri katror. Pothuajse e njëjta situatë është edhe me dy lagjet e sipërshënuara: Lagjja e Spitalit dhe “Mati 1”.

[poll id=”5″]

Duke pritur uljen e çmimeve

Hajrush Kurtaj që punon si ekspert për çështje të ambientin në një organizatë holandeze në Prishtinë, ka katër muaj qëkur ka kontraktuar një banesë me çmimin prej 680 euro. Ai pret që në muajin qershor të vitit të ardhshëm ta ketë të gatshëm apartamentin për banim.

“Kam pritur gati dhjetë vjet për të blerë një banesë në Prishtinë me shpresën se me kalimin e kohës do të bie çmimi i banesave dhe do të kemi kushte më të volitshme për kredi, por kjo nuk ndodhi dhe kam qenë i shtrënguar që ta blejë banesën me këso kushte, të cilkat mua ma vështirësojnë jetën”, ka thënë Kurtaj për “Albinfo.Ch”.

Pasi në Prishtinë, komuna e drejtuar nga Shpend Ahmeti ua ka prerë rrugën e ndërtimtarëve pa plan urbanistik, shumë ndërtues janë orientuar kah Fushë- Kosova. E orientimi i ndërtuesve ua ka kthyer rrugën edhe blerësve, të cilët ia kanë mësyrë kësaj  qyteze që është vetëm 6 kilometra nga qendra e Prishtinës.

Dikur një qytezë në periferi të Prishtinës, një zonë industriale, Fushë Kosova sot është bërë pothuajse lagje e Prishtinës, ndërkaq statistikat thënë se është zona më e mbingarkuar me banorë në Kosovë.

Sipas të dhënave të komunës, Fushë-Kosova sot është një nga komunat më dinamike e cila po përjeton ndryshime të mëdha urbanistike, ndërkaq demografia e kësaj komune ka ndryshuar në dekadat e fundit.

Blerësit dhe ndërtuesit orientohen kah Fushë-Kosova

Ndërtimtarët kosovarë kanë vërshuar me ndërtimet, sidomos në krahun perëndimor, duke i dhënë zonës një pamje të një qyteti krejt të ri.

Popullsia që ka vërshuar zonën janë kryesisht qytetarë të shpërngulur nga viset shqiptare të Kosovës Lindore: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, por nuk përjashtohen edhe banorë nga zona të tjera të Kosovës. Një lagje e kësaj zone, ndërkaq, e ka marrë emrin“Molla e kuqe”.

Po ashtu edhe banorë të shumtë të Prishtinës kanë zgjedhur që të zhvendosen për banim në Fushë Kosovë, për shkak se çmimeve të ulëta të apartamenteve që atje mund të gjejnë.

Hamdi Bylykbashi, pensionist, në vitin 2010 kishte shitur banesën e tij prej 85 metrash katror në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës dhe me po ato para kishte blerë dy apartamente me nga 62 metra katror në Fushë Kosovë, duke ua zgjidhur çështjen e banimit dy djemve të tij.

“Në vitin 2010 një fqinj i imi më ofroi 1000 euro për metër katror. Me ato para gjeta një kompani ndërtimi në Fushë Kosovë që më ofroi dy apartamente më të vogla”, thotë Bylykbashi, i cili shton se infrastruktura dhe kushtet e banimit janë shumë më të mira në Fushë-Kosovës se sa në ndonjë lagje të qendrës së Prishtinës.

Asllan Kolgeci nga Vraniqi i Suharekës, me punë të përhershme në Prishtinë, kishte kaluar disa vite duke jetuar me qira bashkë me gruan dhe vajzën, nëpër shumë lagje të Prishtinës. Meqenëse ai kishte një punë të përhershme në Prishtinë në vitin 2013 kishte vendosur ta blente një apartament prej 55 metrash katror në Fushë Kosovë.

“Ka qenë çmimi i volitshëm arsyeja pse e bleva banesën në Fushë Kosovës. Përderisa në lagjet e Prishtinës çmimi i banesave sillej deri në 1000 eurosh në Fushë Kosovë e gjeta me 450 euro”, tha Kolgeci.

Sipas të dhënave që për Albinfo.Ch ka dhënë agjencia për patundshmëri “Zogu” nga Prishtina, çmimi i banesave edhe në Fushë-Kosovë varet nga kompanitë dhe kushtet e kontratës. Sidoqoftë në këtë agjenci blerësi petencial do të mund të gjej apartamente me çmim prej 450 deri në 600 euro për metër katror.