Integrimi

Barbara Burri: Si u bëra “nuse e Kosovës”

Shqiptarët janë njerëz shumë miqësorë dhe të hapur ndaj të huajve, prandaj integrimi i saj në Kosovë ka qenë shumë më i thjeshtë se i bashkëshortit të saj në Zvicër, thotë Barbara Burri-Sharani

 

  

Barbara Burri – Sharani është që prej 22 vitesh “nuse e Kosovës”. Në vitin 1993 ajo është martuar me Genc Sharanin, ndërsa së bashku kanë edhe një vajzë me emrin Jona. Që nga martesa ajo mban dy mbiemra Burri – Sharani. Nusja kosovare është njohëse e mirë e kulturës, traditës dhe vlerave tona. Në intervistën e dhënë për “albinfo.ch”, psikologia Burri tregon për jetën e saj në mes dy kulturave dhe integrimin e saj në Kosovë. Ajo thotë se shqiptarët janë njerëz shumë miqësore dhe të hapur ndaj të huajve, dhe se integrimi i saj në Kosovë ka qenë shumë më i thjeshtë se i bashkëshortit të saj në Zvicër.

Zonja Burri, ju jeni e martuar me një shqiptar. A mund të na flisni pak për fillimet e lidhjes suaj. Si u njohët?

Bashkëshortin tim, Gencin, e kam takuar në vitin 1991, kur ai si refugjat kishte ardhur në Zvicër ndërsa unë punoja në një qendër të azilkërkuesve. Ne aty jemi njohur dhe kemi gjetur simpatinë për njëri tjetrin. Për mua ishte mirë, që unë të mund ta vështroja gjatë tërë ditës në atë shtëpi azili, dhe kjo mund të më jepte një përshtypje të mirë për të. Pasi që Genci është larguar nga kampi i refugjatëve, ne jemi bërë bashkë. Pas një gjysmë viti ne kemi filluar të bashkëjetojmë dhe pas 13 muajsh jemi martuar.

Kur kuptuat në atë kohë se Genci, bashkëshorti i juaj është shqiptar, çfarë mendimi kishit?

Përmes punës sime isha mësuar që njerëzit t`i shikoja si individë dhe jo vetëm si anëtarë kolektiv të grupacionit të një etnie. Dhe ky person mua më ka pëlqyer. Atëherë, shqiptarët e Kosovës nuk e kishin ende reputacionin negativ që po i ndjek deri më sot. Në atë kohë, kosovarët vetëm sa ishin shfaqur si një grup i ri etnik. Përpara në Zvicër janë njohur vetëm si Jugosllavë.

Më pas i treguat edhe familjes. A kishin prindërit tuaj diçka kundër kësaj lidhje apo dikush nga rrethi e shoqëria juaj?

Familja ime ka qenë gjithmonë e interesuar për kulturat e tjera. Unë jam rritur me mendimin se “ekzotika” nuk është kërcënim por diçka interesante. Për këtë arsye, Genci është mirëpritur nga familja ime. Në rrethin tim kishte paragjykime më shumë për shkak se Genci ishte i besimit mysliman. Më pyesnin nëse unë tash do të heqja dorë nga studimet e mia apo më duhej të vendosja shami në kokë. Kjo gjë më ka mërzitur shumë, sepse unë gjithmonë e kam parë veten si një femër të pavarur dhe të emancipuar, dhe tani gjithçka vihej në pikëpyetje nga shkaku i martesës më Gencin.

Lidhja juaj funksionoi dhe ju vendosët edhe për martesë. Sa kohë qëndruat në lidhje?

Ne jemi martuar 13 muaj pasi kemi filluar të jetojmë së bashku. Ne shpresonin se me këtë, statusi i Gencit në Zvicër do të përmirësohet dhe lidhja jonë të ketë një shans të fortë. Dhe në fakt ashtu ishte. Mirëpo sot ne pyesim veten nganjëherë si në të qeshur, a do ta kishin menduar të tjerët, që martesa jonë qëndron mbi 22 vjet. Të jemi të sinqertë, ne të dy jemi të befasuar pozitivisht që kjo është kështu.

Kur u bë martesa me ceremoninë dasmore dhe si e kujtoni atë ditë?

Ne jemi martuar në janar të vitit 1993 në komunën e Cyrihut. Ishin vetëm disa të afërm të mi dhe dëshmitarët e kurorëzimit tonë aty. Fatkeqësisht askush nga familja e Gencit. Pas ceremonisë, kolegët e mi të studimeve më kanë surprizuar duke me hedhur oriz. Në mbrëmje ne kemi organizuar një party me 70 mysafirë të ftuar nga 13 nacionalitete të ndryshme. Miqtë tanë kanë gatuar për ne Chili con Carne. Kishte edhe muzikë të ndryshme shqiptare dhe muzikë rok. Ishte një super party. Ndërsa në Kosovë nuk kemi mundur të bëjmë dasmë. Por jemi duke menduar që për 25 vjetorin e martesës sonë, e cila është edhe tri vite, “kësmet prej Zotit” do ta organizojmë një ceremoni të madhe të cilën do ta bëjmë në Prizren.

Sigurisht se ju keni vizituar edhe familjen e Gencit. Si “nuse e Kosovës” dhe e asaj shtëpie, a jeni munduar t`u përmbaheni traditave shqiptare dhe si ju ka pritur familja e Gencit?

Për shkak të situatës politike, për herë të parë në Kosovë kam qenë në vitin 1999 dhe menjëherë jam impresionuar nga vendi dhe njerëzit. Aq shumë u lidha me Kosovën, saqë unë kërkova një punë në një shoqatë zvicerane dhe e binda Gencin që të shpërngulemi për një vit në Kosovë. Nga familja e Gencit jam pritur shumë mirë. Nga një vit, si e kishim planifikuar, u bënë shtatë vjet e gjysmë deri sa në vitin 2007 u kthyem në Zvicër. Dhe tash ishim tre, pasi që gjatë kësaj kohe kishte lindur edhe vajza jonë, Jona.

Edhe juve ju është dashur te integroheni me jetën ne Kosovë. Ka qenë e vështirë kjo?

Në këto vite unë natyrisht se kam mësuar kulturën, gjuhën dhe vlerat e Kosovës. Gjithashtu shumë tradita gjatë kësaj kohë janë bërë të njohura për mua. Disa i kam kultivuar edhe vet, të tjerat jo. Që atëherë unë e kuptoj konceptin e një integrimi të suksesshëm, që ne në Zvicër e presim nga të huajt. Të respektohen traditat, kultura dhe ligjet e atij vendi, por jo të mohohet identiteti dhe origjina e tyre. Kështu gjatë kësaj kohe unë kam qenë një zvicerane-kosovare. Para së gjithash më duhet ta theksoj, se integrimi për mua në Kosovë ka qenë shumë më i thjeshtë se sa për burrin tim në Zvicër, dhe kjo është kryesisht për shkak të faktit se njerëzit në Kosovë më kanë pranuar më ngrohtësisht se sa zviceranët burrin tim. Madje edhe riintegrimi im në Zvicër më është dukur shumë më i vështirë se integrimi në Kosovë. Që atëherë unë mund të kuptoj se sa e vështirë është që të huajt të ndihen në Zvicër si në shtëpinë e tyre. Ndërkohë unë jetoj përsëri shumë me dëshirë këtu.

Ju keni ndërruar edhe mbiemrin dhe keni marrë mbiemrin e bashkëshortit, Sharani. E keni bërë këtë për të respektuar traditën shqiptare?

Unë i mbaj dy mbiemrat Burri – Sharani. Interesante është se më shumë si mbiemër shqiptar tingëllon mbiemri im zviceran, Burri se sa mbiemri Sharani, i bashkëshortit tim. Më pëlqen të mbaj mbiemrin e dyfishtë, sepse kombinohen të dy kulturat.

Çfarë ju ka pëlqyer më shumë te kultura dhe tradita shqiptare dhe çka jo?

Tek kultura shqiptare më pëlqen lidhja e bashkësisë familjare, dhe siç kam thënë edhe më parë, hapja ndaj të huajve. Kjo reflektohet edhe në mikpritje. Unë nuk njoh mikpritës më të mirë se sa shqiptarët. Ndërsa si femër e emancipuar, nganjëherë do të kisha bërë përpjekje për të ngritur pozitën e femrës në shoqëri. E shoh gjithashtu edhe në këtë rast procesin e tranzicionit dhe që pozita e gruas ngadalë është duke u përmirësuar.

Keni edhe fëmijë. Nga cili prind është orientuar më shumë fëmija juaj?

Vajza jonë Jona ka një ndjenjë të mprehtë drejtësie dhe gjithmonë përpiqet të na tregojë si Gencit ashtu edhe mua, se ajo neve na do njësoj. Në Kosovë shumë shpesh pyeten fëmijët se “kë e do më shumë? Nënën apo babin?” (Në të vërtet këtë pyetje nuk e pëlqej fare). Jona përgjigjet gjithmonë: “Të dy njësoj”. Dhe vërtet është ashtu, sepse kur vajza ishte e vogël, bashkëshorti im kujdesej për të gjatë ditës, ngase unë duhej të punoja.

Si e mendoni integrimin e shqiptarëve në Zvicër. Çfarë u sugjeroni atyre?

Komuniteti shqiptar në Zvicër që nga çlirimi i Kosovës është në një rrëmujë të madhe. Që nga koha kur situata e vendlindjes është zgjidhur, shqiptarët janë munduar që jetën e tyre ta koncentrojnë më shumë në Zvicër dhe kjo është e dukshme. Për më tepër gjenerata e tretë dhe së shpejti edhe e katërta këtu, përmes suksesit të shkollimit po kontribuojnë shumë për një imazh pozitiv në shoqëri. Unë pohoj se imazhi negativ i shqiptarëve në disa vite do të tretet në ajër.

“Kësmet prej Zotit” do ta festojmë 25 vjetorin

në Kosovë nuk kemi mundur të bëjmë dasmë. Por jemi duke menduar që për 25 vjetorin e martesës sonë, e cila është edhe tri vite, “kësmet prej Zotit” do ta organizojmë një ceremoni të madhe të cilën do ta bëjmë në Prizren.

Mbiemri im zviceran “Burri”, më shqiptar se “Sharani”

Unë i mbaj dy mbiemrat Burri – Sharani. Interesante është se më shumë si mbiemër shqiptar tingëllon mbiemri im zviceran, Burri se sa mbiemri Sharani, i bashkëshortit tim. Më pëlqen të mbaj mbiemrin e dyfishtë, sepse kombinohen të dy kulturat.