Storje Suksesi

“Baruti”, ose storja e bukur e tre të rinjve nga diaspora

Nga viti 2011 kompania “Baruti” ofron shërbime telefonike dhe të kontabilitetit për Zvicrën dhe Gjermaninë prej Kosovës.

Albinfo.ch ju sjell video-portretin e Drenusha Shalës dhe dy moshatarëve të saj që kanë shkruar një nga shembujt më të suksesshëm të historisë së investimeve të diasporës në Kosovë. “Baruti” ka punësuar 250 punëtorë në Kosovë dhe synon ta rrisë këtë numër, për pak kohë, në 800 të punësuar.

Drenusha Shala, partnerët e saj dhe “Baruti” ka disa vjet që janë bërë adresë e pashmangshme për ata që duan të afirmojnë investimet e shqiptarëve të brezit të dytë në vendlindjen e prindërve të tyre, në Kosovë. Drenusha me partnerët e saj e kanë krijuar dhe e udhëheqin këtë kompani. Fjala është për “Call Center Baruti” që në vitin 2011 është nisur me 7 punëtorë dhe që tashmë numëron afro 250 sish. Kjo rritje dhe afarizmi i suksesshëm i ndërmarrjes tregon se ajo ka arritur të kapë nervin e kohës, duke bërë biznes të levërdishëm dhe duke punësuar bashkatdhetarë të saj të rinj në Kosovë.

„Motivimi ka qenë i thjeshtë, ai ka qenë potenciali i madh që ka Kosova, gjuha, pagat e ulëta. Pagat më të ulëta në Evropë i ka Kosova. Po ashtu kemi vërejtur një mangësi në tregun gjermanofolës. Firmat zvicerane e kanë vështirë të gjejnë punëtorë që e bëjnë punën e një agjenti në ‘Call Center’ me dëshirë”, thotë Drenusha Shala.

Megjithatë, “nuk janë shumat e larta të parave, të cilat vijnë në rendin e parë, por fakti se me duart tona kemi krijuar shumë vende pune dhe po e zhvillojmë vendin tonë. Motiv ky që nuk krahasohet me asnjë vlerë monetare”, plotëson Drenusha tek flet për motivin që e ka shtyrë drejt kësaj aventure të guximshme.

Albinfo.ch vazhdon, pra, me prezantimin e gjashtë video-portreteve të para të realizuara me pjesëtarët e diasporës kosovare. Që tani e tutje do të zbuloni profilet e sipërmarrësve nga diaspora kosovare në Zvicër dhe gjetkë në Evropë, të cilët kanë nisur projekte inovuese dhe me vlerë në Kosovë.

Projekti “Storie suksesi” synon të prodhojë dymbëdhjetë video-portrete të emigrantëve ose ish-emigrantëve kosovarë, të cilët kanë ndërmarrë iniciativa të pazakonta në favor të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit të tyre të origjinës. Bëhet fjalë, pra, për kosovarët e diasporës që kanë përfituar nga arritjet e tyre në Zvicër apo në vende të tjera të Evropës për të nisur projekte origjinale ekonomike, shkencore, kulturore apo socio-politike në favor të Kosovës. Nëpërmjet këtyre portreteve ne mund të kuptojmë më konkretisht ndikimin që diaspora kosovare mund të ketë në prosperitetin e shtetit të Kosovës.

Kjo qasje pozitive e projektit “Storie suksesi” synon të influencojë vendimmarrësit në Kosovë dhe në rajon, në mënyrë që të jenë më të vetëdijshëm për potencialin që ka diaspora në modernizimin e vendit. Ky projekt gjithashtu synon të promovojë shembuj të suksesshëm, duke ngritur vetëdijen dhe duke nxitur anëtarët e tjerë të diasporës të ndërmarrin iniciativa të ngjashme, pasi që Kosova është e mbushur me mundësi për investime ekonomike.

“Storie suksesi” i përgjigjet një nevoje prioritare sa i përket përpjekjeve për të krijuar mekanizma të qëndrueshëm dhe institucionalë në transferimin e njohurive në Kosovë. Më konkretisht, transmetimi gjatë gjithë vitit të këtyre video-portreteve ka për qëllim të theksojë projektet që kanë efekte direkte ose indirekte në Kosovë.
Ky projekt është hartuar pas një reflektimi afatgjatë dhe është ndërtuar me një qasje moderne dhe dinamike. Ai është i pasuruar nga një shumëllojshmëri vendesh xhirimi në Kosovë, Zvicër dhe vende të tjera perëndimore. Intervistat e ndryshme janë kryer me bashkëbisedues dhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë. Gjithë kjo punë sjell një komponent të rëndësishëm informacioni në marrëdhëniet e diasporës me vendin e origjinës.

Cikli i dymbëdhjetë portreteve “Storie suksesi” është i mbështetur nga Zyra Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim në Kosovë (SDC-DEZA-DDC), nga Programi për Promovimin e Shoqërisë Demokratike (DSP) dhe projekti po zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI