Bota

Bashkimi Evropian të shkurtojë afatin për aplikime për vizë

Po ashtu, do të lëshohen edhe viza të shumëfishta të hyrjes, kryesisht për njerëzit që udhëtojnë rregullisht dhe konsiderohen të besueshëm, për një periudhë që do të rritet gradualisht nga 1 deri në 5 vjet

Komisioni Evropian ka propozuar reformimin e politikës së përbashkët të vizave me qëllim rritjen e turizmit, tregtisë dhe biznesit.

Përmes këtij reformimit vendet anëtare synojnë të përshtatin për arsye sigurie sfidat që lidhen me emigracionin dhe mundësitë e reja të ofruara nga zhvillimet teknologjike.

Në të njëjtën kohë BE-ja dëshiron të forcojë sigurinë dhe të zvogëlojë rreziqet e migrimit të parregullt. Industria e turizmit dhe e udhëtimeve përbën rreth 10% të PBB-së së BE-së. Kjo e fundit synon ta rrisë atë akoma më shumë, shkruan ‘Scan’.

Afati për miratimin e një vendimi për aplikimin për vizë do të reduktohet nga 15 deri në 10 ditë. Udhëtarët mund të dorëzojnë aplikimin deri në 6 muaj para udhëtimit të planifikuar, në vend të 3 muajve që ishte më parë. Ata gjithashtu mund të plotësojnë aplikimin në mënyrë elektronike, përcjell albinfo.ch.

Po ashtu, do të lëshohen edhe viza të shumëfishta të hyrjes, kryesisht për njerëzit që udhëtojnë rregullisht dhe konsiderohen të besueshëm, për një periudhë që do të rritet gradualisht nga 1 deri në 5 vjet. Ndërkohë, tarifat e vizave do të rriten nga 60 në 80 euro.

Për më tepër, për të lehtësuar udhëtimet afatshkurtra, shtetet anëtare do të lejohen të lëshojnë vetëm viza hyrëse drejtpërdrejt në kufijtë e jashtëm tokësorë dhe detar në kushte sezonale.

Këto viza do të jenë të vlefshme për qëndrime jo më shumë se 7 ditë, vetëm në shtetin anëtar lëshues. Në përgjithësi, viza afatshkurtër e lëshuar nga një shtet i zonës Shengen autorizon mbajtësin të udhëtojë në 26 shtete pjesë e Shengen për një periudhë maksimale prej 90 ditësh në një periudhë prej 180 ditësh.

Vetëm në vitin 2016, u lëshuan gati 14 milionë viza Shengen për këto qëndrime.