Keystone
Lajme
Bashkimi i komandantëve, “zbutja” e Vetëvendosjes dhe LDK-ja “e moderuar”
Në shumicën e artikujve, koalicioni në mes të PDK-së, AAK-së dhe Nisma-s identifikohet si “bashkimi i komandantëve të luftës”. Shprehet shqetësim për ngritje të toneve në mes të Kosovës dhe Serbisë
Shtypi në gjuhën gjermane po i kushton rëndësi të madhe zgjedhjeve të parakohshme që mbahen sot në Kosovë. Kështu, përveç informatave rutinore që i japin pothuaj të gjitha agjencitë e lajmeve për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, një numër gazetash dhe mediash elektronike, zgjedhjeve kosovare u kushtojnë artikuj më të gjerë të tipit analitik, të shkruar nga njohës të zhvillimeve në regjion, me informacione nga burimi i këtyre zhvillimeve.
Në shumicën e këtyre analizave lidhja e koalicionit në mes të PDK-së, AAK-së dhe Nisma-s identifikohet si “bashkimi i komandantëve të luftës” ose si “Koalicion i ish rebelëve”.
Kështu, gazeta zvicerane NZZ, analizës së korrespondentit të saj për Ballkan, me seli në Beograd, Andreas Ernst ia vë këtë titull: “Premtim për një fillim të ri në Kosovë: Koalicioni i komandantëve kundër `rfebelëve`”. Me këtë të fundit është menduar Lëvizja “Vetëvendosje” gjegjësisht kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti, transmeton albinfo.ch.
Programet e partive nuk kanë qenë kurrë përcaktuese për rezultatet e tyre zgjedhore
“Për herë të parë politika ekonomike e dominon fushatën zgjedhore të Kosovës. Por, ideve inovative u qëndrojnë përballë profiterët e mëdhenj dhe të vogël të status quo-s”, thuhet në hyrje të artikullit. Ndërsa në vazhdim sqarohet se në fakt programet politike kurrë nuk kanë qenë ato që kanë vendosur për rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë. Edhe ndarja klasike e spektrit politik në të majtë dhe të djathtë këtu është e pavlerë. Ajo që vlerësohet është njeriu në krye të partisë, prejardhja e tij, lidhjet e tij, rrjeti i varësisë dhe solidariteti. Akti i zgjedhjeve në këtë sistem është hapi i parë në një biznes këmbimi. Kjo logjikë e klientelizmit vazhdon të vlejë në Kosovë dhe në shtetet tjera të regjionit, shkruan gazeta, transmeton albinfo.ch.
Ndërsa në mesin e risive që sjellin zgjedhjet aktuale, si kryesorja këtu përmendet “partia nacionaliste e majtë” Vetëvendosje, e cila deri tash pothuajse nuk ka qenë në pozitë për të ndarë favore. Kjo parti, viteve të fundit ka rënë në sy me aksionet e saj spektakolare, ka hedhur gaz lotsjellës në parlament dhe nganjëherë ka rrëzuar xhipat e ndërkombëtarëve. Por ajo ka bërë edhe punën e rëndë politike duke agjituar në çdo skaj të vendit kundër pjesëtarëve të “elitës së korruptuar” dhe kundër patronëve të tyre ndërkombëtarë.
Kravata, si shenjë “evoluimi” e Albinit
“Normalizimi” i imazhit të kandidatit të VV-së për kryeministër, Albin Kurtit, gjegjësisht “vendimi” i tij për të mbajtur kravatë dhe veshur komplet rrobash nuk anashkalohet nga shumica e artikullshkruesve gjermanofonë që bëjnë fjalë për zgjedhjet e sotme. Dhe, ky “evoluim” shikohet si përpjekje për të hequr qafe imazhin e “tmerrit të qytetarëve”, që sipas tyre, e ka pasur deri tash Vetëvendosje me krerët e saj.
“Me flamuj dhe me himn inskenohet patriotizmi por, për herë të parë në tubimet e tyre zgjedhore bëhet fjalë edhe për ekonominë. Kjo parti demonstron me këtë se nuk është vetëm nacionaliste por edhe e majtë. Në qendër është pyetja se si mund të çlirohet vendi nga stagnimi ekonomik. Ndërsa kjo radhitje e re e prioriteteve gjen mbështetje te shumë zgjedhës, vëren autori. “Kur dihet shkalla e papunësisë dhe fakti se Kosova nuk eksporton të thuash asgjë dhe ka një deficit gjigant në tregtinë e jashtme ndërsa populli është i varur nga dërgesat e rregullta të diasporës.
Por, fakti se në fokus të planeve të VV është kthimi i AKP-së në një “Fond sovran”, pastaj vendosja e aseteve strategjike si Trepça, KEK-u dhe PTK nën një kulm shtetëror, rrezikon politikën e partive të etabluara. Ato do të reagojnë sepse sistemet e tyre klienteliste përbëhen nga profiterë të mëdhenj dhe të vegjël, që janë rezistues.
Ndërkaq, në krahasim me VV, programet ekonomike të partive tjera duken “të zaifta”, konstaton NZZ. Para së gjithash koalicioni i lidhur ad-hoc nga ish komandantët, me sloganin e tij “Fillim i ri” ngre lart receta të vjetra: ngritje pensionesh, vende tjera pune në shtet dhe heqje nga puna të zyrtarëve të korruptuar. Më me qejf se sa për ekonominë, koalicioni i komandantëve, i Veselit dhe Haradinajt flet për Serbinë e urryer dhe për BE-në jo të dashur.
Thaçi, “babai” i PDK-së, akuzon Brukselin për favorizimin që i bën Serbisë ndërsa Haradinaj thotë se Serbia për të vazhdon të jetë armike dhe ai nuk dëshiron të ketë të bëjë asgjë me të.
NZZ: Procesi i normalizimit me Serbinë, shumë më i pasigurt në rast të fitores së VV-së!
Por, duket se Brukselin nuk e shqetëson fort e gjithë kjo: fundja kanë qenë këta politikanë me të cilët në vitin 2013 ishte arritur Marrëveshja për Normalizim me Serbinë, përcjell albinfo.ch. Dhe ata do të jenë të detyruar të vazhdojnë qëndrimin konstruktiv ndaj perëndimit edhe për faktin se në muajt që vijnë, do të ngrihen akuzat e para të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, vëren autori.
Ndërkaq, sipas gazetës, dukshëm më i pasigurt vazhdimi i procesit të normalizimit do të ishte në rast të fitores së Vetëvendosjes. Kurti kërkon një rishikim të Marrëveshjes me Serbinë, legalitetin e të cilës kërkon ta shqyrtojë Komisioni i Venedikut pranë Këshillit të Evropës. Ndërsa sipas Kurtit, me Beogradin mund të negociohet vetëm mbi baza të barabarta, që do të thotë, pas njohjes së Kosovës nga Serbia, transmeton albinfo.ch. Dhe për faktin se tash për tash kjo gjë është e përjashtuar, ai propozon bashkëbisedimin me serbët e Kosovës lidhur me gjendjen e tyre.
Edhe gazeta austriake “Der Standard”, përmes specialistes së saj për Ballkanin, Adelheid Wölfl, flet për koalicionin e komandantëve. “Ish luftëtarët bëhen bashkë para zgjedhjeve” është titulli i analizës.
“Njeriu të cilin në Kosovë të gjithë e quajnë vetëm `Ramush` do të jetë me sa duket kryeministri i radhës i vendit me 1.8 milion banorë”, shkruan Der Standard”. Nuk është hera e parë që partia e tij me një numër relativisht të vogël të votave e jep kryeministrin, përkujton Wölfl duke iu referuar vitit 2005, kur Haradinaj qe detyruar të linte postin e kryeministrit për t`iu përgjigjur Hagës.
Bashkimi i tri partive të krahut të luftës, sipas gazetës, është bërë që të mund ta kontrollojnë vendin kur të fillojë Gjykata Speciale proceset e para, vjeshtën që vjen. Përfaqësues nga të tri partitë ka mundësi të jenë në mesin e të akuzuarve. Supozohet se ata do të mbrohen në mënyrë reciproke.
Sfidues i “bllokut zgjedhor të UÇK-së është koalicioni në mes LDK-së “së matur” dhe AKR-së, parti e biznesmenit Pacolli, përcjell albinfo.ch. Avdullah Hoti si ministër i pranuar i financave është kandidat nga ky koalicion për kryeministër dhe jo më shefi jokarizamtik i partisë, Isa Mustafa. Ekonomisti Hoti ka sjellë në ekip edhe disa njerëz të rinj.
ORF: PAN fiton 40%; LDK-AKR, 30% dhe VV, 20%
Ndërsa televizioni publik i Austrisë, ORF vjen me rezultatet e një sondazhi, autorësinë e të cilit nuk e zbulon. “Në sondazhet e fundit para zgjedhjeve, koalicioni PAN, me 40% është dukshëm para të tjerëve. Edhe lëvizja `ultranacionaliste VV` pritet të rritet dukshëm: nga rreth 13 % sa kishte në zgjedhjet e vitit 2014, ajo pritet të grumbullojë 20% në zgjedhjet e sotme. LDK do të fitojë rreth 30% të vendeve në kuvend, thuhet më tutje në shkrimin e publikuar nga ORF.at.
Gazeta gjermane “Tagesspiegel” e prezanton Haradinajn si “njeriun me shanset më të mira për t`u bërë kryeministër`, duke përkujtuar se kështu është, falë koalicionit të cilit ai i takon, atij të komandantëve, të udhëhequr nga partia më e madhe, PDK.
“PAN dhe VV bashkohen në synimet e tyre radikale”
“Koalicioni i forcave radikale rreth PDK-së përforcohet nga ana përmbajtjesore edhe nga Vetëvendosja. Ndonëse `udhëheqësit e ultranacionalistëve` siç i quan gazeta ata të VV-së, shpesh zihen me PDK-istët, në përgjithësi të dy palët përfaqësojnë synime të ngjashme, ekstreme, transmeton albinfo.ch gazetën gjermane. Autonomia e minoritetit serb, e arritur pas viteve të gjata të negociatave me ndërmjetësimin e BE-së do të hiqet nga rendi i ditës, kanë deklaruar përfaqësuesit e partive në fjalë. Dhe në përgjithësi, të katër partitë duan një qasje shumë më të ashpër kundrejt fqinjit të madh e të urryer, Serbisë, shkruan gazeta.
Të gjitha mediat e cituara shfaqin shqetësimin se këto zgjedhje po përçojnë sinjale të një ashpërsimi të ri të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
E-Diaspora
-
Kurti takoi mërgatën edhe në qytetin e Këlnit Pas takimeve të ditës së shtunës me diasporën në Mynih dhe Shtutgart, të dielën kryeministri i...
-
Kurti takoi bashkatdhetarë të shumtë në Shtutgart
-
Madrid: 12 veçarja shqiptare në prag të përfaqësimit të Shqipërisë
-
Kurti e Gërvalla takohen me mërgimtarët në Gjermani
-
Arti diplomatik i Shuk Oranit: Një iniciativë kulturore me strategji ndërkombëtare
Jeta në Zvicër
-
Gjysma e kantoneve zvicerane do të kenë deficit në vitin 2025 Qeveria federale tashmë ka njoftuar se do të jetë në të kuqe në 2025 në shumën...
-
Zvicra dhe SHBA bien dakord për shkëmbimin e kursantëve dhe profesionistëve të rinj
-
Municionet e ushtrisë janë gjetur në të paktën 26 liqene zvicerane
-
Numri i zviceranëve që jetojnë jashtë vendit, në rritje
-
Zvicër: Udhëtimi pa bileta, a do të bëhet realitet?