Lajme

Beograd: Zyrtari i lartë i SHBA-së takohet me Vuçiqin

Ndihmëssekretari O’Brien në Beograd, takim me Vuçiqin

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, po viziton Beogradin këtë të shtunë, ku edhe ka filluar takimi me liderët e Serbisë, presidentin Aleksandar Vuçiç dhe kryeparlamentaren Ana Bërnabiç, njoftoi Presidenca serbe, përcjell albinfo.ch.

Zyrtari i lartë amerikan së pari u takua me kryeparlamentaren dhe më pas me presidentin.

Ndërkohë gjatë një interviste të premten, presidenti serb e cilësoi takimin e ardhshëm me zyrtarin amerikan si një “bisedë të vështirë dhe të rëndësishme”.

Vizita e O’Brien në Serbi vjen në një kohë kur Beogradi zyrtar kritikoi Perëndimin pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, me gjithë përpjekjet e Serbisë për ta pamundësuar këtë dhe përkundër marrëveshjes së Ohrit, sipas së cilës, Serbia u zotua se nuk do ta pengonte anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare

Autoritetet kosovare e akuzuan Serbinë më 17 prill se i ndaloi mbi 1.400 kosovarë për më shumë se 20 orë në pikat kufitare të saj me Kroacinë dhe Hungarinë, të cilët po kalonin transit nëpër Serbi.

Serbia i mohoi akuzat, duke thënë se vonesat u shkaktuan nga masat shtesë të sigurisë në kufi, dhe se lëvizja e qytetarëve kosovarë “nuk është kufizuar”.

Qeveria e Kosovës këto veprime i cilësoi si hakmarrje e Serbisë ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Për këtë reaguan Departamenti amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Evropian, duke e kritikuar Serbinë për shkelje të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes dy vendeve.

 

Të premten, Vuciçi e cilësoi “hipokrite” reagimin e bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me ndalimin e qytetarëve të Kosovës në Serbi.

Vizita e tij vjen gjithashtu një ditë para zgjedhjeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, të cilat mund të bojkotohen nga popullata serbe atje.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, u ka bërë thirrje serbëve t’i bojkotojnë votimet e 21 prillit.

Ndërkohë, Serbia dhe Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë janë duke bërë fushatë kundër një draft-rezolute, e cila është duke u diskutuar në Kombet e Bashkuara për ta shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.

Vuçiç tha javën e kaluar se Serbia do të luftojë kundër miratimit të kësaj rezolute në OKB, e cila do t’i fajësonte serbët. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pritet ta votojë në fillim të majit këtë draft-rezolutë.