Kriza në Ukrainë

Biden premton miliarda të tjera ndihmë për Ukrainën

Që nga fillimi i agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, SHBA i kanë premtuar ose dorëzuar Kievit armë dhe pajisje me vlerë prej 4.6 miliardë dollarësh

Qeveria amerikane ka njoftuar shitjen e armëve prej 1 miliard dollarësh në Ukrainë. Presidenti amerikan, Joe Biden, njoftoi ndihmën e re të armatimit nga Uashingtoni pas një telefonate me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Përveç kësaj, Shtetet e Bashkuara po ofrojnë 225 milionë dollarë shtesë në ndihmë humanitare për Ukrainën, ka thënë Biden, transmeton albinfo.ch. SHBA qëndron fort përkrah Ukrainës në luftën e saj për liri.

Që nga fillimi i agresionit të Rusisë kundër Ukrainës në fund të shkurtit, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se i kanë premtuar ose dorëzuar Kievit armë dhe pajisje me vlerë prej 4.6 miliardë dollarësh. Me angazhimin e ri, totali rritet në 5.6 miliardë dollarë.

Armatimet përfshijnë armë të shumta të rënda, si p.sh. obus dhe raketa të shumta (këto të fundit janë të lidhura me angazhimin e Ukrainës për të mos i përdorur ato për të sulmuar objektivat në Rusi).

Në maj, Kongresi i SHBA-së hapi rrugën për më shumë miliarda ndihma për Ukrainën, pasi një paketë e mëparshme mbështetëse ishte pothuajse e konsumuar.