CH-Ballkani

Bie numri i azilkërkuesve shqiptarë

Rekordi u arrit në 2015-n, kur kishte rreth 69 mijë aplikime, për të zbritur në rreth 33 mijë në 2016-n, dhe 26 mijë në 2017-n

Janë rreth 19 mijë shqiptarë që kanë aplikuar për azil në një nga vendet e Bashkimit Evropian në vitin 2018, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.

Shqiptarët renditen në vend të nëntë për nga numri i azilkërkuesve në vlerë absolute, pas Sirisë, Afganistanit, Irakut, Pakistanit, Iranit, Nigerisë, Turqisë, Venezuelës. Në vend të parë në vlerë absolute, është Iraku, me rreth 81 mijë aplikime, shkruan ‘monitor’.

Në raport me vitet e kaluara numri i azilantëve shqiptarë ka rënë. Rekordi u arrit në 2015-n, kur kishte rreth 69 mijë aplikime, për të zbritur në rreth 33 mijë në 2016-n, dhe 26 mijë në 2017-n, përcjell albinfo.ch.

Por, në raport me popullsinë, shqiptarët vijojnë të duan të ikin më shumë se kushdo tjetër, edhe se vendet që janë në gjendje lufte.

“Monitor” ka përpunuar të dhënat për numrin e azilantëve shqiptarë për 1,000 banorë, ku rezulton se në vitin 2018, për çdo 1,000 banorë aplikuan 6.6 persona, duke u renditur të parët në botë për nga numri i aplikimeve për azilantë në raport me popullsinë.

Në vend të dytë janë gjeorgjianët, me 4.6 aplikime për 1000 banorë, të ndjekur nga sirianët, me 4.4 aplikime.

Në total, sipas Eurostat, në vitin 2018, 580 800 azilkërkues për herë të parë kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të Bashkimit Europian (BE), duke rënë me 11% krahasuar me 2017 (654 600) dhe më pak se gjysma e numrit të regjistruar në vitin e pikut 2015 kur janë regjistruar 125646 aplikantët për azil të parakohshëm. Numri i aplikuesve të azilit në vitin 2018 është i krahasueshëm me nivelin e regjistruar në 2014, para se ai të kapte majat në 2015 dhe 2016.