Lajme

Bora në Zvicër, pritet më shumë deri në fund të javës

Bora ka rënë në disa pjesë të Alpeve zvicerane, duke përfshirë zonat me shumicën e vendpushimeve të skive, si Valais dhe Graubüden, së bashku me pjesë të Zvicrës perëndimore, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell albinfo.ch.

“Ka reshje bore deri në 1500 metra”, sipas Roger Perret nga Meteonews. “Në luginat e ngushta malore të Graubünden, bora bie deri në 1200 metra”.

Kjo duket premtuese për të pasionuarit pas skive, pasi të enjten pritet të bjerë edhe më shumë borë në male. Gjithashtu, vija e borës do të bjerë në 1000 metra, e në disa vende edhe deri në 800 metra.

Deri në fund të javës, sipas Perret, në lartësitë më të larta mund të priten gjysmë metër borë. “Me ndihmën shtesë të topave të borës, pistat e para të skive mund të hapen në fundjavë”.