Opinione

Bunkerët e shqiptarëve dhe «Tobleron»-ët e Zvicrës

Në bunkerët e Zvicrës mund të futen format e ndryshme të patriotizmit, ashtu siç konsiderohen bunkerët si formë e patriotizmit në vetvete

Në kuadër të punës sime, në muajin maj të këtij viti, gjatë vizitës të fshatit Vich, në regjionin e la Cote të kantonit Vaud, gjatë bisedës me udhëheqësen e dikasterit të fshatit për çështje të shkollës, integrimit, etj., u njoftova, ndër të tjera, më shumë për barrierat kundër tankseve të vendosura gjatë Luftës së Dytë Botërore për t’u mbrojtur nga një sulm që mund të vinte nga kufiri i pjesës perëndimore të Zvicrës. Këto barriera kanë një shtrirje prej 17 km dhe forma e tyre ka bërë që çokollatat e njohura «Tobleron» të kenë formën e këtyre barrierave. Pasi u ndava nga takimi, vendosa të vizitoj një pjesë të këtyre barrierave që gjendeshin në këtë fshat, e që janë futur në trashëgiminë historike të vendit. Duke vizituar barrierat seç m’u kujtua vizita ime në fshatin Bitinckë të rrethit të Bilishtit, në prefekturën e Korçës. Vizitë e realizuar në muajin tetor të vitit 1994, me ndihmën e shokut tim tiranas, Dritan Rama, që më kishte ftuar në dasmën e dajës së tij. Sapo u futa në shtëpi, më ra në sy fotografia e Enver Hoxhës. Ky shikim imi kishte një domethënie për mua që, në fakt ishte si formë për të bindur vetën që jam në Shqipëri…

I zoti i shtëpisë, duke më parë që nuk i ndaja sytë nga fotografia, ashtu pa u prezentuar, më pyeti: mos po të pengon kjo fotografi e xha Enverit ?

Unë, pa pasur mundësi të mendoj, po në mënyrë shumë spontane ia ktheva:

–         Nuk më pengon se, në fakt, Enveri i Kosovës është i pastër si loti, se ne e kemi idealizuar, kurse ju këndej kufirit e keni jetuar…

Kjo përgjigje imja më duket se i pëlqeu të zotit të shtëpisë që gjatë gjithë mbrëmjes së dasmës biseduam për shqiptarët andej e këndej kufirit. Si ish-ushtarak njihte të gjitha fshatrat e brezit kufitar, sidomos të rrethit të Gjakovës, fshatra të cilat nuk ua kisha dëgjuar emrin kurrë…

Biseda për bunkerët ishte temë në vete.

Në bunkerët e Zvicrës mund të futen format e ndryshme të patriotizmit, ashtu siç konsiderohen bunkerët si formë e patriotizmit në vetvete.

Në bunkerët e shqiptarëve çfarë mund të fusim si formë të patriotizmit. Po qe se ndalehem në bunkerin si formë e rezistencës ushtarake kundër çdo pushtimi, nuk do të dija a do të kem legjitimitetin e duhur. Po para se të mundohem të fus disa forma të patriotizmit, i jap të drejtë vetes të them se gjithmonë më ka munduar fakti kur kam dëgjuar disa shqiptarë nga viset shqiptare në Jugosllavi kur vizitonin Shqipërinë që thoshin: çfarë duhen këta bunkerë ? Po të thoshin shqiptarët e Shqipërisë, ndoshta edhe do t’i kisha kuptuar, apo gazetarët, po të jesh i pushtar deri në kockë e të pyetësh për këtë formë të mbrojtjes klasike, është iluzion në vetvete që paraqet…

Të nesërmen e dasmës i zoti i shtëpisë më pyeti se çfarë kisha dëshirë të bëja dhe dëshira ime që të shoh fshatra të tjera i pëlqeu dhe ashtu, duke ecur, e pyeta për toponimet e ndryshme, e për befasinë time u njoftova për shumë toponime me kontonacion tipike sllave si: Polosk, Zvezd, Bozhograd e të tjera dhe kureshtja ime nuk ndalej, andaj doja ta dija pse nuk kishte inciativa për t’i larguar këto toponime. Isha në një pozitë të favorshme për të kritikuar se kisha gjetur elemente sllave … e tani kur shoh me çfarë kënaqësie shqiptojmë qytetet apo fshatrat e Kosovës që kanë toponime serbe, seç më bën të fus këtë fenomen në bunkerin e patriotizmit të shqiptarëve…

Njoftohem që në këto fshatra kalon edhe rruga për t’u larguar në Greqi në mënyrë ilegale. Unë me injorancën time të rinisë nuk kuptoja që varfëria të gjunëzon edhe para armikut … e tani kur shoh se sa shqiptarë të Kosovës janë pajisur me pasaporta serbe, më bën të konfirmoj thënien «fukarrallaku të çonë në derë të hasmit». Po çfarë mund të fus nga ky realitet për të renditur në bunkerin e patriotizmit të shqiptarëve…

Po referohem në shkrimin e marrë nga Buletini Antropologjik i Parisit të vitit 1887 (Coreses et Albanais të Hovelacque Abel), në faqe 170 autori thotë që shqiptarët nuk janë të lidhur me gjuhën, me vendin dhe me fetë e tyre. Sipas tij, shqiptarët mund të ndryshojnë nacionalitetin në vendet ku emigrojnë për t’i bindur vendësit që janë asimiluar, po në fakt autori thotë që shqiptarët u takojnë vetëm shqiptarëve. Pas 131 vjetësh i njëjti fjalor kundër shqiptarëve është përdorur këto ditë nga disa politikanë grekë që akuzuan këngtaren shqiptare, e paraqitur në Eurovizion që ka mashtruar shtetin grek që me vite të tëra është paraqitur si greke.

E Greqia vazhdon të mbajë ligjin e luftës ndaj Shqipërisë të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore, ligj që i jep të drejtën Greqisë ta sulmojë Shqipërinë edhe ushtarakisht ashtu siç ka pretenduar në vitin 1997, po në fakt nuk lejohen shqiptarët t’i vizitojnë tokat çame…

Kjo rezistencë kundër asimilimit qëndron në listën për ta futur në bunkerin e patriotizmit shqiptar.

Vazhdoj rrugën në barrierat kundër tankseve të vendosura në Zvicër dhe çka mund të fus në patrotizëm në bunkerët zvicranë është fakti që shtetasit zviceranë nuk njohin politikanët e tyre, po bëjn politikë shtetformuese ashtu siç paraqitet Kushtetuta e Zvicrës, ku emri komb mungon, kurse vlerat për shtetformim janë mirë të mbrojtura nga qytetarët.

Barrierat kundër tankseve në Zvicër mbrojnë natyrën, shtratin e lumenjve dhe shërbejnë si fole për shumë zogj e inskekte. Kjo mundësi u është dhënë se patriotizmi i zvicranëve shihet në mbrojtjen e tokës, kurse te patriotizmi i shqiptarëve, përveç debateve politike që zgjasin shumë vjet për mbrojtje kinse të tokës e detit, në fakt toka e deti shqiptar tani për tani paraqesin formën më të mirë për të ilustruar mungesën e patriotizmit…

Marr rrugën për t’u kthyer për Lozanë dhe nën tingujt e këngës «Mora rrugën për Janinë» seç ndjeva mallë për tokën time… për njerëzit e mi…