Lajme

Çfarë do të ndodhë me emigrantët shqiptarë pas Brexit-it

Avokati shqiptar në Britani flet për daljen e Britanisë nga BE-ja dhe emigrantët shqiptarë

Avokati shqiptar i Gjykatës Supreme në Britaninë e Madhe, Naim Hasani, ka folur rreth situatës së emigrantëve shqiptarë, pas daljes së Anglisë nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, të gjithë qytetarët e BE-së, përfshirë dhe ata me origjinë shqiptare që kanë mbërritur dhe mbërrijnë në Britani para dhe gjatë periudhës tranzitore, e cila është parashikuar të mbarojë më 31 dhjetor 2020, do të gëzojnë të njëjtat të drejta për sa i përket lëvizjes së lirë nga BE-ja drejt Britanisë, transmeton albinfo.ch.

Nga 1 shkurti i 2020-ës Britania e Madhe nuk do të jetë më pjesë e Bashkimit Europian, por do të hyjë në një fazë tranzitore, e cila do të zgjasë deri në fund të këtij viti.

Por çfarë do të ndodhë me shqiptarët që jetojnë apo janë në proces migrimi drejt këtij shteti, ai në një intervistë tregoi se ligjet për emigrant do të mbesin të njëjta.

Sipas avokatit, pavarësisht daljes zyrtare nga BE-ja, Britania do të jetë pjesë e bashkimit doganor të BE-së dhe tregut të përbashkët europian dhe do të jetë e detyruar të zbatojë Rregullat e BE-së e do të jete akoma subjekt i ligjit europian dhe juridiksionit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë.

Ndërkohë ende nuk është bërë asnjë informacion publik lidhur me procedurat dhe rregullat e reja që do të vendosen në Britaninë e Madhe pas përfundimit të periudhës tranzitore në fund të këtij viti. Hasani bën me dije se kjo periudhë tranzitore është për të lejuar kohën dhe kushtet e nevojshme për bizneset dhe qeverinë për t’u ambientuar dhe përqafuar ndryshimet e ardhshme që do të negociohen me BE-në. /Albinfo.ch.