Opinione

Çfarë presin shqiptarët e kantonit Vaud nga zgjedhjet politike në Kosovë

Që të jem pak më i arsyeshëm, nuk jam zgjeruar shumë me pyetjen: çka fitojnë shqiptarët e Perëndimit me zgjedhjet politike në Kosovë ? Sepse përgjigjja ime do të mirrte përmasa shumë teorike, duke i ikur një realiteti që nuk e njoh, një realitet që shtrihet në disa shtete të Perëndimit, ku jeton e punon komuniteti shqiptar.

Kantoni Vaud përkon me realitetin tim personal, ku jetoj e punoj me vite të tëra, prandaj pretendoj se e njoh këtë realitet.

Përvoja ime personale dhe profesionale më jep mundësinë të përgjigjem edhe në disa pyetje që tejkalojnë analizat e shumë politikanëve dhe analistëve të Kosovës!

Kam shumë kërkesa që të bëhem anëtar i grupeve politike të degëve të partive shqiptare në kantonin Vaud, e çudia më e madhe është se këto kërkesa i marr nga personat që kurrë nuk kanë bërë a nuk janë angazhuar për ndonjë aktivitet të komunitetit shqiptar në kantonin Vaud. Shtrohet pyetja: si është e mundur që këta persona që nuk kanë pasur e nuk kanë kohë për aktivitete të komunitetit shqiptar, tani të gjejnë kohë të mobilizohen për parti politike të Kosovës?

Përgjigjen filloj ta jap duke marrë parasysh funksionimin e partive politike, të cilat pothuajse të gjitha bazohen në katër shtylla kryesore: e para shtyllë e partive ka të bëjë me statusin e partive, që do të thotë çdo parti duhet të ketë statusin e vet juridik. Shtylla e dytë e funksionimit të partive politike bazohen në vlerat që partitë shqiptare të Kosovës shohim shpesh që lakohen sipas ideve të Facebukut, e jo të ndonjë vlere të bazuar në koncept të shkruar e të shtjelluar qartë nga anëtarët e partive politike. Veç fakti që kemi aleanca të ndryshme të partive që pretendojnë të jenë të majta e të djathta, tregon që shtylla e dytë e partive politike në Kosovë nuk është e definuar e as e qartësuar mirë.

Shtylla e tretë e funksionimit të partive ka të bëjë me produktivitetin e partive që nënkupton rritjen e anëtarësisë. Kurse shtylla e katërt e funsionimit të partive politike ka të bëjë me personin që udhëheq partinë.

Pra, partitë e Kosovës kanë interes të shtohet numri i anëtarësisë këtu në kantonin Vaud. Shtimi i anëtarësisë në vetvete nënkupton krijimin e degëve të partive politike të Kosovës në territorin e kantonit Vaud dhe kjo vetvetiu prodhon një polarizim të komunitetit. Duke u bazuar nga aktivitetet e realizuara para luftës, gjatë luftës dhe pas luftës, komuniteti shqiptar në kantonin Vaud ka arritur të mobilizohet për të mbrojtur çështjet kombëtare në trojet shqiptare. Komuniteti i kantonit Vaud ka vite që është duke u mobilizuar në disa fusha, që kanë të bëjnë me integrimin e tij në shoqërinë lokale. Organizimi i komunitetit në kantonin Vaud është fuqizim dhe promovim i kulturës shqiptare. Fuqizimi i shkollës shqipe në kantonin Vaud është prioritet. Sa më shumë që integrohet komuniteti shqiptar në shoqërinë lokale të kantonit Vaud, do të jetë një zë më i fortë jo vetëm për komunitetin shqiptar në kantonin e Vaud-it, por edhe në Kosovë. Integrimi i komunitetit shqiptar në struktura shoqërore, kulturore, ekonomike etj., ndikon në forcimin e identitetit shqiptar, dhe jo e kundërta!

Qasja e komunitetit për zgjedhje është qasje jo vetëm emocionale, por dëshirë që ta shohë Kosovën të radhitur në shtetet e zhvilluara perëndimore. Pikë referimi për Kosovën janë vlerat demokratike perëndimore, ku komuniteti ynë arriti jo vetëm të krijojë bazë të fortë ekonomike për familjen, por edhe për krijimin e shtetit të Kosovës. Angazhimi i anëtarëve të komunitetit shqiptar në luftë për çlirimin e Kosovës ishte masiv, e kjo nuk ishte e rastësishme, se po në këto shtete perëndimore u shijua liria dhe u kuptua domethënia e të qenit pjesëtar i një shoqërie demokratike të bazuar në vlera demokratike.

Forcimi i Kosovës ndikon që të bëhet joshëse për popullsinë e vet. Forcimi i shtetësisë së Kosovës, do ta bënte më pak joshëse për Serbinë.  Një Kosovë e një Shqipëri e fortë, do të kishin reflektim të drejtpërdrejtë së pari për popullsinë e vet dhe një reflektim pozitiv në diasporën shqiptare. Forcimi i shtetësisë të shteteve shqiptare, do të kontribuonte në forcimin e diasporës.

Diaspora shqiptare ka nevojë që emri i saj të mos figurojë vetëm si numër kur kemi të bëjmë me dërgesa parash, apo të numrit të udhëtarëve në aeroporte të Kosovës e Shqipërisë. Diaspora ka nevojë për shtete të forta shqiptare që të jenë model i të mirës.

Komuniteti shqiptar në kantonin Vaud është i përbërë nga gjenerata të ndryshme. Tani jemi duke folur edhe për gjeneratën e katërt  të komunitetit shqiptar në kantonin Vaud. Komuniteti shqiptar i kantonit Vaud, i cili nuk është shumë i pranishëm, për të mos thënë fare i pranishëm në zgjedhjet lokale në komuna të ndryshme të kantonit, do të ishte befasi për mua të shoh të mobilizohet në votime në Kosovë. Gjenerata e parë e komunitetit shqiptar në kantonin Vaud, tani në pension, pothuajse nuk ka votuar kurrë as në Kosovë e as në Zvicër. Në Kosovë nuk ka pasur të drejtë apo ka pasur të drejtë të votojë për pjesëtarë që nuk kanë përfaqësuar interesat shqiptare, kurse në Zvicër nuk kanë pasur të drejtë për shkak të statusit dhe të mosekzistimit të ligjit të të huajve që i kanë dhënë qasje në zgjedhje lokale. Gjeneratat e reja, sikur në shumë shtete perëndimore, janë shumë pasivë në jetën politike.

Popullsia e Kosovës ka nevojë për një klasë politike shqiptare që do të tregonte veten me punë e me rezultate edhe më të mëdha në forcim të shoqërisë demokratike dhe të shtetit të Kosovës. Për momentin, jemi dëshmitarë i përçarjeve të mëdha në klasat politike shqiptare dhe jostabilitet në shoqëri. E për këtë frymë të përçarjes më së paku ka nevojë komuniteti shqiptar i kantonit Vaud.

Komuniteti shqiptar i Vaudit ka nevojë për një forcim të rolit të tij në të gjitha sferat e jetës në kanton. Krijimi i vazhdueshëm i shoqatave në nivel lokal, themelimi i Federatës të shoqatave shqiptare do të ishte promovim i vazhdueshëm i kulturës shqiptare. Forcim dhe përkrahje të institucioneve shqiptare të themeluara në kantonin Vaud që janë model për shumë komunitete të tjera që jetojnë në Zvicër.

Shpresoj që zgjedhjet politike në Kosovë të mos jenë vetëm zgjedhje politike, po së pari të kontribuojnë në zgjidhjen e shumë problemeve në Kosovë, e zgjidhja e këtyre problemeve është dëshirë e komunitetit shqiptar në kantonin Vaud që nuk dihet në do të marrë apo nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje politike!

Migjen Kajtazi