Futboll

Challandes shpreson në kualifikimin e Kosovës 

Yjet e futbollit anglez, si Harry Kane, Dele Alli e Raheem Sterling, do të zbarkojnë në stadiumin “Fadil Vokrri” vitin e ardhshëm për kualifikueset e Evropianit 2020.

Grup interesant, por të vështirë e kanë cilësuar kryetari Agim Ademi e përzgjedhësi Bernard Challandes.

“Nuk është grup i lehtë, por ne jemi Kosova. Nuk mund të themi se është një grup i lehtë, por nuk është i pamundur. Anglia është skuadër shumë e fortë, këtë e dimë. Por, me skuadrat e tjera është e mundur. Unë kam besim në ekipin tim”, ka thënë trajneri zviceran.

Ndërsa kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka deklaruar se i beson ekipit të Kosovës.

“Besoj në cilësitë dhe përkushtimin e tyre, në punën e trajnerëve dhe gjithë organizimin tonë që do të bëhet. Mendoj se do t’ia dalim këtij grupi, edhe pse asnjë ndeshje nuk është e lehtë. Por Kosova është në trendin e fitoreve, në trendin e rritjes dhe ngritjes së saj dhe faktikisht unë e shoh si grup, i cili neve na konvenon. Në këtë grup e shoh kualifikimin, sepse duke u bazuar në formën dhe kualitetin e grupit të futbollistëve, mendoj dhe besoj se do të jemi të kualifikuar nga ky grup”, ka thënë ai.