Kosova

Çka me vizitu në vendlindje?

Jemi në sezonin e pushimeve verore dhe patjetër për diasporën shqiptare, përveç ardhjes në gjirin familjar, shprehet edhe dëshira dhe kureshtja se çka të vizitojnë në vendlindje?

Kosova ka mundësi të mira për të zhvilluar turizmin. Bukuritë e saj natyrore dhe trashëgimia e pasur kulturore janë dy shtyllat kryesore që mund t’ju ofrojnë kënaqësi me pamjet e tyre.

Me motivet që ka Kosova, ofron mundësi të mira për turizëm, pasi që pozita e saj e mirë bën që të jetë tërheqëse, me shumë vende interesante të ndërtuara nga vetë natyra dhe ato nga dora e njeriut.

Kosova është e pasur me komplekse të bukura malore, atraktive dhe me natyrën e saj magjepsëse për syrin e njeriut. Gjithashtu paraqet një thesar të pasur të trashëgimisë kulturore, materiale e shpirtërore të periudhave të ndryshme historike.

Arkitektura e kullave tradicionale, manastireve, xhamive, më pas dizajni i odave dhe artizanateve të shumta bëjnë që veçoritë dhe karakteristikat e tyre të dallohen për nga shumëllojshmëria e cilësive, vlerave dhe rëndësisë së tyre historike.

Po ashtu, Kosovën e dallon mikpritja dhe shërbimi i mirë që u bëhet mërgimtarëve dhe në kuptim të plotë turistëve, njihet me ushqime të pasura tradicionale, me kafene të mira, restorante dhe hotele të rehatshme.

Albinfo.ch ka përgatitur për ju një “guidë”, ku ju sjell disa nga vendet më atraktive natyrore dhe kulturore në vendlindje, që përveç vizitës, mund të shijoni edhe ushqime të mira.

 

Atraksionet natyrore

Burimi i Drinit të Bardhë

Burimi i Drinit te bardhë

“Ujëvara e Drinit të Bardhë” pa dyshim se është një nga ujëvarat më spektakulare të Kosovës, e cila vizitohet nga turistët, veçmas në stinën e verës. Ky vend ka një natyrë përfekte, e ndërtuar nga vetë natyra. Burimi i vrullshëm i ujit ju jep freski dhe kënaqësi shpirtërore. Po ashtu, pranë burimit të ujit, karshi natyrës, ju mund të shijoni kafe dhe specialitete të peshkut.

Pasi të kaloni kohë në këtë vend, ju lehtësisht mund të vizitoni edhe Shpellën e Radavcit, e cila gjendet pak kilometra afër këtij burimi. Shpella e Radavcit është shpellë tipike e burimeve. Formimi i saj është i lidhur me erozionin dhe punën kimike të ujërave nëntokësorë të Drinit të Bardhë.

 

Kanioni i Rugovës

Kanioni i Rugovës

Ndryshe i quajtur Gryka e Rugovës, është një tjetër atraksion natyror që ofron pamje të bukur. Vlen të theksohet se kjo grykë konsiderohet të jetë një nga kanionet më të gjata dhe më të thella të Evropës. Ai është krijuar nga erozioni i ujit dhe tërheqja e akullnajave në Pejë.

 

Ujëvara e Mirushës

Ujevara Mirushes

Cilësohet si një nga atraksionet më të bukura në Kosovë, vetëm një orë larg qendrës së Prishtinës, është vendi ku krijohen 12 ujëvara dhe 16 liqene. Me pamjen që e ofron ky vend, të mrekullon me rrjedhjen e ujit pranë natyrës dhe cicërimave të zogjve.

 

Shpella e Gadimës

Shpella e Gadimes

Kjo shpellë ndodhet në fshatin Gadime të Lipjanit, 3 km larg rrugës magjistrale Prishtinë-Ferizaj-Shkup. Është ndër më të rrallat në Evropë, pasuritë e shpellës, të cilat e bëjnë të veçantë, janë prezenca e aragoniteve, të cilat janë si stoli, kristalet që paraqiten në galerinë e aragoniteve. Shpella përfshin një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 38 hektarëve, kurse për vizitorë është hapur për gjithë sezonin veror.

 

Shpella e Kusarëve

Shpella e Kusarëve

Në vitet e fundit, në qytetin e bukur të Gjakovës po promovohet për vizita Shpella e Kusarit. Ajo gjendet vetëm 1 km larg fshatit Kusar. Thënë më mirë, në brendësi të këtij fshati, me pamje thuajse pyjore, në rrëzë maleve të Pashtrikut, kjo shpellë ka një oborr karakteristik shkëmbor e të shkallëzuar, që mundëson ecjen e vizitorëve që duan të hulumtojnë brendësitë e kësaj shpelle. Ekzistenca e saj thuhet të jetë e lashtë dhe për të eksploruar më shumë bukuri të saj, vizitojeni!

 

Bjeshkët e Nemuna

Bjeshket e Nemuna

Një ndër bukuritë e shumta natyrore që i ka Kosova, pa dyshim se janë edhe Bjeshkët e Nemuna. Peizazhet e bukura malore, me liqene dhe alpe, të bëjnë të duash të qëndrosh aty gjatë, për të konsumuar gjithë atë pamje mahnitëse që e merr ngado që hedh sytë. Këto bjeshkë janë të rrethuara me male të larta, me një ajër të pastër, me ngjyra përplot gjallëri, me aromë jete të freskët dhe cicërrima zogjsh. Andaj, të vizitosh Bjeshkët e Nemuna, duhet të jetë patjetër në agjendën e kësaj vere të secilit që deri më tash nuk i ka vizituar ato.

 

Bjeshkët e Rugovës

Rugove

Bjeshkët e Rugovës cilësohen nga ekspertët turistikë si një nga vendet më të bukura në Kosovë, ku mund të përjetoni përvoja të paharrueshme mes ajrit të pastër karshi natyrës magjepse që është treguar vërtet bujare me këtë vend, e sidomos në këtë kohë pandemie, ku njerëzit në vend të plazheve, këtë vit mund të organizojnë shëtitje të tilla natyrore që nuk do të harrohen kurrë dhe do të mbeten gjatë në kujtesen tuaj.

Rugova është një rajon malor që ndodhet në veri-perëndim të qytetit të Pejës, në Kosovë. Është rajoni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna dhe është e njohur edhe si Alpet Shqiptare. Më 2013 ajo u shpall si Park Kombëtar dhe konsiderohen si një nga atraksionet më të mira turistike malore në Kosovë.

 

Bukuritë dhe veçantitë e trashëgimisë kulturore

Muzeu Etnologjik i Prishtinës

Muzeu Etnologjik i Prishtinës

Në Kosovë, përveç bukurive natyrore, ata që duan të shijojnë edhe vlerat e trashëgimisë kulturore të Muzeut Etnologjik, albinfo.ch sjell disa nga pamjet më të bukura të vlerave kulturore dhe nostalgjinë e kohëve të dikurshme të shek. XVIII.

Kompleksi i banimit “Emin Gjiku” gjendet në bërthamën e vjetër të qytetit të Prishtinës, një monument i kulturës nga shekulli i 18-të. Në muze janë të ekspozuara mjetet dhe artikujt që lidhen me stilin e jetës nga periudha osmane e Kosovës, që do t’ju sjellim më poshtë.

Ky muze përbën një kompleks shumë karakteristik arkitektonik, ku ruhen objekte të rëndësishme me vlerë, e ku disa nga artefaktet kanë një vjetërsi prej dy e tre shekujsh, ndërsa vetë renditja ndërlidhet me katër tema që përfaqësojnë ciklin e lindjes, jetës, vdekjes dhe të trashëgimisë shpirtërore.

 

Muzeu i Kosovës

Muzeu i Kosovës

Ky muze përfshin një koleksion, me më shumë se 50 mijë eksponate të profileve të ndryshme, prej pavijonit të arkeologjisë, teknologjisë, historisë, natyrës, ento-kulturës, folklorit, trashëgimisë etj. Ndertesa kryesore e Muzeut të Kosovës është një objekt i bukur që gjendet në afërsi të Kuvendit të Republikes së Kosovës, në rrugën “Nazim Gafurri”.

Çdo gjë që tregon dhe ndriçon historinë e Kosovës në periudha të ndryshme, që nga periudha e Neolitit, 6 mijë vjet para Erës së Re, deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës ndodhet në Muzeun e Kosovës.

 

Kalaja e Artanës

Kalaja e Artanës

Kalaja e Artanës gjendet rreth 22 km larg qendrës së Kamenicës, Artana ka qenë qendër kryesore me fortesë të madhe mesjetare, pjesët e mbetura të së cilës mund të vizitohen edhe sot. Në murin e jashtëm të kalasë shihet një kryq i madh, i ndërtuar në gurë. Kalaja mendohet se daton qysh nga Perandoria Bizantine. Ndërtimi i takon tipit fortifikatë. Kalaja përbëhet nga dy pjesë të ashtuquajtura Kalaja e sipërme dhe Kalaja e poshtme.

 

Kalaja e Prizrenit

Kalaja e Prizrenit

Kjo kala është ndërtuar në një kodër të lartë, në një ambient piktoresk dhe në një pozitë jashtëzakonisht strategjike. Kalaja ngrihet mbi qytetin e bukur të Prizrenit, qytet ky që mund të vizitoni shumë objekte të veçanta, siç janë: urat e gurit, muzeu, kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit etj.

 

Liqeni i Batllavës

Liqeni i Batllavës

Liqeni i Batllavës pa dyshim se është një nga atraksionet turistike më të frekuentuara në Kosovë. Ndodhet në territorin e komunës së Besianës, fare pranë fshatit Orllan. Nga pamjet që ofron ky liqen, mund të shihni magjinë e kësaj perle, ku duket se e gjithë qetësia dhe ngjyrat më të bukura janë shkrirë në një vend të vetëm. Po ashtu, ju mund të shijoni ushqime të shijshme aty, nga disa restorante pranë maleve të bukura mollake dhe karshi pamjes së ujit të këtij liqeni.

Këto janë vetëm disa nga vendet që ju mund t’i vizitoni dhe t’i shijoni gjatë këtij sezoni veror në Kosovë.

Pushime të këndshme!

Albinfo.ch