Turizëm

Çka ofron Ulqini në ofertën turistike për këtë vit?

Përfaqësues të Komunës së Ulqinit e kanë prezantuar ofertën turistike të këtij viti për pushuesit kosovarë, në një takim që kanë pasur me kompanitë turistike të Kosovës. Ata kanë premtuar lehtësi kufitare dhe çmime të volitshme. 

Kryetari i Komunës së Ulqinit,, Loro Nrekiq, deklaroi se janë duke bërë disa investime infrastrukturore që do të shpejtonin ardhjen e pushuesve kosovarë në Ulqin. Ai tha se qëllimi është që të rritet sezoni turistik edhe në aspektin ekonomik, turistik dhe kulturor. Po ashtu Nrekiq pohoi se janë duke punuar për ofrim më të madh për parkingje përmes projektit ‘parking servil’, përcjell albinfo.ch.

Kreu i Ulqinit u shpreh se janë duke punuar që edhe pjesët e lashta të Ulqinit, si Shasi, të investohet dhe të bëhen hapësira atraktive për vizitorët. Zëvendësministri i Turizmit në Mal të Zi, Qazim Hoxhiq, u shpreh se për 20 për qind është rritur numri i vizitorëve në Mal të Zi krahasuar me vitin 2017. 

Ai tha se Mali i Zi për të gjithë turistët kosovarë ka në dispozicion mbi 430 plazhe dhe risi turistike janë edhe zhvillimi i etno fshatrave. 

“Çmimet do të mbesin në nivelin e vitit të kaluar, do të thotë duke filluar nga 6 euro në akomodim privat, duke filluar nga 15 euro në hotelet me 2 dhe 3 yje dhe në hotelet 4 yje nga 30 euro në bazë të shtratit dhe mëngjesit. Dua të cek që 415 hotele në kapacitet mbi 40 mijë shtretër, prej tyre 171 janë katër dhe pesë yje në Mal të Zi”, theksoi ai. 

Drejtori i Organizatës Turistike të Ulqinit, Fatmir Gjeka, tha se fëmijët kosovarë do të mund të lëvizin drejt Malit të Zi vetëm me certifikatë të lindjes gjatë sezonit veror.