Me nderime nga Baseli, pensionohet Taulant Xhaka

Taulant Xhaka ka zhvilluar sot ndeshjen e fundit të karrierës.

Xhaka u pensionua me nderimet që Baseli ia bëri para ndeshjes së fundit, transmeton albinfo.ch.

Në ngjarje ishte i pranishëm edhe vëllai i Taulantit, Granit Xhaka.

Ndeshja mes Baselit dhe Lucernit përfundoi me fitoren e ekipit të Xhakës, me rezultat 4:0.

 

Dy presidente, dy shtete të zemrës

Nën shkëlqimin e fustaneve dhe elegancën e kostumeve, tavolina të shtruara me shumë shije, mbrëmja kishte hijen e një balloje aristokrate. Ngjante pak a shumë me takimet e heshtura të zotërinjeve evropianë në shtëpitë e mëdha angleze, para Luftës së Dytë Botërore, ku merreshin vendime që ndryshonin fatet, si ato që përshkruan Kazuo Ishiguro në The Remains of the Day.

Por kjo darkë tashti nuk ishte për nder të zotërinjve, as për të diskutuar për luftë fatbardhësisht. Kjo bëhej në nder të dy zonjave krytetare shtetesh, që flisnin për bashkëpunim dhe ngrinin dolli për marrëdhënie miqësore ndërshtetërore dhe për arritjet e shqiptarëve në Zvicër. Dyshja me gjithë bukurinë dhe elegancën dëshmoi faktin se fuqia e vërtetë rrallë qëndron vetëm  ajo pasqyrohet, rezonon dhe evoluon. Siç ishte rasti këtë natë me dy Presidentet e zemrës, atë të Kosovës dhe Zvicrës.

Zvicra, një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës më 2008, i kishte dërguar Presidentes së Kosovës ftesën e parë për një vizitë shtetërore një vizitë e organizuar nga Presidentja Karin Keller-Sutter dhe Këshilli Federal Zviceran. Kjo darkë presidenciale, e mbajtur më 21 maj 2025, u kthye në një moment që dukej sikur një kapitull i ri.

Presidentja Vjosa Osmani mbajti një fjalim emocional, me theks në përpjekjet dhe sakrificat e qytetarëve të Kosovës. Të ulur përreth saj, me sy të mbushur me shpresë dhe pothuajse të përlotur, dëgjonim pëshpërima miratimi nga ata që kishin kaluar vite të tëra në Zvicër: “Ashtu është… E dini more si e kemi nisur jetën këtu?”

Po aq prekës ishte dhe fjalimi i ngrohtë i Presidentes së Konfederatës, Karin Keller-Sutter, e cila vlerësoi kontributin e diasporës shqiptare të Kosovës në shoqërinë zvicerane. Ajo vazhdoi me një sens humori që na bëri të qeshnim më shumë se një herë  posaçërisht kur përmendi obsesionin tone me çokollatat zvicerane, që konsumohen më shumë nga shqiptarët e Kosovës sesa nga vetë zviceranët. Të gjithë tundëm kokën në shenjë dakordësie, duke e ditur mirë se gjysma e valixhes është gjithmonë e mbushur me prodhime zvicerane sa herë kthehemi në Kosovë.

Rreth tyre, ne të tjerët, të mbushur me admirim, vazhduam bisedat tona në gjermanisht, anglisht, frëngjisht dhe, sigurisht, shqip, aty, në Bundeshaus (Ndërtesa e Parlamentit), në zemër të qytetit të Bernit. Një ngjarje që vetëm disa vite më parë do të ishte e paimagjinueshme, kur shëtisnim përreth asaj ndërtese e atij sheshi si refugjatë, të shpërngulur e të persekutuar, gjetëm strehë në Zvicër. Sot, përfaqësoheshim si njerëz të suksesshëm në fusha të ndryshme, duke nisur nga politika, shëndetësia, biznesi, sporti, arsimi etj.

Kjo vizitë, përveç peshës politike, e bëri diasporën të ndihej e përfshirë  si qytetarë të respektuar, që kontribuojnë si për Zvicrën, ashtu edhe për Kosovën. Qytetarë që kanë pasur mundësi dhe privilegj të formohen me tiparet më të mira të të dy kulturave.

Unë, në ligjëratat e mia, ku shpesh flas për Kosovën, u mësoj studentëve se si të shprehen në mbledhje të rëndësishme: çfarë të pyesin, si ta thonë shkurt e bukur, gjithnjë duke theksuar rëndësinë e kohës. Madje, fjalimet e tyre i mas me kohë, për t’u treguar sa thelbësore që është ajo.

Por këtë herë, kur shtrëngova duart me të dy presidentet, u emocionova aq shumë, sa tejkalova kohën time. Me shumë mirësjellje, dikush i veshur me një kostum më të shtrenjtë se gjithë garderoba ime, më kërkoi të tërhiqem. Koha ime kishte përfunduar. U largova. Por ecja me një buzëqeshje të madhe në fytyrë  sepse vetëm trupi im ishte larguar nga ajo bisedë; mendja ime mbeti aty.

Cilat vende të Evropës mendojnë se është afër Lufta e Tretë Botërore?

Duke pasur paraysh se stabiliteti gjeopolitik po vazhdon të cenohet, perspektiva e një konflikti tjetër global është shqetësim i madh për shumë evropianë.

Sipas një sondazhi të ri nga “YouGov” ka zbuluar se midis 41 për qind dhe 55 për qind të të anketuarve në Britani, Francë, Gjermani, Itali dhe Spanjë mendojnë se një tjetër luftë botërore ka gjasa të ndodhë brenda pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme.

Shumica dërrmuese e të anketuarve presin që një konflikt i tillë do të përfshijë përdorimin e armëve bërthamore, raporton euronews.

Kërkimi përfshiu intervistimin e 7095 personave në pesë vendet evropiane gjatë dy javëve të para të prillit.

Nëse do të shpërthente një tjetër luftë botërore, të anketuarit presin që vendi i tyre të përfshihej në konflikt, duke filluar nga 66 për qind në Itali deri në 89 për qind në Britaninë e Madhe.

Megjithatë, ekziston gjithashtu një ndjenjë e qartë se ushtritë evropiane nuk janë të përgatitura për një konflikt global.

Vetëm Franca beson se forcat e saj të armatosura do të mund të mbronin në mënyrë efektive vendin në rast të Luftës së Tretë Botërore, me 44 për qind, transmeton albinfo.ch.

Katër vendet e tjera nuk kanë besim në aftësinë e forcave të tyre të armatosura për të mbrojtur vendin, veçanërisht Gjermania, ku vetëm 16 për qind kanë besim, dhe Italia me 20 për qind.

Megjithatë, të anketuarit në sondazh shprehën një gatishmëri të madhe për të marrë pjesë ushtarakisht nëse do të shpërthente një tjetër luftë botërore.

Britania kishte përqindjen më të lartë të pjesëmarrësve, me 89 për qind, ndërsa Italia kishte përqindjen më të ulët, me 66 për qind.

Nga mund të vijë kërcënimi i ardhshëm për vendet evropiane?

Rusia renditet e para si pengesa më e madhe për paqen në Evropë, me deri në 82 për qind të evropianëve perëndimorë që e shohin atë si një kërcënim të madh ose të moderuar për kontinentin.

Terrorizmi islamik është kërcënimi i dytë më i madh, me Gjermaninë si vendin evropian që shpreh shqetësimin më të madh për këtë çështje, me 78 për qind.

Ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump vazhdon të ndërmarrë veprime të diskutueshme në politikën e jashtme, më shumë se gjysma e personave të anketuar në Spanjë, Gjermani dhe Francë i shohin tensionet midis Evropës dhe SHBA-së si një kërcënim të madh ose të moderuar për paqen në kontinent.

Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, Trump ka bërë kërcënime ndaj Grenlandës dhe ka shkaktuar konfuzion me qëndrimin e tij të ndryshueshëm ndaj luftës në Ukrainë.

Grenlanda është shtëpia e rreth 40 prej 50 mineraleve kritike që SHBA i konsideron thelbësore për sigurinë kombëtare.

Këto minerale,  që përfshijnë uraniumin dhe grafitin, janë thelbësore për prodhimin dhe zinxhirët globalë të furnizimit, megjithëse burimet e Grenlandës mbeten ende kryesisht të paeksploruara.

Si po e ndryshon tregun e punës në Kosovë inteligjenca artificiale?

Pagat më të larta në Kosovë janë në sektorin e teknologjisë së informacionit. Por, shumë detyra në këtë sektor tashmë mund të kryhen nga inteligjenca artificiale (IA). Organizata Ndërkombëtare e Punës paralajmëron se asnjë profesion nuk është plotësisht i sigurt, por ekspertët e fushës e shohin atë më shumë si ndihmë sesa rrezik.

Që më shumë se një dekadë, Lend Kelmendi ka hyrë në botën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.

Nga koha kur ai kishte filluar karrierën e deri tani që mban pozitën e drejtorit të inxhinierisë në kompaninë Kutia, shumëçka ka ndryshuar.

“Ka qenë njëri prej versioneve të ChatGPT-së, që, kur ka dalë, ke mundur të thuash se të ka ndihmuar në punë”, thotë Kelmendi për Radion Evropa e Lirë.

Programet e para të inteligjencës artificiale nuk ishin të përsosura, thotë Kelmendi. Por, me kalimin e kohës, ato janë bërë pjesë gjithnjë e më e rëndësishmë e punës së tij dhe kolegëve të tij.

Për Albi Hotin, programer, inteligjenca artificiale (IA) ka qenë pjesë e punës së tij që nga fillimi i karrierës, rreth dy vjet e gjysmë më parë.

“Ne e dimë që IA-ja mëson, mëson edhe nga ne. Sa më shumë që e përdorim, aq më shumë mëson ajo edhe prej përdoruesve të vet. Kështu që është ndihmë e madhe”, thotë Hoti.

Për çka e përdorin ata? Për të zgjidhur probleme të ndryshme në punën e tyre, për të kryer detyrat që s’kërkojnë shumë kreativitet…

Por, një raport i publikuar këtë javë nga Organizata Botërore e Punës (ILO) paralajmëron se gjithnjë e më shumë detyra të këtij sektori  dhe jo vetëm  mund të kryhen nga inteligjenca artificiale.

Çka do të thotë kjo? Se disa profesione në të ardhmen mund të bëhen të panevojshme.

Në raportin e ILO-së thuhet se një në katër punëtorë në të gjithë botën është i angazhuar në një profesion që rrezikohet të zëvendësohet deri në një masë nga inteligjenca artificiale.

Më të rrezikuar thuhet të jenë ata që kanë të ardhura më të larta dhe që janë të punësuar në vende më të pasura.

Profesionet me paga më të larta, më të rrezikuarat nga inteligjenca artificiale

Vetëm 46.1 për qind e punëtorëve me paga të larta nuk rrezikohen aspak të zëvendësohen nga inteligjenca artificale. Më të sigurta i kanë vendet e punës ata që janë të angazhuar në profesione me të ardhura të ulëta.

Besnik Rama, drejtor ekzekutiv i kompanisë Novende dhe ligjërues për inteligjencë artificiale, shpjegon se si më parë teknologjia ka zëvendësuar punët fizike me makina të ndryshme, por tani ka nisur zëvendësimin edhe të “punëve intelektuale”.

“Çdo profesion do të preket nga IA-ja, disa më shumë e disa më pak. Mirëpo, të gjitha profesionet do të lehtësohen në kryerjen e punës së tyre nga IA-ja”, thotë Rama për REL-in.

Ai parasheh që inteligjenca artificiale në të ardhmen të caktojë terapi mjekësore, të japë këshilla juridike…

“E, posaçërisht, programerët do të jenë ndër më të prekurit nga IA-ja”, shton ai.

Çka të bëjmë përballë këtij rreziku? Rama i ka dy këshilla: pranojeni IA-në si pjesë të realitetit dhe përqafojeni e mësoni si ta inkuadroni në punën tuaj.

“Programerët nuk do të asgjësohen nga IA-ja. Mirëpo, IA-ja do ta bëjë punën e tyre më të thjeshtë, si në shpejtësinë e zgjidhjes së problemeve, ashtu edhe në kualitetin e zhvillimit”, thotë ai.

Sektori i informimit dhe komunikimit punëson gati 13 mijë persona në Kosovë, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës për janarin e vitit 2025. Prej tyre, rreth tetë mijë janë djem, ndërsa shumica janë nga 15 deri në 34 vjeç.

Paga mesatare bruto në këtë sektor është 1.177 euro, por zhvilluesit e softuerëve arrijnë paga edhe shumë më të larta.

Edhe Aldo Baxhaku, zyrtar për komunikim publik në Shoqatën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), thotë se fokusi duhet të jetë te shkathtësistë e zëvendësueshme, e jo profesionet.

“Nëse në pozitën që je, kryen vetëm detyra shabllon, përsëritëse, rutinore dhe nuk luan rol kreativiteti ose mendimi kritik, ekspozimi ndaj automatizimit ose zëvendësimit nga IA-ja është i lartë”, thotë Baxhaku për REL-in.

Ai thotë se kompanitë e sektorit të teknologjisë informative në Kosovë janë të specializuara pikërisht në ofrimin e zgjidhjeve kreative, që ai thotë se “IA-ja, të paktën për momentin, nuk i zëvendëson dot në mënyrë efektike”.

Shkaku i popullsisë së re të Kosovës, sidomos atyre të angazhuar në këtë sektor, Baxhaku është i bindur se potenciali në Kosovë për t’u përshtatur me ndryshimet e tilla është i lartë.

Rama dhe Baxhaku pajtohen në një pikë: Kush nuk dëshiron të zëvendësohet nga inteligjenca artificiale apo të mbetet prapa, duhet ta bëjë atë pjesë të procesit të punës.

Kjo tashmë po ndodh në shumë kompani në Kosovë, thonë ata dy, si në procesin e planifikimit, rekrutimit, prodhimit të përmbajtjes audio-vizuele, etj.

Drejtori i inxhinierisë në Kutia, Kelmendi, thotë se megjithatë ka disa gjëra që IA-ja nuk di t’i bëjë.

“Nëse flasim për zgjidhjen e problemeve që nuk janë shfaqur më herët, IA-ja nuk di se si t’i zgjidhë”, thotë ai.

Kështu që, ai thotë se të vetmit inxhinierë që do të zëvendësohen janë “inxhinierët që nuk do ta përdorin IA-në”./REL

Zvicra pret samitin e Komunitetit Politik Evropian në vitin 2027

Zvicra do të organizojë një samit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili mbledh së bashku krerët e shteteve dhe qeverive të kontinentit, pas dy vitesh. Njoftimi është bërë nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në një mesazh të publikuar në “X”.

Gatishmëria e Zvicrës për të organizuar një nga takimet e EPC-së ishte shfaqur tashmë në raportin më të fundit të politikës së jashtme të qeverisë. Costa konfirmoi atë që presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter kishte lënë të kuptohet në fund të samitit të javës së kaluar në Tiranë, Shqipëri.

Takimet e ardhshme të EPC-së do të zhvillohen në Kopenhagë në tetor 2025 dhe, sipas Kostës, në vitin 2026 radha do të jetë e Armenisë dhe Irlandës. Më pas, në vitin 2027, do të jetë radha e Zvicrës në pranverë, e ndjekur nga Greqia në pjesën e dytë të vitit, transmeton albinfo.ch.

Dyzet e shtatë krerë shtetesh dhe qeverish ishin të ftuar në samitin e Tiranës, së bashku me krerët e institucioneve kryesore evropiane, si Bashkimi Evropian (BE), Këshilli i Evropës dhe NATO.

E themeluar në vitin 2022 me iniciativën e presidentit francez Emmanuel Macron, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, Komuniteti Politik Evropian synon të jetë një platformë për diskutim politik dhe strategjik për të ardhmen e Evropës. Që atëherë janë mbajtur gjashtë takime. Në mënyrë tipike, samitet mbahen në gjysmën e parë të vitit në një vend joanëtar të BE-së dhe në gjysmën e dytë në shtetin anëtar që mban presidencën e BE-së.

Kosovë: KQZ në pritje të datës së zgjedhjeve lokale, shpjegon dallimet nga ato parlamentare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka nisur parapërgatitjet për zgjedhjet lokale, datën e të cilave po e presin ta vendos presidentja, Vjosa Osmani.

Osmani pritet ta vendos datën e zgjedhjeve lokale gjatë muajit qershor, pas konsultimeve me subjektet politike, megjithatë ajo që dihet është se në bazë të ligjit, zgjedhjet lokale do të mbahen në muajin tetor të këtij viti.

Zgjedhjet do të bëhen për zgjedhjen e 38 kryetarëve të komunave dhe kuvendeve komunale. Ato do të jenë të tetat për kuvende komunale dhe të gjashtat për kryetarë të komunave.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë se ky institucion është në proces parapërgatitor, që përfshin identifikimin e nevojave, planifikimin e buxhetit për zgjedhjet dhe shqyrtimin e rregulloreve zgjedhore.

“Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në proces parapërgatitor, që përfshin identifikimin e nevojave, planifikimin buxhetor dhe shqyrtimin apo vlerësimin e akteve nënligjore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme vetëm pasi të shpallet data e zgjedhjeve, KQZ mund të fillojë me përgatitjet e përgjithshme për organizimin e procesit zgjedhor, respektivisht zbatimin e planit të aktiviteteve zgjedhore, të cilat ndërlidhen kryesisht me votuesit dhe subjektet politike”, ka thënë Elezi për KP.

Ai shpjegoi se pasi Ligji për Zgjedhjet Lokale nuk i është nënshtruar reformës zgjedhore siç ka ndodhur me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, shumë çështje që janë të përcaktuara në këtë ligj, mbesin të njëjta, si në zgjedhjet e kaluara locale, transmeton albinfo.ch.

“Siç e dini, ligji për zgjedhjet lokale nuk i është nënshtruar procesit të reformës zgjedhore ashtu siç ka ndodhur me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, prandaj disa çështje që janë të përcaktuara në këtë ligj mbesin të njëjta si në zgjedhjet e kaluara. Por, ka edhe çështje që kanë qenë të rregulluara me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe që vlejnë edhe në zgjedhjet lokale”, ka shtuar ai.

Elezi sqaroi edhe votimin jashtë vendit, që sipas tij, në zgjedhjet lokale të radhës do të organizohet vetëm përmes postës, pasi ligji nuk parasheh votimin në përfaqësi diplomatike.

“Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara për Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet lokale, votimi jashtë vendit do të realizohet vetëm përmes postës, pasi në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme specifikohet se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këtë lloj zgjedhjesh”, ka potencuar Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka theksuar se edhe në këtë proces zgjedhor do të organizohen Qendrat Komunale të Numërimit, të cilat do të jenë të vendosura në secilën komunë.

Mënyra e votimit dhe zgjedhjes së kryetarit të komunës do të jetë e njëjtë si në zgjedhjet e mëhershme, secili kryetar i komunës zgjidhet drejtpërdrejt nga votuesit e komunës, ku janë të regjistruar.

Në fletëvotim, votuesi duhet të votojë vetëm njërin nga kandidatët për kryetar të komunës. Kandidati zgjidhet kryetar i komunës nëse fiton 50%, +1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë pas katër javësh organizohet raundi i dytë mes dy kandidatëve të cilët kanë fituar më së shumti vota të vlefshme.

Historia e zgjedhjeve lokale në Kosovën e pasluftës ka filluar në tetorin e vitin 2000, kur për herë të parë ishin organizuar zgjedhjet për kuvendet komunale. Që nga ajo kohë dhe deri në vitin 2021, janë organizuar 7 procese të tilla.

Luzern: Po zhvillohet simpoziumi i 6-të shkencor i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër

Foto: Bekim Dalipi

Simpoziumi i 6-të i mjekëve shqiptarë në Zvicër po zhvillohet sot në ambientet e Kultur- und Kongresszentrum Luzern me fokus te çrregullimet psikosomatike

Simpoziumi po zhvillohet nën temën aktuale: “Çrregullimet psikosomatike  një perspektivë multidisiplinare në diagnostikë dhe trajtim.”

Ngjarja ka nisur me fjalën përshëndetëse të Dr. Mentor Bilalit, president i LMSHZ-së, dhe po vijon me një sërë prezantimesh nga mjekë shqiptarë të suksesshëm në Zvicër, të cilët ndajnë përvojën dhe njohuritë e tyre në fusha të ndryshme të mjekësisë, transmeton albinfo.ch.

Dr. Mentor Bilalit, president i LMSHZ-së

Prezantimet e deritanishme kanë përfshirë:

Dr. Alban Neziri, i cili flet për depresionin dhe psikozën pas lindjes

Dr. Emrush Rexhaj, që shpjegon ndikimin e programimit fetal në çrregullimet kardiake dhe psikiatrike

Dr. Asim Rraci, që trajton çështjen e sindromës së zorrës së irrituar

Po ashtu, janë duke u zhvilluar diskutime mbi lidhjen mes psikosomatikës dhe fushave të tjera si psikiatria, mjekësia e familjes, urologjia dhe stomatologjia. Ndërhyrjet janë të pasura në përmbajtje dhe po shoqërohen me pyetje të shumta nga audienca, ku mbizotëron një atmosferë profesionale dhe bashkëpunuese.

Pas pjesës shkencore, është parashikuar të zhvillohet edhe Kuvendi i 4-të i përgjithshëm i LMSHZ-së, ndërsa në fund të pasdites, pjesëmarrësit do të ftohen në një Apéro Riche, ku përveç shijimit të ushqimeve, do të kenë mundësinë të forcojnë rrjetin e kontakteve profesionale dhe miqësore.

Pjesëmarrja në simpozium është falas teksa janë dhjetëra mjekë shqiptarë nga e gjithë Zvicra të pranishëm në sallë.

Ngjarja është një dëshmi e fuqishme e organizimit, profesionalizmit dhe kontributit të mjekëve shqiptarë në sistemin shëndetësor zviceran.

A është vera e 2025-ës koha për të blerë në Austri apo duhet të vazhdoni të merrni me qira?

Çmimet e pronave në Austri po rriten përsëri, por me ofertë të kufizuar dhe kosto të larta fillestare, marrja me qira mund të ketë akoma më shumë kuptim  në varësi të vendit ku jetoni dhe sa kohë qëndroni.

Çmimet po rriten përsëri, strehimi i përballueshëm është në mungesë dhe normat e interesit sapo kanë filluar të lehtësohen. Pra, a është vera 2025 koha për të blerë? Apo është marrja me qira akoma zgjidhja më e mirë?

Ashtu si shumë në tregun e shtëpive në Austri, përgjigja varet nga vendi ku po kërkoni, sa kohë planifikoni të qëndroni dhe nëse po e bëni për veten tuaj apo si investim.

A po rriten sërish çmimet e pronave?

Pas më shumë se dy vitesh rënie të çmimeve të pasurive të paluajtshme, kostot e banesave në Austri po rriten  dhe më shpejt se sa pritej.

Sipas Die Presse, çmimet e pronave të banimit u rritën me 0.8 për qind në mbarë vendin në tremujorin e parë të 2025. Në Vjenë, rritja ishte edhe më e mprehtë në 1.2 për qind, e nxitur kryesisht nga kërkesa për banesa të reja. Çmimet për apartamentet ekzistuese gjithashtu u rritën, por më ngadalë.

Por a do të thotë kjo se rënia ka mbaruar? Jo domosdoshmërisht. “Tregu mund të ngadalësohet përsëri në tremujorët e ardhshëm, ose edhe të rrëshqasë në neutral ose të kundërt,” i tha gazetës ekonomisti i tregut të banesave të Raiffeisen Research, Matthias Reith. Tani për tani, çdo bisedë për një ndryshim të qartë të trendit është e parakohshme.

Po në lidhje me përballueshmërinë?

Ndërsa pasuritë e paluajtshme nuk janë të lira, ato janë bërë disi më të aksesueshme në terma relative, transmeton albinfo.at.

Rritjet e pagave kanë tejkaluar çmimet e pronave, veçanërisht gjatë viteve të inflacionit të fortë. Reith vlerëson se edhe pse çmimet nominale kanë rënë vetëm rreth pesë për qind nga kulmi i tyre në vitin 2022, prona është bërë 21 për qind më e përballueshme falë rritjes së të ardhurave.

Në Vjenë, banesat e përdorura tani janë rreth 25 për qind më të përballueshme në krahasim me pagat.

Ky është një ndryshim i rëndësishëm, veçanërisht për blerësit që më parë ishin me çmim jashtë tregut. Por përballueshmëria e përmirësuar nuk do të thotë se është e lehtë për t’u blerë. Financimi mbetet një sfidë, veçanërisht me rregulla më të rrepta të huadhënies ende në fuqi për shumë blerës.

Oferta po përmirësohet apo po ngushtohet?

Nëse shpresoni se një bum ndërtimi mund të lehtësojë kostot e strehimit, të dhënat nuk ofrojnë shumë shpresë. Prodhimi i banesave në Austri është në një rënie të mprehtë. Në vitin 2024, vetëm 32,100 banesa të reja u miratuan për ndërtim – 8.5 për qind më pak nga viti i kaluar dhe shifra më e ulët që nga viti 2010, sipas Statistik Austria.

“Ne po përballemi me vite të përfundimit dukshëm më të ulët të banesave,” tha Tobias Thomas, Drejtor i Përgjithshëm i Statistik Austria. Vendi po prodhon rreth 40,000 njësi më pak në vit sesa në kulmin e vitit 2017.

Kjo shtrydhje e furnizimit përkeqësohet nga më pak shtëpi ekzistuese në treg. Në zonat urbane, veçanërisht në Vjenë, kërkesa po rritet ndërsa disponueshmëria po tkurret – një recetë për rritjen e çmimeve.

A po kthehen investitorët në treg?

Sipas agjencisë së pasurive të paluajtshme EHL, interesi i blerësve si nga individët ashtu edhe nga investitorët po rritet.

Uljet e normave të interesit për vitin 2024 e kanë bërë financimin sërish më tërheqës dhe kthimi nga investimi po përmirësohet. Rendimentet mesatare tani janë rreth 3.8 për qind, falë rritjes së qirave dhe normave të ulëta të vendeve të lira të punës, veçanërisht në segmentin me çmim të mesëm.

Kërkesa për banesa investimi në vendet kryesore është rritur dhe vendimet për blerje po merren më shpejt, sipas EHL. Kjo do të thotë konkurrencë më e madhe për pronarët e ardhshëm të shtëpive dhe qiramarrësit njësoj.

Edhe marrja me qira nuk po bëhet më e lehtë

Nuk janë vetëm blerësit që ndiejnë presionin. Tregu i qirave është gjithashtu i ngushtë, veçanërisht në Vjenë. Me më pak njësi të reja dhe stoqe të kufizuara ekzistuese, qiratë vazhdojnë të rriten më shpejt se inflacioni.

Apartamentet në grupet e njohura të çmimeve janë këputur shpejt. EHL vë në dukje se shumë banesa ri-leshohen menjëherë pasi qiramarrësi largohet dhe qiramarrësit e mundshëm shpesh duhet të vendosin shpejt vetëm për të hyrë në derë.

Po në lidhje me strehimin e përballueshëm?

Banesat e subvencionuara publike dhe jofitimprurëse në Austri kanë shërbyer prej kohësh si një mbrojtës kundër presioneve ekstreme të çmimeve, por edhe ky sektor po ndjen tendosje.

“Strehimi i përballueshëm është gjithnjë e më shumë nën presion,” tha Isabella Stickler, Kryetare e zhvilluesit jofitimprurës Alpenland, në një intervistë me Kurier. Ajo përmendi rritjen e kostove të ndërtimit, çmimet e larta të tokës dhe proceset e ngadalta të miratimit si sfida kryesore.

Christian Rädler, CEO i WET Group, u pajtua, duke thënë se fokusi duhet të zhvendoset në rinovimin e ndërtesave ekzistuese, duke pasur kuptim ekonomik dhe ekologjik.

Hannes Stangl nga SOZIALBAU AG shtoi se ndërsa përfundimet në sektorët jofitimprurës dhe komunalë po qëndrojnë më mirë sesa në ndërtimet private, “gjetja e tokës së përballueshme mbetet sfida më e madhe”.

Pra, a është më mirë të blesh apo të marrësh me qira tani?

Përgjigja varet shumë nga vendi ku jeni, sa kohë planifikoni të qëndroni dhe gjendja juaj financiare.

Në vende si Vjena dhe Salzburgu, duhen rreth nëntë vjet përpara se blerja të bëhet më ekonomike sesa marrja me qira. Kjo duke supozuar se jetoni në pronë, jo vetëm duke investuar në të. Në Vorarlberg, pika e reduktimit është më afër tetë viteve.

Sa më i lartë të jetë çmimi i blerjes në krahasim me qiranë, aq më shumë kohë duhet për të “kapur” financiarisht. Dhe në disa tregje, blerja mund të mos ketë fare kuptim, edhe pas 30 vjetësh, veçanërisht nëse mund t’i investoni paratë tuaja diku tjetër me kthime më të mira.

Nëse jeni duke blerë si investim, tregu i pasurive të paluajtshme në Austri ende ofron stabilitet dhe performancë të mirë afatgjatë.

Një studim kërkimor i cituar nga Die Presse tregon se gjatë 145 viteve të fundit, pasuritë e paluajtshme rezidenciale kanë dhënë kthime mesatare prej 7 për qind në vit, të krahasueshme me aksionet, por me më pak luhatshmëri.

Por fotografia është më komplekse nëse po kërkoni një vend për të jetuar, jo vetëm një pasuri financiare. Marrja me qira ofron fleksibilitet, më pak kosto fillestare dhe, në shumë raste, akses në banesa që do të ishin tepër të shtrenjta për t’u blerë.

Pasuritë e paluajtshme austriake janë parë historikisht si një bast i sigurt në kohë të pasigurta, dhe ky perceptim mbetet ende për shumë njerëz. Pyetja nuk është më nëse çmimet do të bien përsëri (ato ranë), por nëse rikthimi aktual është i qëndrueshëm.

Për ata me të ardhura të qëndrueshme, plane afatgjata dhe akses në financim, blerja mund të ketë më shumë kuptim sesa kishte vetëm një vit më parë. Por me ofertën e kufizuar, rritjen e qirave dhe rregulla më të rrepta të huadhënies ende në fuqi, marrja me qira mbetet opsioni më realist për shumë njerëz, veçanërisht në Vjenë dhe qytete të tjera me rritje të shpejtë.

 

Mediumi zviceran, SRF shkruan për kosovarët që migruan në Zvicër

Në Zvicër jetojnë rreth 200,000 njerëz me prejardhje kosovare migratore. Sot ata janë të përfaqësuar gjerësisht në shoqëri. Megjithatë, në vitet 1990 dhe 2000, imazhi i diasporës kosovare dominohej nga stereotipet raciste.

Politikania e PS-së, Qëndresa Sadriu ka gjashtë vite që është anëtare e Këshillit Kantonal të Cyrihut. Prindërit e saj janë me origjinë nga Kosova dhe ajo vetë ka lindur në Zvicër, shkruan SRF.

Vitet e saj të shkollës u karakterizuan nga atribuime stereotipike dhe racizëm: “Kishte shumë komente se ne po shkaktonim vetëm probleme, se baballarët tanë ishin vrasës të dhunshëm dhe shpejtues”.

Në vitet 1990 dhe 2000, kosovarët ishin një nga grupet më të stigmatizuara në Zvicrën gjermanishtfolëse, thotë Janine Dahinden, një studiuese e migracionit në Universitetin e Neuchâtel. Postera racist si ai i Partisë Popullore Zvicerane (SVP) me sloganin “Kosovarët godasin zviceranët” ndezën diskutime.

Ajo për një kohë të gjatë ndjente se duhej të përshtatej dhe të arsyetonte gjithçka, thotë Qëndresa Sadriu. Një moment kyç për politikanen e PS-së ishte kërkimi i saj për një stazh: Pavarësisht notave të mira, asaj iu desh të dorëzonte 287 aplikime. Pikërisht në atë moment ajo vendosi të aktivizohej politikisht për t’u kursyer të tjerëve të njëjtat vështirësi.

Një pamje krejtësisht e ndryshme e Zvicrës

Hamit Zeqiri rrëfen edhe vështirësitë kur reflekton për ditët e tij të hershme në Zvicër. Banori i Lucernit iku në Zvicër në vitin 1994 në moshën 23 vjeçare për shkak se ishte i përndjekur politik në Kosovë. “Unë gjithmonë e kam imagjinuar Zvicrën si një shoqëri shumë të diferencuar, një shoqëri që nuk ka nevojë t’i thuhet se nuk ka gjëra të tilla si kosovarët.”

Fillimisht ai hasi shumë refuzime. Por me kalimin e kohës, kjo ndryshoi. Për Hamit Zeqirin kjo është shprehje e një procesi të ndërsjellë: “Me përmirësimin e imazhit për ne kosovarët, u përshpejtua edhe procesi integrues”.

Ne kemi luftuar për vendin tonë në shoqëri

Edhe Qëndresa Sadriu shprehet e bindur se imazhi i komunitetit kosovar ka ndryshuar. “Jemi bërë më të sigurt në vetvete, kërkojmë vendin tonë dhe jemi pjesë aktive e shoqërisë”.

Njerëzit me prejardhje kosovare migratore janë gjithashtu të përfaqësuar gjithnjë e më shumë në politikë: në vitin 2023, Ylfete Fanaj u zgjodh në qeverinë e Lucernit dhe në të njëjtin vit, Këshilltari Kombëtar i Cyrihut Islam Alijaj u zgjodh në Këshillin Kombëtar, transmeton albinfo.ch.

Por diskutimet si ato që pasuan festën e shqiponjës dyshe të Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës në Kupën e Botës 2018, i treguan asaj se rrëfimet e vjetra ende nuk ishin kapërcyer plotësisht. Papritur, “zvicerania” e saj po vihej sërish në pikëpyetje dhe po bëhej dallimi mes zviceranëve “të vërtetë” dhe të tjerëve. “Jemi mirë përderisa jemi të qetë dhe i përshtatemi normës”, thotë Qëndresa Sadriu.

Në Dayton, flamuri i Kosovës përkrah atyre të shteteve tjera

Asambleja Parlamentare e NATO-s është në qendër të Dejtonit për sesionin e saj pranveror.

Nga Kosova, për këtë ngjarje ka shkuar presidentja Vjosa Osmani. Ndërkaq, nga Serbia ka shkuar ministri i Jashtëm, Marko Gjuriq.

Të premten, në ditën e dytë të ngjarjeve, Asambleja, ndër ngjarje të tjera, mbajti ceremoninë e hapjes.

Aty u vendosën flamujt e vendeve pjesëmarrëse, ndër të cilët shihet ai i Kosovës dhe i Serbisë.

Serbia lëshon fletarrest për policin e Kosovës në lidhje me incidentin në veri

Autoritetet serbe kanë lëshuar fletarrestim të shtunën për një pjesëtar të Policisë së Kosovës, në lidhje me një incident një ditë më parë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, përcjell albinfo.ch.

Lajmi u bë i ditur nga ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq.

Daçiq tha në një njoftim se ” polici i Kosovës Dylot Brahimi do të arrestohet sapo të jetë i qasshëm për policinë serbe, pa parashkrim, sa herë që kjo të jetë e mundur”.

Incidenti në Mitrovicën e Veriut më 23 maj shkaktoi reagime të shumta kryesisht për shkak të mënyrës se si i ishte përgjigjur atij një pjesëtar i Policisë së Kosovës që ndodhej në afërsi.

Polici është kritikuar se veproi në mënyrë “selektive” dhe përdori “forcë të tepruar” kur e ndali një maturant serb të Kosovës gjatë një feste të maturantëve në Mitrovicën e Veriut për shkak se, siç thuhet, ai i kishte provokuar njerëzit në një kafene aty pranë.

Policia e Kosovës për rajonin e veriut njoftoi më 23 maj se parada e maturantëve serbë në qendër të Mitrovicës së Veriut përfundoi “qetësisht dhe pa ndonjë problem”.

Megjithatë, në deklaratë thuhet se Policia duhej të ndërhynte gjatë festimeve për shkak të disa provokimeve, por se situata u qetësua dhe se festa vazhdoi.

Në deklaratën e policisë nuk saktësohet se kush kë po e provokonte dhe në çfarë mënyre.

Në pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale, shihet një maturant gjatë paradës duke treguar gishtin e mesëm në drejtim të një kafeneje, ndërsa nga aty një klient, siç thuhet, po bënte me duar simbolin e shqiponjës dykrenore  e cila është simbol në flamurit kombëtar shqiptar.

Shefi i misionit të BE-së për sundimin e ligjit (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, reagoi ndaj incidentit duke thënë se ndihej “thellësisht i tronditur” dhe e dënoi “përdorimin e tepruar të forcës nga polici i Kosovës ndaj të riut në Mitrovicën e Veriut”.

Në anën tjetër, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, theksoi se polici kishte vepruar në mënyrë “profesionale” dhe se ndërhyrja kishte për qëllim të ndalte përshkallëzimin pas provokimeve nga disa maturantë, të cilët, sipas tij, përdorën simbole nacionaliste dhe brohoritje shoviniste si “Kosova është zemra e Serbisë”.

Sveçla publikoi në Facebook një video ku dëgjohen maturantët duke kënduar këngën “Vidovdan” dhe duke bërtitur “Kosova është zemra e Serbisë” pranë urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicën e Veriut.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka kërkuar hetim ndërkombëtar për incidentin e 23 majit në Mitrovicën e Veriut.

Së shpejti në Mal të Zi, orari i punës do të jetë shtatë orë

Qeveria e Malit të Zi është afër miratimit të një zgjidhjeje që do të sillte orarin shtatëorësh të punës, dhe modeli që po shqyrtohet pritet të kënaqë si punëdhënësit, ashtu edhe sindikatat, njoftoi kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, përcjell albinfo.ch.

Ky i fundit deklaroi se, pas shqyrtimeve të gjera, është gjetur një model me të cilin do të ishin të kënaqura si sindikatat, ashtu edhe punëdhënësit.

Ai njoftoi se javën e ardhshme do të mbahen konsultime të gjera me partnerët socialë, ku do të kristalizohet versioni përfundimtar i kësaj reforme, shkruan index.hr.

Qëllimi, sipas Spajiqit, është që përmes këtyre konsultimeve të gjera të realizohet një nga reformat më të mëdha në fushën e punës në Mal të Zi, me synimin për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve dhe për të ofruar “më shumë kohë për familjen, por edhe një punë më efikase dhe produktive”.

Nga ana tjetër, Unioni i Punëdhënësve të Malit të Zi (UPCG) shprehet se nuk ekzistojnë kushtet për të kaluar në një orar pune prej shtatë orësh.

Ndërkohë, Unioni i Sindikatave të Lira thotë se e kuptojnë kundërshtimin e biznesit, por besojnë se Mali i Zi duhet të nisë në këtë drejtim.

Ndryshe, Spajiq është pjesë e strukturës politike që në vitin 2020 zëvendësoi Partinë Demokratike të socialistit Milo Gjukanoviq në zgjedhje për herë të parë në 30 vjet.

Në qeverinë e parë pas ndryshimeve politike, Spajiq ishte ministër i Financave që hartoi projektin “Evropa Tani”, i cili rriti pagat minimale në Mal të Zi nga 222 në 450 euro.

Operacion i madh në Francë, arrestohen 55 burra për pedofili

Bëhet e ditur se pesëdhjetë e pesë burra anembanë Francës u arrestuan midis së hënës dhe mëngjesit të së enjtes, si pjesë e një operacioni të gjerë për të çmontuar një rrjet pedofilësh që vepronte përmes shërbimit të mesazheve Telegram, sipas Zyrës Franceze për Mbrojtjen e të Miturve (OFMIN), përcjell slbinfo.ch.

Të dyshuarit, të moshës midis 25 dhe 75 vjeç, akuzohen se kanë shkëmbyer mesazhe në Telegram me një abuzues seksual fëmijësh ” jashtëzakonisht të rrezikshëm” i cili u arrestua në verën e vitit 2024 dhe fëmijët e tij u shpëtuan pas abuzimit që kishin pësuar, tha për CNN të enjten Quentin Bevan, drejtues i njësisë operacionale të OFMIN-it.

” Këta 55 individë kanë shkëmbyer të gjithë materiale CSAM (Material për Abuzim Seksual të Fëmijëve) me këtë pedofil të rrezikshëm, kështu që kishim prova digjitale që i implikonin të gjithë”, tha Bevan.

Ai theksoi se arrestimet janë :” fryti i një hetimi dhjetëmujor “

Ishte një hetim i madh dhe një operacion infiltrimi në këtë grup në Telegram. Na u desh të ndiqnim shkëmbimet, t’i analizonim dhe të identifikonim individët që fshiheshin pas pseudonimeve në Telegram  veçanërisht ata që kishin fëmijë, që kishin precedentë penalë, ose që punonin në profesione të ndjeshme që përfshijnë kontakt me fëmijë”, tha Bevan.

Ky i fundit shtoi se burrat ishin të të gjitha moshave dhe shtresave shoqërore: prindër, nëpunës civilë, ushtarakë dhe punonjës të shëndetësisë. Në Francë, zotërimi dhe shpërndarja e materialeve që përmbajnë abuzim seksual të fëmijëve dënohet me pesë vjet burg dhe një gjobë prej 100 mijë eurosh.

Ndryshe, ky nuk është rasti i parë me profil të lartë që përfshin këtë platformë në Francë. Në gusht të vitit 2024, themeluesi i Telegramit, Pavel Durov, u ndalua në Aeroportin Le Bourget të Parisit mbi bazën e një urdhër-arresti që lidhej me politikat e moderimit të Telegramit.

Autoritetet franceze ngritën akuza ndaj Durov-it më 28 gusht 2024, për disa vepra penale, përfshirë pastrim parash dhe shpërndarje të materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve.

Durov deklaroi më pas se ishte i përkushtuar për të përmirësuar moderimin në aplikacionin e tij dhe se autoritetet po përpiqeshin ta mbanin “personalisht përgjegjës për përdorimin e paligjshëm të Telegram-it nga persona të tjerë”.

Trumpi pret një familje shqiptare në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka pritur në Shtëpinë e Bardhë familjen shqiptare Xhaferi, në kuadër të nismës humanitare të organizatës “Make-A-Wish Foundation”, e cila i kushtohet fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara, përcjell albinfo.ch.

Në këtë takim emocional, Trumpi shprehu vlerësim të veçantë për djalin e madh të familjes, i cili është në karrige me rrota. Presidenti amerikan theksoi se djali përbën frymëzim për shumëkënd.

Në një moment prekës, Trumpi i dhuroi atij një monedhë simbolike presidenciale, si kujtim i këtij takimi të paharrueshëm në zemër të Uashingtonit.

“Mos e humb këtë, shok”, u shpreh presidenti, duke i buzëqeshur djalit, i cili e pranoi dhuratën me emocion.

Në fillim, nëna e familjes prezantoi edhe vajzën e saj, Ellën, e cila e përqafoi vëllain dhe konfirmoi dashurinë për të: “Po, e dua shumë. Ai është më i miri.”

 

Sulmi në Hamburg, 6 persona në rrezik për jetën

Thuhet se 6 nga 18 personat e plagosur në një sulm me thikë në stacionin hekurudhor të Hamburgut, pasditen e së premtes, janë në rrezik për jetën, përcjell albinfo.ch.

Autoritetet thanë se edhe 3 të tjerë janë në gjendje më të rëndë, por të stabilizuar. Autore e sulmit është një 39-vjeçare gjermane, e cila u vu në pranga nga policia dhe pritet të dërgohet në gjykatë.

Hetuesit janë duke sqaruar motivet e saj, por për momentin nuk ka të dhëna që sulmi të ketë prapavijë politike, etnike apo fetare. Dyshimet janë se gruaja, e cila ka vepruar e vetme, vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Stacioni në Hamburgun qendror, qyteti i dytë më i madh i Gjermanisë, është një qendër kryesore për trenat lokalë, rajonalë dhe të distancave të gjata. Sulmi bëri që të pezulloheshin një sërë udhëtimesh, ndërsa të tjera u devijuan. Kancelari gjerman Friedrich Merz tha se sulmi ishte “tronditës” dhe falënderoi shërbimet e emergjencës në terren për “ndihmën e tyre të shpejtë”.

Ky është i fundit në një seri sulmesh të dhunshme në Gjermani në muajt e fundit. Më i rëndi ishte ai i dhjetorit të kaluar, kur 6 persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën pasi një makinë u përplas me një turmë në një treg Krishtlindjesh në qytetin lindor të Magdeburgut.

Përpjekja e 21-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish nesër në përpjekjen e 21-të për konstituimin e Legjislaturës së nëntë, përcjell albinfo.ch.

Deputetët pritet të mblidhen nga ora 11:00 për të vazhdimin e 21 me radhë të seancës.

Të premtën ka dështuar përpjekja e 20-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sërish nuk u arrit të formohet komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Nën drejtimin e kryesuesit Avni Dehari, seanca nuk pati kuorum për vendimmarrje lidhur me komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi subjektet politike parlamentare PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK-Nisma nuk propozuan deputetë për anëtarë të këtij komisioni.

Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 53 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Derisa dështimi për konstituimin e Kuvendit po përsëritet, partitë politike vazhdojnë të kritikojnë njëra-tjetrën për bllokadën politike.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se Vetëvendosje e Albin Kurtit nuk i ka votat dhe e akuzojnë se e ka futur shtetin në izolim.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka thënë se kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, po zhvillon bisedime me kreun e Nismës, Fatmir Limajn, për të dalë nga ngërçi politik.

Kërçeli tha se beson që Kurti e Limaj kanë vazhduar bisedat edhe në 48 orët e fundit.

“Kurti është duke zhvilluar edhe disa bisedime me Nismën Socialdemokrate apo z.Limaj dhe po presim që në ditët në vijim, ngërçi të zgjidhet sa më shpejt. Besoj që bisedimet kanë vazhduar edhe 48 orët e fundit”, tha ai.

Në lidhje me situatën politike në vend, Limaj ditë më parë tha se së shpejti beson se do të krijohet shumica parlamentare. 

18-të ishte numri i të plagosurve në sulmin me thikë në Hamburg

Disa persona kanë pësuar lëndime që rrezikojnë jetën në një sulm me thikë në stacionin kryesor hekurudhor në qytetin gjerman të Hamburgut, tha Policia Gjermane në një raport, përcjell albinfo.ch.

Policia e Hamburgut tha se 18 persona u plagosën në sulmin në Stacionin Qendror të qytetit verior, rreth orës 18:00 sipas orës lokale, të premten.

Oficerët arrestuan një grua 39-vjeçare gjermane në vendngjarje, ndërsa po kryenin një operacion të madh.

Gruaja mbetet në paraburgim policor dhe është planifikuar të paraqitet në gjykatë të shtunën.

Në një postim në X, Policia e Hamburgut tha se disa persona të lënduar kishin pësuar lëndime kërcënuese për jetën.

Moda Ademi shkëlqen sërish në skenën e “Jaboro Nights” në Biel/Bienne

Tashmë 10-vjeçare, Moda Ademi performoi me shumë sukses në koncertin Jazz Pop Rock – Jaboro Nights, organizuar nga Musikschule Biel në sallën Aula BBZ/CFP, në datat 19-21 maj 2025, shkruan albinfo.ch.

Nxënësja e klasës së katërt, e cila tashmë ka një përvojë të hershme në skenë, fitoi duartrokitjet e publikut me paraqitjen e saj të sigurt dhe tërheqëse. Ky është viti i dytë që Moda ngjitet në këtë skenë, duke dëshmuar rritjen e saj artistike dhe dashurinë për muzikën.

Koncerti “Jaboro Nights” është një ngjarje e rëndësishme lokale që mbledh nxënësit muzikantë për të prezantuar talentin e tyre në zhanret Jazz, Pop dhe Rock, dhe Moda është tashmë një emër i njohur për të pranishmit.

Harvard: Ndalohet përjashtimi i të huajve, i kërkuar nga Trump

Një gjyqtar federal amerikan i ka dhënë fund përkohësisht planit të qeverisë amerikane për të parandaluar Universitetin e Harvardit të pranojë studentë të huaj përmes një programi të posaçëm federal.

Urdhri i ndalimit e pengon qeverinë amerikane të zbatojë vendimin. Megjithatë, ky nuk është një gjykim përfundimtar.

Universiteti kishte ngritur një padi në gjykatën federale kundër masës së qeverisë vetëm disa orë para vendimit të gjyqtarit. Në të, ajo akuzoi administratën e Presidentit Donald Trump se po përpiqej të ushtronte presion mbi universitetin me një masë hakmarrëse të paligjshme.

Fituesi i Eurovisionit: Në Vjenë nuk dua që Izraeli të jetë pjesë e garës

Tashmë dihet se JJ ngriti trofeun e mikrofonit prej xhami si fitues i Eurovisionit 2025. Ka pasur shumë pak kohë për pushim që atëherë për ekipin austriak, pasi ata kanë filluar përgatitjet për edicionin e vitit të ardhshëm, përcjell albinfo.ch.

Këngëtari i “Wasted Love” ka ndarë disa propozime të tij për mënyrën sesi do të donte të ndryshonte konkursi vitin e ardhshëm, në veçanti që Izraeli të mos jetë pjesëmarrës.

JJ: Është shumë zhgënjyese të shohësh që Izraeli ende merr pjesë

Gjatë Eurovisionit, të gjithë pjesëmarrësit ishin të detyruar të nënshkruanin një kod sjelljeje që u ndalonte të flisnin keq për ndonjë nga shtetet pjesëmarrëse, për të ruajtur frymën bashkuese të konkursit.

Tani që festivali ka përfunduar, JJ, emri i plotë Johannes Pietsch, ka ndarë disa nga mendimet e tij më të sinqerta me gazetën spanjolle “El País”.

“Është shumë zhgënjyese të shohësh që Izraeli ende merr pjesë në konkurs”, tha ai.

“Do të doja që Eurovisioni vitin e ardhshëm të mbahej në Vjenë, pa Izraelin. Por topi është në fushën e EBU-së. Ne, artistët, mund të flasim vetëm për këtë çështje.”

Komentet e këngëtarit të operës nga Austria janë në përputhje me ato të fituesit të Zvicrës në vitin 2024, Nemo. Edhe ai më parë ka mbështetur thirrjet për përjashtimin e Izraelit nga konkursi, për shkak të veprimeve të këtij shteti në Gaza, ku që nga tetori 2023 janë vrarë më shumë se 53.000 njerëz.

Dhjetëra ish-pjesëmarrës të Eurovisionit nënshkruan një letër të hapur drejtuar EBU-së para konkursit të vitit 2025, duke kërkuar përjashtimin e Izraelit nga gara.

Disa organizata ndërkombëtare e kanë akuzuar Izraelin për kryerje të krimeve të luftës dhe akte gjenocidi gjatë luftimeve, të cilat nisën pas një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit.

Nga 26 maji, Kosova nikoqire e “Defender Europe 25”

Mësohet se Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak, të drejtuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe për Afrikë, “Defender Europe 25”, përcjell albinfo.ch.

Siç ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes, ky ushtrim do të mbahet nga 26 maji deri më 9 qershor.

“Gjatë kësaj periudhe kohore, do të ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës,” thuhet në komunikatë.

Teksa ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për periudhën gjatë së cilës do të zhvillohet ushtrimi, Ministria ka thënë se FSK-ja, përmes ushtrimit, do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë SHBA-në, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Paris: Rajana me 4 medalje në garën ndërkombëtare të gjuhës angleze

Rajana Podvorica, nxënëse shqiptare nga Kosova, ka shkëlqyer në Paris duke fituar vendin e dytë dhe katër medalje në garën ndërkombëtare të gjuhës angleze, përcjell albinfo.ch.

Ajo mori pjesë në garën ndërkombëtare të gjuhës angleze Hi Lingua, e cila u mbajt në Paris, Francë.

Në këtë kompeticion prestigjioz, ku morën pjesë shumë nxënës nga vende të ndryshme të botës, Rajana arriti të sigurojë vendin e dytë dhe të fitojë katër medalje në kategori të ndryshme, duke dëshmuar njohuri të thella dhe talent të jashtëzakonshëm në gjuhën angleze.

Rajana njihet si një nxënëse shembullore dhe shumë e përkushtuar, dhe ky sukses është rezultat i punës së saj të vazhdueshme dhe mbështetjes së familjes dhe mësimdhënësve.