Vjedhje me thyerje në Rüti ZH: Arrestohet një kosovar

Policia e Kantonit të Cyrihut ka arrestuar një burrë herët të martën në mëngjes në Rüti, i cili më parë kishte hyrë me forcë në një apartament në një pallat apartamentesh.

Sipas Policisë së Kantonit të Cyrihut, rreth orës 03:40 të mëngjesit, një banor raportoi përmes numrit të emergjencës 117 se kishte dëgjuar zhurma të dyshimta që vinin nga një apartament fqinj, megjithëse fqinjët ishin me pushime, transmeton albinfo.ch. Disa patrulla të Policisë së Kantonit të Cyrihut u nisën menjëherë për në vendin e ngjarjes.

Ndërsa policët iu afruan ndërtesës, dy persona u larguan me vrap.

Policia arriti ta kapë dhe ta arrestojë një person që po ikte në këmbë. Gjatë arratisjes ai kishte hedhur mjete tipike për vjedhje, shkruan Zürich24. Hetimet fillestare zbuluan se në apartamentin e raportuar kishte ndodhur një vjedhje.

Hetimet për rrethanat e sakta të incidentit po vazhdojnë. Specialistët nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i Cyrihut (FOR) siguruan prova në vendngjarje. I arrestuari, një 41-vjeçar kosovar, do t’i referohet Prokurorisë Publike nën dyshimin për vjedhje me thyerje.

Kërkimi për të arratisurin e dytë po vazhdon. Është sekuestruar mjeti i dyshuar i përdorur për vjedhje me thyerje.

Anëtari i VV-së emërohet drejtor i ATK-së

Zyrtarisht, Mentor Hyseni është zgjedhur drejtor i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, ka njoftuar Ministria e Financave, përcjell albinfo.ch.

“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton se pas përmbylljes së procedurës së rekrutimit dhe në përputhje me kërkesat dhe kriteret ligjore, është përzgjedhur dhe emëruar drejtor i ri i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni. Procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale, duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për këtë pozitë me rëndësi të lartë. MFPT ka besim të plotë se z. Hyseni do të vazhdojë dhe avancojë punën e mirë që është bërë deri më tani, në shërbim të një administrate moderne, transparente dhe të drejtë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Në vitin 2019, Mentor Hyseni u prezantua si anëtar i ri i Lëvizjes Vetëvendosje.

Më herët, Hyseni ka qenë edhe kryesues i Bordit të Drejtorëve në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Kosovë: Për pak ditë 633 zjarre, 23 të arrestuar për zjarrvënie

Ditëve të fundit janë raportuar 633 zjarre në gjithë territorin e Kosovës, ndërsa aktualisht janë nëntë vatra aktive, bëri të ditur Agjencia për Menaxhim të Emergjencave (AME) në konferencë të përbashkët për media me Policinë e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Drejtori i AME-së, Genc Metaj, tha se shumica e zjarreve janë lokalizuar falë angazhimit të institucioneve, përfshirë edhe me ndihmën e KFOR-it në Kçiq të Vogël dhe Kamenicë.

Ai bëri thirrje për kujdes dhe paralajmëroi ndëshkime për çdo neglizhencë.

“Vendi po përballet me zjarre të shumta. AME-ja në koordinim me Policinë dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme është duke u angazhuar maksimalisht për të parandaluar 633 zjarre që janë raportuar gjatë ditëve të fundit. Falë angazhimit, zjarret kanë arritur të lokalizohen. Kemi pasur intervenim të KFOR në Kçiq të Vogël dhe në Kamenicë. Nëntë vatra aktive i kemi aktualisht. Gjendja aktuale në vend është stabile, por e brishtë për shkak të thatësirave dhe zjarrvënieve të qëllimshme. Ndalohen të gjitha format e zjarreve në ambiente të hapura të vendit. Çdo neglizhencë do të trajtohet seriozisht dhe do të pasojë me dënime ligjore. U apelojmë qytetarëve të angazhohen dhe të marrin veprimet parandaluese. Bashkëpunimi ndërinstitucional është në nivel të duhur. Sfidë është menaxhimi nga qytetarët”, tha Metaj.

Ndërsa, drejtori i Divizioni të komunikacionit rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi, bëri të ditur se janë arrestuar 23 persona dhe kanë trajtuar 193 raste që lidhen me zjarrvënie.

Ai kërkoi nga qytetarët të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, sidomos për shkak të temperaturave të larta.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim me AME-në po punon me kapacitet të plotë për të parandaluar zjarret dhe pasojat, qoftë tek njerëzit, qoftë në vendbanime. Policia në kuadër të bashkëpunimeve iu ka përgjigj të gjithave rasteve të raportuara. Janë arrestuar 23 persona dhe trajtuar 193 raste që kanë të bëjnë me shkaktimin e zjarreve. Apelojmë që të kenë kujdes që nga pakujdesia mos të shkaktohet zjarri. Nga temperaturat e larta mundësitë janë më të mëdha për zjarr. U apeloj qytetarëve të kenë kujdes që të kemi më pak zjarre dhe të kemi më shume siguri për banorët”, tha Rexhepi./EO

Gjykata jep detaje: Vrasja në Baicë s’u krye vetëm nga një person

T.K. dyshohet se nuk e ka kryer i vetëm vrasjen e Enver Bajraktarit në Baicë të Lipjanit, përcjell albinfo.ch.

Në një njoftim për media, Gjykata ka dhënë detaje për rastin në të cilin T.K. ka pranuar fajin. Aty thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën në bashkëkryerje me persona ende të paidentifikuar deri më tani.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri T.K. mes datës 03.08.2025 ora 16:00 dhe datës 04.08.2025 rreth orës 12:10, në fshatin Baicë, Komuna e Lipjanit, për shkak te mosmarrëveshjeve paraprake mes vete, me dashje e në bashkëkryerje edhe me persona ende të paidentifikuar deri më tani, në mënyrë dinake dhe mizore privojnë nga jeta tani të ndjerin E.B., në atë mënyrë që i ndjeri E. me datën 03.8.2025 rreth orës 16:00 kishte dal nga shtëpia duke e dërguar gjedhen e tij për kullos në livadhet e fshatit dhe aty i njëjti fillimisht goditet me mjete të forta në kokë dhe trup, më pas ngulfatet dhe trupi i tij tërhiqet zvarrë për disa metra duke kaluar përmes një arre të mbjellë me misër dhe aty fillimisht hiqen disa rrënje misri, gërmohet një gropë me thellësi mbi 1m, më pas brenda saj vendoset trupi i pajetë i të ndjerit, e sipër të cilit vendosen dërrasa dhe më pas gropa mbulohet me dhe, kurse aty rivendosen rrënjët e misrit. Më pas me datën 04.8.2025 rreth orës 12:10 familjarët e viktimës duke bërë kërkime nëpër zona të fshatit arrijnë ta gjejnë viktimën e varrosur pa shenja jete, me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Vrasje e Rëndë”, thuhet në njoftim.

Sot Gjykata vendosi për masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit.

Zjarr i madh në Winterthur, ndërpritet trafiku hekurudhor

Një zjarr i madh shpërtheu të mërkurën pasdite në lagjen Grüze të Winterthurit, duke përfshirë plotësisht një garazh makinash pranë kompanisë publike të shërbimeve Winterthur, transmeton albinfo.ch.

Flakët dhe tymi i dendur që ngrihej nga ndërtesa ishin të dukshme nga larg, siç tregojnë fotot dhe videot e publikuara nga dëshmitarë okularë. Pamjet tregojnë zjarrin që del nga tavani, ndërsa re të mëdha tymi përhapen mbi zonë.

Shërbimi zjarrfikës është në vendngjarje me shumë njësi emergjente, ndërkohë që trafiku hekurudhor në zonë është ndërprerë për shkak të afërsisë me linjat hekurudhore.

Nuk dihet ende nëse ka të lënduar apo çfarë e shkaktoi zjarrin. Autoritetet janë duke hetuar ngjarjen, shkruan 20 minute. https://www.20min.ch/story/winterthur-grosser-brand-ausgebrochen-feuerwehr-vor-ort-103397467

Zvicra drejt energjisë bërthamore: Këshilli Federal mbështet ndërtimin e centraleve të reja

Qeveria federale zvicerane ka dhënë dritën jeshile për ndërtimin e centraleve të reja bërthamore, duke bërë një hap të madh në drejtim të ndryshimeve në politikën energjetike të vendit, përcjell albinfo.ch.

Të mërkurën, Këshilli Federal konfirmoi zyrtarisht kundërpropozimin indirekt ndaj të ashtuquajturës “Iniciativa e Errësimit”, duke propozuar heqjen e ndalimit ligjor për ndërtimin e centraleve të reja bërthamore, i cili është në fuqi që nga viti 2018, si pjesë e Strategjisë së Energjisë 2050, shkruan 20 minute.

Ministri i Mjedisit, Albert Rösti, i njohur për qëndrimin e tij pro energjisë bërthamore, ka mbështetur këtë vendim për muaj me radhë. Tani, me konfirmimin nga Këshilli Federal, kjo mbështetje është zyrtarizuar.

Kundërpropozimi nuk kërkon ndryshim kushtetues, siç kërkon iniciativa origjinale, por vepron në nivelin e ligjit, gjë që mund të përshpejtojë procesin e miratimit dhe zbatimit.

Ky zhvillim shënon një kthesë të rëndësishme në politikën energjetike të Zvicrës, në një kohë kur vendi përballet me sfida të mëdha për garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji në të ardhmen.

Po voziste 231 km/orë: Policia ndalon 18-vjeçarin në A7 drejt Cyrihut

Raportohet se një 18-vjeçar italian është ndaluar nga policia kantonale e Thurgaut, pasi u kap duke udhëtuar me 231 km/orë në autostradën A7, në drejtim të Cyrihut. Ngjarja ka ndodhur të shtunën herët në mëngjes, rreth orës 03:45, përcjell albinfo.ch.

Radari i policisë regjistroi shpejtësinë ekstreme të mjetit pranë zonës së Frauenfeldit. Pas zbritjes së kufirit të tolerancës teknike, rezultoi se drejtuesi e kishte tejkaluar me 106 km/orë kufirin e lejuar prej 120 km/orë.

Si pasojë, i riu humbi menjëherë lejen e drejtimit, e cila iu konfiskua nga autoritetet. Policia ka konfirmuar se rasti është dërguar në prokurori, ku 18-vjeçari do të përballet me akuza për shkelje të rënda të rregullave të trafikut.

Ngjarja konsiderohet si një rast klasik i “Raserei”, një term që në Zvicër i referohet ngarjes me shpejtësi ekstreme dhe të rrezikshme, e cila trajtohet si vepër penale me pasoja serioze, shkruan 20 Minuten.

https://www.20min.ch/story/frauenfeld-mit-231-kmh-richtung-zuerich-gerast-polizei-stoppt-18-jaehrigen-103397445

Zvicra drejt kartëmonedhave të reja, publikohen 12 dizajnet, hapet konsultimi publik

Banka Kombëtare Zvicerane (SNB) ka zbuluar 12 dizajnet e para për serinë e re të kartëmonedhave me temën “Zvicra dhe lartësitë e saj të mëdha”. Tani, publiku zviceran ka mundësinë të japë mendimin e tij përmes një ankete që do të zgjasë deri më 7 shtator 2025, ndërsa një bord këshillimor i ekspertëve do të bëjë vlerësimin profesional të tyre, transmeton albinfo.ch.

Gjashtë dizajnet më të vlerësuara do të kalojnë në fazën e dytë të konkursit, ndërsa fituesi do të shpallet në fillim të vitit 2026. Kartëmonedhat e reja nuk priten të futen në qarkullim para fillimit të viteve 2030.

Dizajnet përfshijnë tema si: mjediset e jetesës, topografia dhe identiteti kombëtar, inovacioni dhe tradita, ndryshimet klimatike, flora dhe fauna, si dhe kontributet kulturore dhe shkencore nga rajone të ndryshme të Zvicrës. Çdo koncept sjell një qasje unike, që kombinon elemente vizuale moderne me vlera të thella historike dhe kulturore, shkruan Blick.

Ky projekt synon të reflektojë diversitetin natyror, kulturor dhe teknologjik të Zvicrës, duke ruajtur sigurinë dhe estetiken në dizajnin e kartëmonedhave të së ardhmes.

Secili koncept sjell një qasje unike, duke reflektuar diversitetin natyror, kulturor dhe teknologjik të Zvicrës:

Koncepti A paraqet mjediset e jetesës dhe lidhjen mes njeriut, natyrës dhe ushqimit.

Koncepti B kombinon dritën, topografinë dhe temat kombëtare si uji, kërkimi dhe vizioni.

Koncepti C fokusohet në identitetin kombëtar përmes gjeologjisë dhe jetës sociale.

Koncepti D thekson përparimin përmes peizazheve malore dhe kontributeve inovative.

Koncepti E ndërlidh habitate natyrore me krijimtari njerëzore dhe trashëgimi rajonale.

Koncepti F shtjellon ndryshimin dhe qëndrueshmërinë në një narrativë të vazhdueshme.

Koncepti G vendos në dialog inovacionin shkencor dhe traditat tipike zvicerane.

Koncepti H përdor gurin dhe peizazhet për të simbolizuar qëndrueshmërinë dhe identitetin.

Koncepti I përshkruan një udhëtim vizual nëpër Zvicër, nga ultësirat te majat alpine.

Koncepti J kombinon bimësinë vendase me arritjet kulturore dhe teknologjike.

Koncepti K kap “shpirtin e vendit” përmes peizazheve dhe ndjesive simbolike.

Koncepti L e përshkruan Zvicrën si një ekosistem të gjallë në ndërveprim të vazhdueshëm.

Pas përfundimit të anketës publike dhe vlerësimit nga bordi këshillimor i ekspertëve, gjashtë dizajnet më të vlerësuara do të kalojnë në fazën finale të konkursit. Fituesi do të shpallet në fillim të vitit 2026, ndërsa kartëmonedhat e reja pritet të hyjnë në qarkullim në fillim të viteve 2030. /Albinfo.ch

Korriku, muaji më i suksesshëm ndonjëherë për Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shënuar një tjetër rekord historik. Vetëm gjatë muajit korrik 2025, aeroporti u shfrytëzua nga plot 458,348 pasagjerë, duke e bërë atë muajin më të suksesshëm ndonjëherë në historinë e aeroportit, transmeton albinfo.ch.
Krahasuar me korrikun e vitit 2024, ka pasur një rritje prej 9.24% në numrin e pasagjerëve, ndërsa numri i fluturimeve u rrit për 8.11%, duke arritur në 3,298 fluturime për dhe nga Prishtina (krahasuar me 2,958 fluturime dhe 419,578 pasagjerë në korrik 2024).
“Duke fluturuar drejt horizonteve më të larta!”,  ky është mesazhi që shoqëron statistikat e publikuara në faqen zyrtare të Aeroportit në rrjetet sociale, që pasqyrojnë një trend të qëndrueshëm të rritjes.
Rekordi i korrikut nuk është rastësor,  ai vjen si vazhdimësi e një performance të jashtëzakonshme që ka karakterizuar çdo muaj të vitit 2025. Që nga janari, Aeroporti ka parë rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtët muaj të vitit paraprak:
Janari: +19.8%
Shkurti: +16%
Marsi: +11%
Prilli: +22%
Maji: +13%
Qershori: +17%
Ky ritëm i rritjes e ka pozicionuar Aeroportin e Prishtinës si një nga më të shpejtë-rritësit në Evropë. Sipas një raporti të fundit nga ACI Europe, Aeroporti i Prishtinës renditet i katërti në listën e aeroporteve me rritjen më të madhe të trafikut që nga viti 2019  me një rritje prej 72.1% në numrin e pasagjerëve.
Për më tepër, në vitin 2024 Aeroporti theu një tjetër rekord duke tejkaluar për herë të parë katër milionë pasagjerë brenda një viti, një dëshmi e qartë e rolit gjithnjë e më të rëndësishëm që ka në rajon dhe për diasporën. /Albinfo.ch

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë viziton Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, realizoi një vizitë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ku pati mundësinë të njihet nga afër me funksionimin dhe operacionet e përditshme të aeroportit, përcjell albinfo.ch.

Gjatë vizitës, ambasadori Sprecher u prit me mikpritje dhe mori një guidë përmes ambienteve të aeroportit, përfshirë edhe zonat prapa skenës, duke u njohur më për së afërmi me mënyrën se si organizohet dhe menaxhohet ky institucion jetik për lidhjen ajrore të Kosovës me botën.

Kosova dhe Zvicra janë të lidhura ngushtë përmes fluturimeve të përditshme që përbëjnë një urë të rëndësishme komunikimi, sidomos për diasporën e madhe kosovare në Zvicër. Aeroporti i Prishtinës luan një rol kyç në këtë drejtim, duke shërbyer si nyje strategjike për lëvizjen e udhëtarëve dhe zhvillimin ekonomik.

Ambasada e Zvicrës në Kosovë shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe shumëvjeçar me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, bashkëpunim që ka ndihmuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Një falënderim i veçantë u drejtohet Aeroportit Ndërkombëtar LIMAK Kosova, Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës (KANS), si dhe stacionit policor të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për organizimin dhe kontributin e tyre të çmuar gjatë vizitës.

Zelensky shkon në Berlin për takimin me Trumpin

Sot, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të vizitojë Berlinin për t’u bashkuar me kancelarin gjerman, Friedrich Merz, për bisedime me udhëheqësit evropianë dhe amerikanë përpara samitit Trump-Putin më vonë këtë javë, ka thënë qeveria gjermane, përcjell albinfo.ch.

Merz-i ka organizuar një seri takimesh virtuale të mërkurën, në një përpjekje për të dëgjuar zërin e udhëheqësve evropianë dhe ukrainas, përpara një samiti nga i cili ata janë lënë mënjanë, raporton AP.

Zelensky pritet të takohet fillimisht me udhëheqësit evropianë, në përgatitje të një telefonate virtuale me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe zëvendëspresidentin JD Vance rreth një orë më vonë.

Një telefonatë midis udhëheqësve të vendeve të përfshira në “koalicionin e të vullnetshmëve”, ata që janë të përgatitur të ndihmojnë në kontrollin e çdo marrëveshjeje të ardhshme paqeje midis Moskës dhe Kievit, do të zhvillohet e fundit.

Të mërkurën, Merz-i është zotuar të ndihmojë Ukrainën të zhvillojë sistemet e veta të raketave me rreze të gjatë veprimi, që do të jenë të lira nga çdo kufizim i imponuar nga Perëndimi në përdorimin dhe objektivat e tyre, ndërsa qeveria e Kievit lufton për të sprapsur pushtimin e Rusisë.

Zelensky e ka vizituar për herë të fundit Berlinin në fund të majit.

Takimi Trump-Putin do të zhvillohet të premten në Alaska.

Kosovë: 11 armë zjarri të sekuestruara në 24 orët e fundit

Në 24 orët e fundit janë sekuestruar 11 armë zjarri në Kosovë. Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, janë sekuestruar nëntë pistoleta e dy pushkë, si dhe katër thika, përcjell albinfo.ch.

Në një rast në fshatin Gramaçcel të Deçanit, gjatë një bastisje në pronat e tyre janë gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta me leje, dy pushkë, pajisje për mirëmbajtje të armëve, rreth 110 fishekë, si dhe katër thika dhe afro 1.5 gram marihuanë. Po ashtu u sekuestruan dy vetura për shmangie doganore. U ndaluan dy burra e dy gra, ndërsa me vendim të prokurorit ata më pas u liruan në procedurë të rregullt. 

Fsh. Gramaçel, Deçan 12.08.2025-09:30.Janë arrestuar tre të dyshuar, një mashkull kosovar dhe dy femra, njëra kosovare dhe tjetra me shtetësi të huaj, pasi që gjatë bastisjes në pronat e tyre janë gjetur dhe konfiskuar;  një pistoletë (me leje) me 16 fishekë, një pushkë,  një pistoletë (me leje) me karikator dhe me 24 fishekë, pajisje për mirëmbajtje të armëve, një pushkë, gjithsej 110 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër thika si dhe sasi të vogla substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë rreth 1.5 gram. Po ashtu, janë sekuestruar dy automjete për shmangie doganore, të cilat janë proceduar tek Dogana e Kosovës. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia e Kosovës. 

Pistoleta janë sekuestruar edhe në Lipjan, Drenas, Obiliq, Fushë-Kosovë, e Skënderaj dhe dy në Rahovec – në fshatrat Xërxë dhe Polluzhë.

Tre persona u dërguan në mbajtje e rastet tjera shkuan në procedurë të rregullt. 

Rastet e raportuara në Polici: 

MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR I ARMËVE /PËRDORIM I ARMËS APO MJETIT TË RREZIKSHËM

Lipjan 29.05.2025-08:30. Është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare pasi që muaj më parë kishte publikuar një video në rrjet social duke shtënë me armë zjarri. Pistoleta është sekuestruar dhe me vendim të prokurorit e dyshuara është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

Gllogoc 12.08.2025-18:30. Raportohet se njësiti policor nga i dyshuari mashkull kosovar  ka konfiskuar armën e zjarrit me një karikator me 27 fishekë pasi që i njëjti gjatë ahengut familjar dyshohet se ka shtënë me të. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

KANOSJE/PËRDORIM I ARMËS APO MJETIT TË RREZIKSHËM

Plemetin, Obiliq 12.08.2025-20:40. Njësiti policor gjatë patrullimit ka hasur të dyshuarin mashkull kosovar i cili me vete kishte një armë zjarri. Nga i dyshuari arma e zjarrit me shtatë fishekë dhe dy gëzhoja janë konfiskuar, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

KANOSJE/ MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR I ARMËVE

Rr. Gjergj Fishta, Fushë Kosovë 12.08.2025-18:12. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti pas një mosmarrëveshje ka kanosur viktimën mashkull kosovar duke i drejtuar armën e zjarrit. Nga i dyshuari është konfiskuar arma e zjarrit me një karikator me 9 fishekë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR I ARMËVE

Fsh. Gramaçel, Deçan 12.08.2025-09:30. Janë arrestuar tre të dyshuar, një mashkull kosovar dhe dy femra, njëra kosovare dhe tjetra me shtetësi të huaj, pasi që gjatë bastisjes në pronat e tyre janë gjetur dhe konfiskuar;  një pistoletë (me leje) me 16 fishekë, një pushkë,  një pistoletë (me leje) me karikator dhe me 24 fishekë, pajisje për mirëmbajtje të armëve, një pushkë, gjithsej 110 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër thika si dhe sasi të vogla substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë rreth 1.5 gram. Po ashtu, janë sekuestruar dy automjete për shmangie doganore, të cilat janë proceduar tek Dogana e Kosovës. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR I ARMËVE

Fsh. Xërxë, Rahovec 12.08.2025-01:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri. Pistoleta me një karikator me pesë fishekë dhe pesë gëzhoja janë sekuestruar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Fsh. Polluzhë, Rahovec 11.08.2025-21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në një aheng familjar. Pistoleta me një karikator është sekuestruar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt.

KANOSJE/ MBAJTJE NË PRONËSI, KONTROLL OSE POSEDIM TË PAAUTORIZUAR I ARMËS

Fsh. Abri e Poshtme, Skenderaj 12.08.2025-19:30. Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi që, i njëjti  kishte ekspozuar një armë të zjarrit. Nga i dyshuari është sekuestruar  një revole. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit dërgohet në mbajtje.

Vazhdon lufta me zjarret në Shqipëri

Vera e sivjetme ka bërë që shumë zona në Shqipëri të përfshihen nga zjarret, duke shkaktuar dëme të shumta.

Veç dëmeve në infrastrukturë e në shkrumbim të maleve të tëra, të martën është regjistruar një viktimë në zonën e Elbasanit. Atje raportohet se një 80-vjeçar ka vdekur si pasojë e asfiksisë, pasi i njëjti dyshohet se i kishte vënë zjarrin oborrit të tij, duke shkaktuar kështu djegien e gjashtë fshatrave në zonën e Gramshit.

Ndërkaq, sot, mediat në Tiranë po raportojnë edhe për një viktimë në këtë zonë, ndonëse nuk ka konfirmim zyrtar.

Agjencia e lajmeve “Reuters” ka shkrepur pamje nga aksioni i zjarrfikësve për shuarjen e zjarreve në Delvinë, të cilat mund t’i shihni më poshtë.

Dy makina dëmtohen në Mitrovicë si pasojë e një shpërthimi

Raportohet se dy makina janë dëmtuar në Mitrovicë të Jugut si pasojë e një shpërthimi, ka njoftuar Policia e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Në vendin e ngjarjes është gjetur një dorëz e granatës, që është marrë si dëshmi materiale. Rasti po hetohet. 

Rr. Dëshmorët e Kombit, Mitrovicë Jugu 10.08.2025-00:50. Raportohet se si pasojë e një shpërthimi janë dëmtuar dy automjete prona të dy ankuesve meshkuj kosovarë. Në vendin e ngjarjes është gjetur një dorëz e granatës dhe e njëjta është konfiskuar si dëshmi materiale. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori kujdestar i cili rastin e ka cilësuar si më lartë dhe rasti mbetet nën hetime”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sot mbyllet afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet lokale

Mësohet se sot do të përfundojë afati për certifikim të subjekteve politike dhe të kandidatëve të tyre për zgjedhje lokale të 12 tetorit, përcjell albinfo.ch.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Partive Politike në KQZ, Besnik Buzhala dje tha se të mërkurën do të përfundojë afati për certifikim të subjekteve politike dhe të kandidatëve të tyre për zgjedhje lokale të 12 tetorit.

“Periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike dhe të kandidatëve të tyre për zgjedhjet lokale të datës 12 tetor 2025 përfundon me datë 13 gusht në orën 23:59. Lidhur me aplikimin për certifikim gjithsej dhjetë subjekte politike e kanë përfunduar aplikimin përmes platformës digjitale e cila është lansuar nga KQZ dhe e cila platformë përdoret për herë të dytë në këto zgjedhje lokale”, deklaroi ai.

Xherdan Shaqiri: Lojtari që nuk kursehet në kritika ndaj bashkëlojtarëve dhe gjyqtarëve

Ylli i Baselit, Xherdan Shaqiri, ka pritje të larta, jo vetëm nga vetja, por edhe nga të gjithë rreth tij. Kjo shpesh e vendos atë në debate me bashkëlojtarët dhe gjyqtarët gjatë ndeshjeve, transmeton albinfo.ch.

Në triumfin e Baselit sezonin e kaluar, karakteri kritik i Shaqirit ishte i dukshëm. Në sezonin e ri, kjo karakteristikë është edhe më e shprehur. Shaqiri nuk ngurron të qortojë gjyqtarët që nuk fishkëllen ose nuk tregojnë karton, kundërshtarët agresivë, dhe madje edhe shokët e ekipit kur nuk luajnë sipas standardeve të tij. Pas humbjes 2:1 nga St. Gallen, ai madje bëri kritika publike para gazetarëve. Nuk duket të ketë rëndësi sa mirë luan vetë Shaqiri, apo rezultati i ndeshjes  qoftë një humbje 1:3 në Lugano, apo fitorja 4:1 ndaj Young Boysit.

Shaqirit i lejohet të kritikojë më shumë

Ndërsa çdo lojtar ka të drejtë të ankohet, Shaqirit i lejohet dhe madje i kërkohet të shprehet më shumë se të tjerët në ekip. Presioni më i madh bie mbi të, dhe CV-ja e tij e bën liderin natyral të skuadrës. Ankesa e tij ka ndihmuar ekipin të kuptojë se vetëm duke kërkuar më shumë, Baseli mund të fitonte titullin dhe kupën sezonin e kaluar.

Lojtari që i duhet ekipit

Nëse tani Shaqiri po kritikon më shpesh dhe po përdor fjalët inkurajuese më rrallë, kjo mund të tregojë se ekipi nuk ndodhet aty ku ai dëshiron. Me dy ndeshje të rëndësishme për Ligën e Kampionëve deri në fund të gushtit, kjo qasje mund të ndikojë shumë në sezon. Kjo është pikërisht ana e Shaqirit që skuadra ka nevojë,  ai kërkon më shumë nga bashkëlojtarët sesa ata besojnë se mund të arrijnë.

Megjithatë, edhe për një lojtar me statusin e Shaqirit ekziston një kufi: mënyra se si kritikët ndikojnë tek shokët e ekipit. Një fjalë e drejtë mund të nxisë performancë, por gjithashtu mund të frikësojë, duke bërë që lojtarët të mos marrin rreziqe.

Gjendja mendore e lojtarëve të Baselit pas katër ndeshjeve të para,  dy fitore dhe dy humbje  mbetet ende e paqartë. Do të ketë më shumë përgjigje rreth ndikimit të stilit kritik të Shaqirit deri në fund të gushtit. (Basler Zeitung)

Tifozët shqiptarë të Sunderland-it mirëpresin Granit Xhakën me flamurin kuqezi

Granit Xhaka, futbollisti i njohur shqiptar që prej verës i është bashkuar skuadrës së Sunderland-it në Premier Ligën angleze, është pritur me ngrohtësi nga disa tifozë shqiptarë të klubit, transmeton albinfo.ch.

Pas një prej stërvitjeve të ekipit, disa tifozë kuqezi u mblodhën për të takuar mesfushorin, duke mbajtur me vete flamurin kombëtar shqiptar. Ata pozuan së bashku me Xhakën, duke e mirëpritur atë në klubin e ri dhe duke i shprehur mbështetjen e tyre të plotë.

Fotot e takimit janë shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke ngjallur entuziazëm te tifozët shqiptarë kudo në botë. Ky gjest simbolik jo vetëm që tregon lidhjen e fortë mes sportistit dhe komunitetit shqiptar, por edhe krenarinë që ndjehet për përfaqësimin e flamurit kuqezi në një nga kampionatet më prestigjioze të futbollit botëror.

Xhaka pritet të ketë një rol kyç në mesfushën e Sunderland-it gjatë këtij sezoni, ndërsa tifozët shqiptarë premtojnë ta mbështesin në çdo hap të karrierës së tij në Premier Ligë.

Këln: Endrit Smaili paraqet punim shkencor në Kongresin Ndërkombëtar të Papirologjisë

Në kuadër të Kongresit Ndërkombëtar të Papirologjisë, i mbajtur më 28 korrik deri më 2 gusht në Këln, Gjermani, studiuesi Endrit Smaili prezantoi një pjesë të studimeve të tij postdiplomike, transmeton albinfo.ch.

Punimi i tij, me titull “Akti i shitjes në Antinoopolis (1): cheirographa-t”, trajton diplomatiken e kontratave greke të shitjes të prodhuara ndërmjet viteve 325 dhe 569 në qytetin e Antinoopolisit në Egjipt, i themeluar në vitin 130 si eponim i Antinoousit, të preferuarit të perandorit romak Hadrianit (117-138).

Smaili shpjegoi se këto akte, të njohura si cheirographa (dorëshkrime), përmbanin klauzola të bazuara në të drejtën kontraktuale romake dhe greke, duke imponuar dhe dëshmuar realizimin e transaksioneve. Një veçanti e tyre ishte se hartoheshin nga noterë privatë, ndryshe nga periudhat e mëhershme, kur përdorej vetëm notariati publik. Struktura dhe forma e akteve reflektonin reformat administrative të perandorit Dioklecian (284-305), si dhe standardizimet e perandorit Justinian (527-565).

Kjo kumtesë është pjesë e temës së diplomës së tij me titull “Shitblerja në Afrodité: editim, përkthim dhe komentim i akteve greke të shitjes në arkivat e Dioskorit të Afrodités dhe të Phoibammônit/Kollouthosit”, e realizuar në École Pratique des Hautes Études, Paris.

Smaili shprehu mirënjohje për profesorin Jean-Luc Fournet, i cili mbikëqyri punën e tij kërkimore, si dhe për pjesëmarrësit e kongresit, të cilët me pyetjet dhe komentet e tyre e ndihmuan të thellonte reflektimin mbi disa aspekte të studimit./Albinfo.ch

Kulturë dhe miqësi: Austriakët vizitojnë Kosovën

Një grup nga Austria ka mbërritur në Kosovë për një vizitë kulturore dhe artistike, gjatë së cilës do të shëtisin në disa qytete dhe vende të njohura turistike të vendit, transmeton albinfo.at.

Në axhendën e tyre përfshihen vizita në Shpellën e Gadimes, qendrën rekreative të Gërmisë dhe atraksione të tjera natyrore e kulturore.

Më 15 gusht, ky grup do të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtar “Folk Festival – Anamorava” që mbahet në qytetin e Vitisë. Po ashtu, ata do të zhvillojnë një koncert të përbashkët me ansamblin “Kastriotët” nga Ferizaj, duke sjellë para publikut një bashkim të traditave artistike austriake dhe shqiptare.

Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, ky grup austriakësh do të kenë edhe takime me zyrtarë të ndryshëm lokalë dhe do të marrin pjesë në aktivitete të tjera të planifikuara.

Ky organizim është mundësuar nga Shoqata “Internacionale” Kapfenberg – Austri, nën udhëheqjen e kryetarit Naim Sadiku, i cili ka theksuar rëndësinë e këmbimit kulturor mes dy vendeve dhe miqësisë së ndërsjellë. /Albinfo.at

VIDEO

Një orë pritje në dalje të pikës Mërdarë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat, duke bërë të ditur se nuk ka pritje të gjata të mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë, ndërkohë, në dalje, pritjet janë deri në 1 orë pritje në pikën Merdarë, shkruan albinfo.ch.

Pritjet vijojnë edhe në pikën Jarinje deri në 40 minuta, Mutivodë deri në 30 minuta, Dheu i Bardhë deri në 20 minuta.

Në pikat tjera nuk raportohen pritje. /Albinfo.ch

”The Telegraph”: Zelensky gati të dorëzojë territore për paqe

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duket i gatshëm të relaksojë qëndrimet e tij në negociata dhe të pranojë dorëzimin zyrtar të disa territoreve për Rusinë në këmbim të paqes, një opsion që administrata Trump e ka konsideruar të pashmangshëm. Kushti kryesor i Zelenskyt mbetet përfshirja e garancive të sigurisë për Ukrainën, të cilat janë pjesë e planit të aleatëve evropianë, raporton gazeta britanike “The Telegraph”, e cila ka qenë një mbështetëse e Ukrainës në konfliktin me Moskën.

Sipas burimeve të afërta me çështjen, të cituara nga korrespondenti i “The Telegraph” në Bruksel, Zelensky ka paraqitur propozime konkrete gjatë takimeve të fundit me liderët evropianë, në prag të samitit të 15 gushtit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus Vladimir Putin.

Ai u ka kërkuar aleatëve të tij, veçanërisht britanikëve dhe Bashkimit Evropian, të mos pranojnë asnjë marrëveshje që mund të arrihet në mungesë të tij gjatë takimit bilateral në Alaska.

Megjithatë, Zelensky ka bërë të ditur se është i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje që do të nënkuptonte heqjen dorë nga kontrolli faktik i territoreve që Rusia ka pushtuar tashmë ushtarakisht, qoftë në tërësi ose pjesërisht (Krimea, rajonet e Luganskut, Donetsk ut, Zaporizhias dhe Khersonit), për sa kohë që kjo marrëveshje përfshin “planin evropian”.

Një zyrtar i lartë perëndimor, që ka folur në kushte anonimiteti, ka konfirmuar për gazetën se “lëshimet mund të kufizohen vetëm në vijën aktuale të frontit”.

Trump zgjat pezullimin e tarifave ndaj mallrave kineze për 90 ditë

Shtetet e Bashkuara dhe Kina ranë dakord të vazhdojnë armëpushimin tregtar për 90 ditë të tjera, vetëm pak orë para se të hynin në fuqi tarifa më të larta. Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi një urdhër për të shtyrë marrëveshjen deri më 10 nëntor, ndërsa Pekini po ashtu do të mbajë pezulluar tarifat shtesë ndaj SHBA-së.

Në bazë të marrëveshjes aktuale, SHBA ruan tarifat 30% mbi importet kineze, ndërsa Kina mban tarifat 10% mbi mallrat amerikane. Më parë këtë vit, tarifat kërcënuan të arrinin nivele shumë më të larta, por u ulën pas bisedimeve në Gjenevë.

Shtëpia e Bardhë thekson se kjo shtyrje do të shfrytëzohet për të vazhduar negociatat mbi pabarazitë tregtare dhe praktikat jo të drejta, duke u fokusuar edhe në zgjerimin e aksesit për eksportuesit amerikanë dhe çështjet e sigurisë kombëtare.

Tensionet mes SHBA-së dhe Kinës u përshkallëzuan në prill me vendosjen e tarifave të gjera, por armëpushimi në maj i ka lehtësuar marrëdhëniet tregtare, duke shmangur një konflikt më të thellë.