Zvicra reagon ndaj përpjekjeve të SHBA-së për të marrë kontrollin e Groenlandës

Qeveria zvicerane ka reaguar për herë të parë ndaj deklaratave të ish-presidentit amerikan Donald Trump lidhur me marrjen e kontrollit mbi Groenlandën, duke bërë të ditur qëndrimin e saj zyrtar pas një periudhe heshtjeje, përcjell albinfo.ch.

Ministria Federale e Punëve të Jashtme e Zvicrës ka theksuar se qëndrimi i vendit është i qartë dhe i bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Sipas saj, Groenlanda i përket Danimarkës dhe gëzon autonomi të gjerë.

“Çdo ndryshim i këtij statusi kërkon pëlqimin si të Danimarkës ashtu edhe të Groenlandës,” thuhet në deklaratën e Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme.

Në reagim po ashtu nënvizohet se rregullat e Kartës së Kombeve të Bashkuara zbatohen në mbarë botën, përfshirë ndalimin e përdorimit të forcës dhe ndalimin e ndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera.

Ky qëndrim i Bernës vjen në kohën e debateve ndërkombëtare lidhur me deklaratat e Donald Trump për Groenlandën, të cilat kanë nxitur reagime të shumta nga komuniteti ndërkombëtar. /Albinfo.ch

Trump në Davos: Vetëm SHBA mund ta sigurojë Grenlandën

Presidenti amerikan, Donald Trump, po mban fjalim para liderëve botërorë në forumin e Davosit në Zvicër.

Ai e nisi fjalimin me Amerikën, me saktë, me ekonominë amerikane, duke e lavdëruar atë. “Ekonomia po lulëzon”, tha ai, transmeton albinfo.ch.

Trump thotë se Evropa “nuk po shkon në drejtimin e duhur”, duke shtuar se “pjesë të Evropës janë bërë të panjohura”.

Sipas tij, “përqendrimi në energjinë e gjelbër dhe migrimi masiv po e lëndojnë Evropën”.

“E dua Evropën, dua ta shoh atë mirë, por nuk po ec në drejtimin e duhur”.

Trump thotë se asnjë vend në botë përveç Shteteve të Bashkuara nuk mund ta sigurojë Grenlandën.

Ai thekson para liderëve botërorë në Davos së Shtetet e Bashkuara kërkojnë bisedime të menjëhershme për ta përvetësuar Grenlandën.

“Nuk do ta përdor forcën”, nënvizon ai.

Liderët politikë e kujtojnë Rugovën në 20-vjetorin e vdekjes

Në 20-vjetorin e vdekjes, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mbajtur akademi përkujtimore për ish-presidentin Ibrahim Rugova, nga ku kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, tha se fjalët për të folur për të mungojnë fjalët, por thekson se Rugova nuk është njeri i momenti, por i kohës së gjatë, përcjell albinfo.ch.

“Rugovën nuk mund ta përshkruajmë si një figurë për fotografi, por si mendim që duhet kuptuar. Dhe Rugova nuk është i lehtë për t’u kuptuar me fjali të shkurtra e besa as edhe të bukura. Ai nuk është slogan. Nuk është britmë. Nuk është as figurë e shpejtë për duartrokitje. Ai është proces. Është rrugë e gjatë. Është durim që nuk dorëzohet. Prandaj, ky fjalim nuk do të jetë për ta madhështuar me fjalë të mëdha njeriun që nuk ka nevojë për madhështime. Do të jetë për ta kuptuar me mendje të qetë. Sepse Rugova nuk kërkon zë të lartë. Kërkon mendim të thellë. Njëzet vjet pa të na e kanë bërë të qartë një gjë: ai nuk ishte njeri i momentit, por i kohës së gjatë. Dhe njerëzit e kohës së gjatë nuk përshkruhen lehtë. Ata nuk maten me ngjarje të vetme, por me drejtimin që ia ndryshojnë historisë. Prandaj, sot nuk jemi këtu për të numëruar përvjetorë e vite. Jemi këtu për të pyetur veten: çfarë bëri ai me ne; dhe çfarë po bëjmë ne me atë që na la?”, tha ai.

Edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përkujtuar sot Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën.

Në vijim mesazhi i Begajt: Sot përkujtojmë Ibrahim Rugovën, Presidentin vizionar të Kosovës, që me urtësi, durim e mençuri projektoi Kosovën e pavarur e të lirë. Presidenti Rugova e mendoi të ardhmen e Kosovës të lidhur ngushtë me vlerat evropiane: demokracinë, të drejtat e njeriut, pluralizmin dhe shtetin e së drejtës. Vizioni i tij është sot një realitet. Trashëgimia e tij dëshmon se paqja, dialogu dhe orientimi drejt Evropës janë gurthemeli i shtetndërtimit dhe i së ardhmes së qëndrueshme.

Ish-presidenti Ibrahim Rugova e ka ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, pas homazheve pranë varrit të tij.

“Një meritë e jashtëzakonshme i takon presidentit Rugova për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, marrë parasysh se asaj kohe shumë pak dinte ku ndodhej Kosova dhe për problemet që ballafaqohej dhe ai arriti të depërtoj në qendra kryesore botërore, duke ndërkombëtarizuar çështjen shqiptare dhe duke shpërfaq terrorin dhe dhunën e Serbisë ndaj një populli të pafajshëm shqiptarë. Rugova gjithashtu ka rol të rëndësishëm në procese të ndryshëm, përfshirë në atë të Rambujesë, në themelimin e institucioneve të pasluftës, prandaj mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të historisë moderne të politikës dhe vendit tonë”, tha Basha.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në këtë përvjetor të ndarjes nga jeta, Rugovën e kujton me mirënjohje të përhershme.

“Me Presidentin Dr. Ibrahim Rugova pata nderin të bashkëpunoj në ditët e para të lirisë, në një periudhë vendimtare dhe jashtëzakonisht të ndjeshme të shtetndërtimit. Sot, në përvjetorin e 20-të të ndarjes së tij nga jeta, e kujtojmë me respekt të thellë dhe mirënjohje të përhershme. Me vizionin e tij shtetformues, ai i kushtoi rëndësi të veçantë forcimit të lidhjeve me Perëndimin, duke kultivuar miqësinë e përjetshme me Amerikën, veprime këto që i paraprinë pavarësisë dhe që vazhdojnë të mbeten themel i vizionit tonë si shtet”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Inteligjenca artificiale mund ta rrisë BPV-në e Zvicrës deri në 11 për qind

Inteligjenca artificiale (IA) mund ta rrisë Bruto Produktin Vendor (BPV) të Zvicrës deri në 11 për qind gjatë dhjetë viteve të ardhshme, duke dhënë një kontribut të konsiderueshëm në rritjen ekonomike të vendit, përcjell albinfo.ch.

Kjo teknologji e re ka potencialin të përshpejtojë ndjeshëm kapacitetin inovativ të Zvicrës dhe të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik afatgjatë.

Këto janë përfundimet e një studimi të ri të realizuar nga Implement Consulting Group, i porositur nga Google dhe digitalswitzerland, i cili u prezantua të martën në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në Davos.

Sipas studimit, inteligjenca artificiale gjenerative mund ta rrisë BPV-në e Zvicrës deri në 11 për qind brenda dekadës së ardhshme. Kjo rritje përkthehet në një potencial shtesë vjetor të krijimit të vlerës ekonomike prej rreth 80 deri në 85 miliardë frangash zvicerane.

Autorët e studimit theksojnë se shfrytëzimi efektiv i inteligjencës artificiale mund të forcojë konkurrueshmërinë e ekonomisë zvicerane dhe të krijojë mundësi të reja për inovacion në sektorë të ndryshëm./Albinfo.ch

Në Davos, Trump pritet të mbajë fjalimin më të ndjekur në WEF

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pritet të mbajë së shpejti fjalimin e tij në Forum Botëror Ekonomik (WEF) në Davos, një nga ngjarjet më të ndjekura të forumit, përcjell albinfo.ch.

Në fjalimet e tjera të ditës, Presidenti francez Emmanuel Macron kritikoi tarifat amerikane, duke i quajtur ato “thelbësisht të papranueshme, veçanërisht si një mjet për të ushtruar presion.” Ndërsa Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi mundësitë që Evropa ka për t’u përballur me sfidat gjeopolitike.

Presidenti zviceran Guy Parmelin në fjalimin e tij për WEF-theksoi rëndësinë e unitetit dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Qasja në fjalimin e Trump është shumë e kufizuar, duke lejuar vetëm pjesëmarrësit kryesorë të forumit në sallën e kongresit. Parashikohet që rreth një mijë vende të lira të zihen vetëm nga delegatët më të rëndësishëm.

Helikopteri i presidentit amerikan u ul në Davos në orën 14:00, ndërsa njerëzit filluan të grumbulloheshin para sallës së kongresit për të ndjekur fjalimin e tij, i cili është planifikuar të fillojë në orën 14:30.

Kurti në Davos takohet me kryeministrin e Luksemburgut, flasin për integrimet euroatlantike

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës, është takuar me Kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit (ZKM), Kurti ka shprehur mirënjohjen e tij për përkrahjen e vazhdueshme që Luksemburgu i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit.

Gjatë takimit, kryeministri Kurti ka theksuar progresin demokratik dhe ekonomik të vendit, si dhe synimet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe NATO. Ai ka falënderuar Luksemburgun për mbështetjen e dhënë në këto procese integruese.

Dy kryeministrat kanë diskutuar gjithashtu për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me fokus të veçantë në fushën e arsimit, investimeve, si dhe në rritjen e lidhjeve kulturore mes dy shteteve dhe popujve të tyre.

Takimi u zhvillua në kuadër të pjesëmarrjes së delegacionit të Kosovës në Forumin Ekonomik Botëror, i cili po mbahet në Davos të Zvicrës./Albinf.ch

Davos: Kurti takohet me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, në margjina të Forumit Ekonomik Botëror, transmeton albinfo.ch.

Referuar njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë këtij takimi është diskutuar mbi progresin ekonomik të Kosovës si dhe avancimin demokratik të vendit. Në fokus të bisedimeve ka qenë edhe Raporti i Vendit i Komisionit Evropian për vitin 2025, i cili, sipas palës kosovare, dëshmon vazhdimin e progresit të Kosovës në rrugën e integrimit evropian.

Në njoftim theksohet se Kosova ka qenë vendi më i përgatitur në Ballkanin Perëndimor në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat, ndërsa progresi demokratik i saj meriton të vlerësohet me këtë status.

Po ashtu, gjatë takimit janë trajtuar edhe çështje të situatës gjeopolitike, Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, bashkëpunimi rajonal si dhe zhvillimet aktuale. Sa i përket bashkëpunimit rajonal, kryeministri Kurti ka theksuar se Kosova luan një rol aktiv dhe konstruktiv, duke mbështetur integrimin më të gjerë ekonomik të rajonit, të bazuar në vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian./Albinfo.ch

Kompanitë nga Kosova prezantojnë produktet në panairin ndërkombëtar të industrisë së modës në Turqi

Kompanitë nga Kosova po vazhdojnë të forcojnë prezencën e tyre në tregjet ndërkombëtare, duke prezantuar produktet dhe krijimet e tyre në një nga panairet më prestigjioze të industrisë së modës. Me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) përmes KIESA-s, nëntë kompani kosovare po marrin pjesë në panairin ndërkombëtar “IF Wedding Fashion Izmir Fair 2026”, i cili po mbahet nga 20 deri më 22 janar 2026 në Izmir të Turqisë, transmeton albinfo.ch.

Në këtë ngjarje të rëndësishme për industrinë globale të modës, kompanitë kosovare Walone Fashion Group L.L.C, Baron-A Sh.P.K., D.P.Z. Atelea Vlora & Kaltrina, Minna Sh.P.K., Tabja 1 Sh.P.K., Diba Celina B.I., Zana Ardi Exclusive Sh.P.K., Blini BFH Sh.P.K. dhe Flurimi Sh.P.K. po prezantojnë koleksionet dhe krijimet e tyre përkrah rreth 200 brendeve ndërkombëtare.

Pjesëmarrja në një panair të këtij niveli u krijon mundësi të rëndësishme kompanive kosovare nga sektori i tekstilit dhe modës për të zgjeruar rrjetin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, për të depërtuar në tregje të reja dhe për të fituar përvojë në një konkurrencë globale. Njëkohësisht, kjo paraqet një platformë të rëndësishme për promovimin e kulturës, dizajnit dhe kreativitetit kosovar në skenën botërore të modës.

Panairi “IF Wedding Fashion Izmir Fair 2026” ka tërhequr një audiencë të gjerë prej rreth 20 mijë vizitorësh nga mbarë bota, përfshirë blerës profesionistë, stilistë të njohur, përfaqësues të mediave të specializuara dhe ekspertë të industrisë së modës.

Në kuadër të këtij panairi, Kosova ka siguruar një hapësirë ekspozuese të dedikuar për prezantimin e nëntë kompanive prodhuese vendore, në një sipërfaqe totale prej 585 metra katrorë, duke reflektuar seriozitetin dhe potencialin e sektorit kosovar të modës.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë deri më 22 janar 2026, ndërsa pjesëmarrja e kompanive kosovare vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së eksportit dhe ndërkombëtarizimit të produkteve vendore./Albinfo.ch

Osmani bën homazhe në varrin e Ibrahim Rugovës në 20-vjetorin e vdekjes së tij

Në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-presidentit Dr. Ibrahim Rugova, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me familjen Rugova dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh pranë varrit të tij në Velani, përcjell albinfo.ch.

Pas homazheve, Osmani e cilësoi Rugovën si atin themeltar të Republikës së Kosovës dhe arkitektin e pavarësisë, duke theksuar se ai i dha gjithçka shtetit dhe popullit të Kosovës.

lg.php.gif

“Sot është 20-vjetori i shkuarjes në amshim të atit themeltar të Republikës së Kosovës, arkitektit të pavarësisë së Kosovës, njeriut që i dha gjithçka Republikës sonë dhe ndërtoi vizionin për të ecur përpara edhe brezat që do të vijnë pas nesh”, deklaroi Osmani.

Presidentja theksoi se Rugova arriti të bashkojë të gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci, një vizion që, sipas saj, mbetet ende i gjallë.

Ajo vuri në pah edhe rolin e tij në ndërtimin e aleancave strategjike euroatlantike, të cilat i cilësoi si themel të shtetndërtimit të Kosovës.

“Presidenti Rugova ndërtoi këto aleanca me një vizion të pashoq, vizion ky që mbetet dritë udhërrëfyese për gjithsecilin prej nesh që e duam Kosovën më të fortë dhe të integruar në strukturat euroatlantike, aty ku Kosova dhe populli i saj e kanë vendin”, u shpreh Osmani.

Në përfundim, presidentja theksoi se nderimi për Ibrahim Rugovën do të jetë i përjetshëm, ndërsa vizioni i tij do të jetojë për aq kohë sa do të ekzistojë edhe shteti i Kosovës.

Këto kompani kosovare po prezantohen me shumë sukses në Swissbau 2026

Në Bazel të Zvicrës po mbahet panairi ndërkombëtar Swissbau 2026, një nga ngjarjet më të rëndësishme evropiane në fushën e ndërtimit, arkitekturës dhe industrisë së drurit, ku këtë vit 27 kompani kosovare po prezantohen me sukses të madh, shkruan albinfo.ch.

Panairi ka nisur më 20 janar dhe do të zgjasë deri më 23 janar 2026, duke mbledhur mijëra vizitorë, profesionistë të industrisë, arkitektë, dizajnerë dhe kompani nga mbarë bota. Kosova po përfaqësohet përmes kompanive anëtare të Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës (SHPDK), në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë.

Ndër kompanitë kosovare që po prezantojnë produktet dhe kapacitetet e tyre në Swissbau 2026 janë:

Mobileria Ardi, ALBED, VatëR 1954, Ukaj Company, Hoti Exclusive Woodwork, Promobi, Behari Doors, Ciaberto, Dardania Model, Delfina Home, Doçi, Relnor, Fenêtres Factory, Maxx Qeramika, Dardania Home, Lesna, GreenHouse, Orendi, Mobile Dekor, Shehu – Shkallë & Interior Design, si dhe kompani të tjera prodhuese dhe dizajni që përfaqësojnë fuqinë e sektorit kosovar të drurit dhe mobilieve, shkruan tutje albinfo.ch.

Këto kompani po prezantojnë produkte të ndryshme, duke përfshirë mobilieri moderne, dyer dhe dritare, produkte druri, dizajn interiori, shkallë, elemente ndërtimore dhe zgjidhje inovative për hapësira banimi dhe komerciale.

Pjesëmarrja në Swissbau 2026 po vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për kompanitë kosovare për të krijuar bashkëpunime të reja ndërkombëtare, për të zgjeruar rrjetin e partnerëve dhe për të promovuar cilësinë, dizajnin dhe profesionalizmin e industrisë vendore në tregun evropian.

Vizitorët mund t’i gjejnë kompanitë kosovare në Messe Basel, Halla 1.1, në stendat A90, A93, A95 dhe A98, ku ato do të vazhdojnë prezantimin e produkteve të tyre deri më 23 janar 2026.

Pjesëmarrja e Kosovës në Swissbau 2026 konsiderohet një dëshmi e rritjes së vazhdueshme të industrisë së drurit dhe ndërtimit, si dhe një hap i rëndësishëm drejt rritjes së eksportit dhe afirmimit të produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare./Albinfo.ch

 

20 vjet pa Ibrahim Rugovën, simbolin e paqes dhe shtetndërtimit

Sot shënohet 20-vjetori i vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ai ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake, përcjell albinfo.ch.

Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.

Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Dr. Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.

Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998., shkruan kp.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet nacionale më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.

Dr. Ibrahim Rugova vdiq më 21 kallnor 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.

Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

Ibrahim Rugova ka botuar këto vepra:

– Prekje lirike, Rilindja, Prishtinë, 1971,

– Kah teoria, Rilindja, Prishtinë, 1978,

– Bibliografia e kritikës letrare shqiptare 1944-1974, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976 (së bashku me Isak Shemën),

– Kritika letrare (nga De Rada te Migjeni), Rilindja, Prishtinë, 1979 (së bashku me Sabri Hamitin),

– Strategjia e kuptimit, Rilindja, Prishtinë, 1980

– Vepra e Bogdanit 1675-1685, Rilindja, Prishtinë, 1982,

– Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1986

– Refuzimi estetik, Rilindja, Prishtinë, 1987,

– Pavarësia dhe demokracia, Fjala, Prishtinë, 1991,

– Çështja e Kosovës, Dukagjini, Pejë, 1994,

– Kompleti i veprave të Ibrahim Rugovës në tetë vëllime, Faik Konica, Prishtinë, 2005

Çmimet dhe titujt ndërkombëtarë të Ibrahim Rugovës:

– Më 1995, Dr. Ibrahim Rugovës iu dha Çmimi për paqe i Fondacionit Paul Litzer në Danimarkë.

– Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Parisit VIII, Sorbonë, Francë.

– Më 1998, Dr. Ibrahim Rugovës iu nda Çmimi Saharov i Parlamentit Evropian.

– Në vitin 1999, Dr. Rugova mori Çmimin për paqe të qytetit Mynster, Gjermani, ndërsa u shpall qytetar nderi i qyteteve italiane: Venedik, Milano dhe Breshia.

– Në vitin 2000, Dr. Ibrahim Rugova mori çmimin për paqe të Unionit Demokratik të Katalonisë “Manuel Carrasco i Formiguerra” në Barcelonë, Spanjë.

– Në vitin 2004 Dr. Ibrahim Rugova u nderua me Çmimin e Evropës, Senator Nderi nga Fondacioni panevropian Coudenhove-Kalergi.

– U nderua gjithashtu nga Komonuelthi i Pensilvanisë (SHBA), “Mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

– Më 2004, Dr. Ibrahim Rugova u shpall Doktor Nderi (Honoris Causa) i Universitetit të Tiranës.

Austri: Kosovari dënohet me 1.5 vjet burg për vjedhje në stacionet e zjarrfikësve dhe në postë

 

Seria e vjedhjeve me thyerje në korrik 2024 në disa stacione zjarrfikëse dhe në postë në Draßburg është zgjidhur: Pas tre anëtarëve të bandës, tani është dënuar edhe udhëheqësi i tyre.

Kosovari 35-vjeçar u dorëzua te autoritetet austriake dhe pranoi fajësinë të martën, më 20 janar 2026, në Gjykatën Rajonale të Eisenstadt, të Austrisë, raportojnë mediat austriake, përcjell albinfo.at

Në mesin e korrikut 2024, ai dhe tre anëtarë të bandës kryen vjedhje me thyerje brenda një nate të vetme në stacionet e zjarrfikësve në Neunkirchen (Austria e Poshtme), Bad Sauerbrunn, Wiesen, Forchtenstein dhe Draßburg për të siguruar mjete të përshtatshme, të cilat i përdorën po atë natë për të thyer një bankomat në postë në Draßburg. Autorët u arratisën me 91,000 euro në para të gatshme.

 

Grabitësi i bankave kishte qenë në Kosovë

 

Ndërsa dy autorë u dënuan në janar 2025 dhe një tjetër në gusht 2025, kreu i bandës ishte ende i lirë. Kosovari 35-vjeçar kishte jetuar në Mattersburg dhe më pas kishte udhëtuar për në Kosovë për të vizituar familjen e tij. “Ai mësoi se kishte një urdhër arresti për të,” tha avokati i tij mbrojtës. Klienti i tij më pas u kthye vullnetarisht në Austri dhe informoi autoritetet se ku mund të gjendej dhe arrestohej, transmeton albinfo.at

Në gjykatë, i pandehuri pranoi se kishte planifikuar dhe kryer vjedhjet në stacionet e zjarrfikësve dhe në postën në Draßburg së bashku me tre bashkëpunëtorët e tij. Ai refuzoi të përgjigjej në pyetje të mëtejshme.

Gjatë gjyqeve të tyre, bashkëpunëtorët iu referuan 35-vjeçarit si “shefi”, i cili kishte zgjedhur stacionet e zjarrfikësve dhe kishte qenë i pranishëm në të gjitha vjedhjet. “Shefi” kishte fshehur gjithashtu shpërndarësin, të cilin e kishte vjedhur më parë nga një departament zjarrfikësish, në shtratin e një përroi në Draßburg para vjedhjes në partnerin e postës.

Pas pyetjeve të gjata nga prokurori dhe gjyqtari, i pandehuri më në fund pranoi pjesën e tij të plaçkës prej 15,000 eurosh. Më parë, ai kishte pretenduar se nuk kishte marrë asgjë.

 

Ish-gruaja u kërcnua me rrëmbim të fëmijës

Ai gjithashtu pranoi në gjykatë se e kishte kërcënuar ish-gruan e tij me rrëmbimin e djalit të tyre nëse ajo nuk do ta linte të dashurin e saj të ri. Ai deklaroi më tej se i kishte kërkuar asaj 15,000 euro, përndryshe do ta “merrte fëmijën në mënyrë që as CIA të mos ishte në gjendje ta gjente”, siç raportoi prokurori.

I pandehuri u dënua me tre vjet e gjysmë burg. Ai duhet t’i paguajë 15,000 euro Republikës së Austrisë; kjo shumë u shpall e konfiskuar. Vendimi është i formës së prerë.

Mislim Berisha shpall kandidaturën për Këshillin Bashkiak në Augsburg

Një numër gjithnjë e më i madh i mërgimtarëve nga Kosova në Gjermani po shënojnë arritje të rëndësishme në fusha të ndryshme të jetës shoqërore, ekonomike dhe politike. Së fundmi, një tjetër kosovar ka bërë hapin drejt angazhimit politik, duke shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Këshillin Bashkiak në Augsburg, në Gjermani, shkruan albinfo.ch.

Bëhet fjalë për Mislim Berishën, i cili do të garojë në zgjedhjet komunale që do të mbahen më 8 mars, zgjedhje këto që zhvillohen në disa lande të Gjermanisë, përfshirë edhe qytetin e Augsburgut.

Berisha ka deklaruar se kandidatura e tij është pritur pozitivisht nga komuniteti lokal, duke theksuar se ka marrë përkrahje edhe nga qytetarë gjermanë. “Gjermanët po më përkrahin, uroj që edhe shqiptarët të më votojnë”, është shprehur ai, duke bërë thirrje për unitet dhe mbështetje nga bashkëkombësit që jetojnë në këtë qytet, shkruan tutje albinfo.ch.

Kandidimi i Mislim Berishës shihet si një hap i rëndësishëm drejt rritjes së përfaqësimit të komunitetit shqiptar në institucionet lokale të Gjermanisë dhe një dëshmi e integrimit të suksesshëm të mërgatës në shoqërinë gjermane.

Zgjedhjet e 8 marsit pritet të jenë vendimtare për përbërjen e re të këshillave bashkiakë, ndërsa kandidatura e Berishës konsiderohet si një zë i ri që synon të kontribuojë në zhvillimin dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve të Augsburgut./Albinfo.ch

Trumpi e fton Osmanin të jetë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka marrë një ftesë zyrtare nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të përfaqësuar Kosovën në Bordin e Paqes për Gazën, si anëtare themeluese e kësaj iniciative ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Presidentja Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ajo ka publikuar edhe letrën e dërguar nga Presidenti Trump.

Në reagimin e saj, Osmani është shprehur e nderuar për këtë ftesë, duke theksuar rëndësinë e rolit të Kosovës në përpjekjet globale për paqe.

Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt”, ka shkruar ajo.

Presidentja ka vlerësuar iniciativën e Trumpit si një hap historik drejt ndërtimit të paqes, duke shtuar se lidershipi i vërtetë nuk mjaftohet me fjalë, por vepron konkretisht. Ajo ka rikujtuar gjithashtu rolin vendimtar të SHBA-së në sjelljen e paqes në Kosovë.

Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes dhe ne jemi gati”, ka theksuar Osmani.

Ftesa për përfshirjen e Kosovës në këtë Bord të Paqes shihet si një njohje e rolit të Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare dhe si një dëshmi e marrëdhënieve të ngushta mes Prishtinës dhe Uashingtonit./Albinfo.ch

Air Force One pëson defekt, Trump mbërrin me vonesë në Zvicër për WEF

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbërritur me vonesë në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, pasi avioni presidencial Air Force One u detyrua të kthehej për shkak të një problemi teknik, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, Boeing 747 u rikthye në bazën ajrore Joint Base Andrews pas konstatimit të një defekti elektronik. Trump dhe ekipi i tij më pas vazhduan udhëtimin me një avion zëvendësues, Boeing 757, i cili gjithashtu mban emërtimin Air Force One.

Fluturimi u bë një nga më të ndjekurit në botë në platformat online, ndërsa fjalimi i Trumpit në Davos pritet me interes të madh, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve të fundit ndërkombëtare./Albinfo.ch

Për më shumë detaje – https://www.20min.ch/story/wef-2026-air-force-one-musste-umdrehen-ersatzflugzeug-gestartet-103490263

Lara Kolturi renditet e 20-ta në sllallomin gjigand në Kronplatz

Gara e radhës e Kupës së Botës për femra në ski alpine u zhvillua në pistën italiane të Kronplatz, ku pjesë e konkurrimit ishte edhe skiatorja shqiptare Lara Kolturi, transmeton albinfo.ch.

Në disiplinën e sllallomit gjigand, Kolturi u rendit në vendin e 20-të, një rezultat nën pritshmëritë krahasuar me paraqitjet e saj këtë sezon, gjatë të cilit ajo ka arritur të ngjitet katër herë në podium.

Në zbritjen e parë, skiatorja kuqezi regjistroi kohën 1’16”42, duke u pozicionuar në vendin e 22-të. Ndërkohë, në zbritjen e dytë, ajo përmirësoi ndjeshëm performancën, duke ndalur kronometrin në 1’07”54, çka i mundësoi rikuperimin e dy pozicioneve në renditjen përfundimtare.

Pas dy zbritjeve, me kohën totale 2’23”96, Lara Kolturi e mbylli garën në vendin e 20-të.

Megjithëse ky konsiderohet rezultati më modest i saj në këtë sezon, 19-vjeçarja vijon të zhvillojë një sezon shumë pozitiv, duke konfirmuar potencialin, pjekurinë garuese dhe qëndrueshmërinë e saj në elitën e skive botërore./Albinfo.ch

Humb jetën në aksident mergimtarja shqiptare nga Gjermania

18-vjeçarja V. G, e cila humbi jetën ditë më parë në një aksident tragjik në Urën e Dajlanit, në Durrës, jetonte prej disa vitesh në Gjermani së bashku me familjen e saj, shkruan albinfo.ch.

Referuar burimeve pranë familjes, V.G  ishte kthyer së fundmi në Shqipëri për të vizituar gjyshërit e saj, të cilët jetojnë në fshatin Dyshnik të Beratit. Pas largimit të prindërve drejt Gjermanisë disa vite më parë, viktima dhe vëllai i saj, kishin qëndruar për një periudhë kohe pranë gjyshërve, ku edhe ndoqën arsimin 9-vjeçar, deri në momentin kur prindërit siguruan dokumentacionin e nevojshëm për t’i marrë me vete jashtë vendit.

Burime familjare bëjnë me dije se e reja nuk ishte kthyer prej vitesh në Shqipëri dhe malli për gjyshërite kishte shtyrë të rikthehej në vendlindje, një vizitë që fatkeqësisht u ndërpre në mënyrë tragjike./Albinfo.ch

30 medalje për Kosovën në SHBA, nxënësit shkëlqejnë në NEO Science Olympiad

Nxënësit e Kosovës kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme në NEO Science Olympiad 2026, e cila është mbajtur në Orlando, Florida, duke fituar medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta në fusha të ndryshme shkencore si Inteligjenca Artificiale (AI), Biologjia, Kimia, Shkenca dhe Matematika, shkruan albinfo.ch.

Lajmi është bërë i ditur nga Kosova Global Talent Center, i cili ka njoftuar për suksesin e madh të nxënësve kosovarë në këtë garë prestigjioze ndërkombëtare, ku morën pjesë talentë nga shumë vende të botës.

Rezultatet kryesore të nxënësve nga Kosova:

AI – NEO Science Olympiad

• Gjin Rrahmani (Klasa 10) – Medalje e Artë

• Molos Gashi (Klasa 5) – Medalje e Artë

• Lum Rrahmani (Klasa 6) – Medalje e Artë

• Amar Halimi (Klasa 8) – Medalje e Bronztë

Biologji

• Adri Vila (Klasa 9) – Medalje e Artë (Best of the Best – vendi i parë)

• Gjin Rrahmani (Klasa 10) – Medalje e Artë (Best of the Best – vendi i tretë)

• Aulona Demolli (Klasa 10) – Medalje e Argjendtë

Kimi

• Tana Camaj (Klasa 10) – Medalje e Artë (Best of the Best – vendi i dytë)

• Aulona Demolli (Klasa 10) – Medalje e Artë (Best of the Best – vendi i tretë)

Shkencë

• Jeton Sylejmani (Klasa 7) – Medalje e Artë (Best of the Best – vendi i dytë)

• Nil Kelmendi (Klasa 3) – Medalje e Artë (Best of the Best – vendi i tretë)

• Harun Hondozi (Klasa 6) – Medalje e Artë (Best of the Best – vendi i tretë)

• Qazim Osaj (Klasa 7) – Medalje e Artë

• Molos Gashi (Klasa 5) – Medalje e Artë

Matematikë

• Nil Kelmendi (Klasa 3) – Medalje e Artë (Best of the Best – vendi i parë)

• Harun Hondozi (Klasa 6) – Medalje e Artë

• Qazim Osaj (Klasa 7) – Medalje e Artë

• Jeton Sylejmani (Klasa 7) – Medalje e Argjendtë

• Asija Vitaku (Klasa 8) – Medalje e Argjendtë

• Gjin Rrahmani (Klasa 10) – Medalje e Bronztë

• Tana Camaj (Klasa 10) – Medalje e Bronztë

• Molos Gashi (Klasa 5) – Medalje e Bronztë

• Lum Rrahmani (Klasa 6) – Medalje e Bronztë

• Lum Paçarada (Klasa 9) – Medalje e Bronztë

Ky sukses i nxënësve kosovarë dëshmon për nivelin e lartë të përgatitjes akademike dhe potencialin e madh që kanë të rinjtë e Kosovës në fushat e shkencës dhe teknologjisë, duke e përfaqësuar vendin me dinjitet në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

 

Gjeniu nga Kosova që ndërton avionë dhe dronë nga materiale të riciklueshme

Bëhet fjalë për Gëzim Morina, 23-vjeçar nga Kamenica, krahas studimeve për mekatronikë, ka zhvilluar një pasion të veçantë dhe mjaft inovativ: ndërtimin e avionëve dhe dronëve ushtarakë me telekomandë, të cilët i krijon kryesisht nga materiale të riciklueshme, transmeton albinfo.ch.

I riu i teston avionët që ndërton në stadiumin e Kamenicës, ndërsa për punën dhe përkushtimin e tij ka folur në një lidhje përmes Skype-it për emisionin “ABC e Mëngjesit”. Morina tregoi se për ndërtimin e avionëve punon me orare të zgjatura dhe se procesi kërkon shumë përkushtim dhe kreativitet.

Sipas tij, avionët që ndërton janë të pajisur me sistem kamerash dhe kanë aftësi të fluturojnë deri në 4.5 kilometra, ndërsa në rastet kur nuk janë të pajisur me kamera, arrijnë distancë fluturimi deri në 800 metra.

“Unë e kam si hobi. Këto janë aeroplanë me telekomandë që i rregulloj vetë dhe mund të përdoren edhe për nevoja ushtarake. I testoj në stadiumin e Kamenicës pasi i kam krijuar. Për avionin e madh kam punuar rreth pesë muaj, ditë e natë, sepse kam dashur të realizoj diçka që nuk është bërë më parë në Kosovë”, ka deklaruar Morina.

Ai theksoi se një pjesë e madhe e avionëve është ndërtuar nga materiale të riciklueshme, përfshirë edhe letrën, gjë që sipas tij e bën projektin edhe më të veçantë.

“Studioj mekatronikë në Prishtinë. Materialet shumicën i siguroj vetë, ndërsa pjesët e tjera i blej. Mundohem t’i gjej dhe t’i përshtas sipas nevojës”, u shpreh studenti.

Puna dhe inovacioni i Gëzim Morinës po shihet si shembull i potencialit që kanë të rinjtë në Kosovë në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë, duke dëshmuar se me kreativitet dhe përkushtim mund të arrihen rezultate mbresëlënëse edhe me mjete të thjeshta./Albinfo.ch

Elon Musk synon mbi 130 miliardë dollarë nga OpenAI dhe Microsoft

Elon Musk ka depozituar një padi në një gjykatë federale, duke kërkuar deri në 134 miliardë dollarë dëmshpërblim nga OpenAI dhe Microsoft. Ai pretendon se këto kompani kanë përfituar padrejtësisht nga kontributet e tij në fazat e hershme të krijimit të OpenAI.

Dokumentet gjyqësore tregojnë se përfitimet nga roli i Muskut në OpenAI vlerësohen nga 65.5 deri në 109.4 miliardë dollarë, ndërsa Microsoft thuhet se ka përfituar 13.3 deri në 25.1 miliardë dollarë.

Musku ishte bashkëthemelues i OpenAI në vitin 2015, kur kompania sapo kishte filluar. Avokati i tij, Steven Molo, theksoi se “Pa Elon Muskun, OpenAI nuk do të ekzistonte. Ai siguroi shumicën e financimit fillestar, reputacionin dhe njohuritë e tij për zhvillimin e biznesit”.

OpenAI e ka cilësuar padinë si “jo serioze”, ndërsa Microsoft nuk ka bërë komente mbi shumën e kërkuar. Të dyja kompanitë kanë paraqitur gjithashtu kundërpadi, duke kundërshtuar vlerën e dëmeve të pretenduara nga Musku.

Shkatërrohet rrjeti shqiptar i trafikut të drogës në Itali, 8 të arrestuar

Një operacion ndërkombëtar i policisë italiane ka çuar në arrestimin e nëntë personave, tetë shqiptarë dhe një italian, të dyshuar për pjesëmarrje në një rrjet kriminal që trafikonte droga ndërkombëtarisht.

Operacioni, i quajtur “STURL ONE”, u koordinua nga Policia e Reggio Emilias dhe Prokuroria e Bolonjës, dhe përfshiu ekzekutimin e urdhrit për “arrest me burg” në provincat Reggio Emilia, Bergamo, Brescia dhe Savona, si dhe në Francë, Spanjë dhe Shqipëri, falë bashkëpunimit me autoritetet lokale dhe Policinë Shqiptare.

Hetimet vijojnë pas operacioneve të mëparshme “TREXIT 2019” dhe “BLACK MAMBA”, të cilat kishin çuar në arrestimin e 35 personave më parë. Rrjeti dyshohet se importonte dhe shpërndante sasi të mëdha kokaine, hashashi dhe marijuane nga Amerika e Jugut, Europa Veriore dhe Spanja, duke përdorur kamionë me ngarkesa perimesh për transport. Vetëm në gjashtë muaj, grupi thuhet se ka shpërndarë mbi 200 kg kokainë dhe rreth 1 ton hashash e marijuanë, me fitime milionëshe.

Anëtarët komunikonin përmes platformës së koduar “SkyECC”, e cila u çkodua nga autoritetet franceze në vitin 2020, duke mundësuar zbardhjen e aktivitetit të tyre.

Gjatë kontrolleve, u sekuestruan drogë, para dhe mjete komunikimi. Një shtetas maroken u arrestua në Brescia me mbi 3 kg drogë dhe 5.800 euro. Autoritetet italiane e cilësojnë operacionin si një goditje të rëndësishme ndaj rrjetit kriminal

Britania paralajmëron veprime për të mbrojtur fëmijët nga rrjetet sociale

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se qeveria duhet të marrë masa shtesë për të mbrojtur të rinjtë në platformat online, pas polemikave të fundit me Grok AI të Elon Musk, që krijonte imazhe me përmbajtje seksuale pa lejen e individëve.

“Është e nevojshme të veprojmë më shumë për sigurinë e fëmijëve, ndaj po shqyrtojmë të gjitha mundësitë,” deklaroi Starmer, duke theksuar se asnjë opsion nuk është i përjashtuar.

Kompania xAI e Musk njoftoi se kishte bërë ndryshime në Grok për të penguar krijimin e imazheve të njerëzve me veshje të tilla si bikini, si dhe për të bllokuar përdorues në vende ku ligjet e vendosin këtë të ndaluar, pa specifikuar se cilat janë ato juridiksione.

Sipas ligjit të ri britanik, krijimi i imazheve me përmbajtje seksuale pa pëlqimin e personave të tjerë do të jetë i paligjshëm, përveç rasteve kur ato ndahen me leje.