Lajme

Coronavirusin nuk mund ta “mbysim”, por me dezinfektues mund ta shmangim

Eksperti i higjenës Fatmir Hoti flet në një intervistë për magazinën albinfo.ch si ta luftojmë pandeminë Covid 19

“Kur në Kinë në muajin dhjetor u përhap lajmi për shfaqjen e këtij virusi, unë kam kërkuar qysh në muajin janar në disa takime, panaire e seminare me mjekë, që të merren masa parandaluese, të ndalen lëvizjet. Sot jemi në një situatë ku njerëzit janë të hutuar, ka mungesë të pajisjeve higjenike e gjërave tjera elementare për luftimin e këtij virusi, me një fjalë nuk kemi kontroll më…”, thotë për albinfo.ch eksperti i higjienës, Fatmir Hoti

Albinfo.ch: Jemi në një situatë ku të gjithë, siç thotë populli, jemi bërë sy e veshë e po presim çfarë do të sjellë e nësermja. Njerëzit janë të frikësuar, blejnë medikamente e gjëra ushqimore pa kontroll. A është gjendja kaq alarmante siç po paraqitet?

Fatmir Hoti: Nuk duhet të kemi frikë, por kujdes maksimal po, dhe të përcjellim këshillat e ministrisë së shëndetësisë. Ky është momentalisht kujdesi më i mirë që mund ta bëjme kundër Coronavirusit

Albinfo.ch: Ju identifikoni pikat e ndjeshme higjenike dhe jepni këshillat e duhura për masat që duhet ndërmarrë në raste normale. Mirëpo aktualisht kemi një situatë emergjente që rrezikon të dalë jashtë kontrollit. A janë duke u ndërmarrë masat e duhura për t’u mbrotjur jetët e njerëzve nga kjo pandemi?

Fatmir Hoti: Po, janë duke u marrë këto masa. Në Europë dhe në tërë botën janë marrë masa parandaluese që ngadalësojnë përhapjen e virusit nga një njeri në tjetrin. Në anën tjetër pastrimi i duarve, dezinfektimi i duarve, bartja e maskës, ndonëse në Zvicër nuk duket shumë, por ndihmon. Mbi të gjitha, jo vetëm personat e infektuar duhet të mbajnë maskë, por edhe të tjerët që s’janë të infektuar duhet të marrin këto masa mbrojtëse. Kështu ne së paku ngadalësojmë përhapjen e virusit dhe i japim shtetit dhe mjekëve kohë të përgatiten për luftimin e kësaj pandemie.  Duhet thënë se Coronavirusi nuk është gjallesë, pra ne nuk mund ta mbysim atë por mund ta largojmë përmes alkoholit dezinfektues, i cili e shkatërron këtë virus.

Në fillim përhapja e virusit nuk është marrë seriozisht, duke menduar se te ne nuk do të vijë. Masat parandaluese nuk kanë qenë të shpejta dhe ja ku jemi tani duke u ballafaquar me një pandemi që po rrezikon jetën e miliona njerëzve në mbarë botën. Kur në Kinë në muajin dhjetor u përhap lajmi për shfaqjen e këtij virusi, unë kam kërkuar qysh në muajin janar në disa takime, panaire e seminare me mjekë, që të merren masa parandaluese, të ndalen lëvizjet. Sot jemi në një situatë ku njerëzit janë të hutuar, ka mungesë të pajisjeve higjenike e gjërave tjera elementare për luftimin e këtij virusi, me një fjalë nuk kemi kontroll më.

Albinfo.ch: Çfarë njohurish ka kompania juaj “Schülke” si prodhuese e pajisjeve dezinfektuese për Coronavirusin?

Fatmir Hoti: Si kompani që prodhojmë pajisje dezinfektuese kemi dalë me një informatë ku kemi njoftuar për masat që duhet të ndërmerren për luftimin e këtij virusi duke ofruar produktet tona dezinfektuese për parandalimin e përhapjes së virusit. Aktuaisht veprimi më i mirë që mund ta bëjmë, është parandalimi i përhapjes dhe këtë po e bëjnë të gjitha shtetet duke mbyllur kufijtë, shkollat, aktivitetet sportive, restorantet ku mblidhen më shumë se 50 njerëz. Dhënia e dorës në vende ku trajtohen pacientët, qofshin ordinanca apo spitale, edhe pa këtë virus duhet të mënjanohet, sepse kështu rrezikojmë shumë më pak bartjen e një virusi prej një personi tek tjetri.

Albinfo.ch: Jeni specialist i higjienës, këshilloni klinika, ordinanca dhe shkolla për mënyrën e përdorimit të medikamenteve dhe produkteve për higjienë. Çfarë këshille do tu jepnit tani miliona njerëzve që rrezikohen nga pandemia e Corona virusit?

Fatmir Hoti: Këshilla ime e parë është natyrisht sa më tepër dezinfektim të ambientit ku jetoni, çdo lëvizje jashtë dhe sa të hyni në shtëpi duhet t`i dezinektoni duart. Megjithatë rreziku i madh i përhapjes vjen edhe nga teshtima, kollitja e spërkamat që barten, kështu që këtu duhet shmangur afërsinë mes njerëzve dhe t`i reduktojmë vizitat mes të afërmëve. Sa më pak kontakte aq më pak të rrezikuar jemi për t’u infektuar.

 

[(KEYSTONE/Christian Beutler)

Albinfo.ch: Këtë po e kërkojnë qeveri të vendeve të ndryshme dhe kanë ndërmarrë masa të jashtëzakonshme për të parandaluar përhapjen e Corona Virusit. Janë mbyllur shkollat dhe anuluar të gjitha aktivitetet. Kërkohet të rrimë në shtëpi, t`i shangim kontaktet me njerëz, t`i pastrojmë rregullisht duart dhe të vetizolohemi në raste dyshimi. A janë këto masa parandaluese adekuate dhe çfarë duhet të bëjnë njerëzit që të mos infektohen nga ky virus?

Fatmir Hoti: Kjo është një masë shumë e mirë parandaluese dhe ne duhet tu përmbahemi këtyre rregullave, sepse deri më tani nuk kemi një medikament a vaksinë që mund ta parandalojmë këtë virus. Masat preventive janë marrë dhe tani për tani duhet vetëm ta ngadalësojmë përhapjen deri sa të kemi një medikament që e lufton këtë virus.

Albinfo.ch: A kemi kapacitetet të mjaftueshme të përballemi me një pandemi të këtillë që po përhapet me shpejtësi. Vërehet mungesë e mjeteve higjienike si, maska mbrojtëse, doreza, ujë dezinfektues, madje nuk ka furnizim të mjaftueshëm as për spitale, ordinanca, e mjekë. Çfarë ka këtu, pse ka mungesë? Nuk prodhojmë mjaftueshëm?

Fatmir Hoti: Frika e madhe na ka sjellë në këtë situatë çfarë jemi aktualisht pasi që njerëzit po sigurojnë rezerva ushqimore e medikamente me shumicë. Kompania jonë i ka shtuar kapacitet prodhuese të pajisjeve dezinfketuese, por kërkesat janë jashtëzakonisht shumë të mëdha. Ne si kompani e madhe po i trajtojmë me prioritet këto kërkesa dhe kemi rritur prodhimin e pajisjeve dezinfektuese. Përparësi furnizimi kanë spitalet dhe ordinancat mjekësore, pastaj të tjerët. Momentalisht si pengesë e shoh sigurimin e lëndës së parë, pasi që ajo vjen nga India dhe Kina dhe tani ky është problemi, mungon lënda e parë, megjithëse aktualisht furnizohemi me rregull. Por, nëse kjo gjendje zgjatë edhe për disa muaj, ne do të ballafaqohemi me rritje të çmimit dhe mungesë të lëndës së parë dhe si pasojë edhe me mungesë të pajisjeve dezinfektuese.

Furnizim i vështirë me pajisje dezinfektuese

Ne si kompani e madhe po i trajtojmë me prioritet këto kërkesa dhe kemi rritur prodhimin e pajisjeve dezinfektuese. Përparësi furnizimi kanë spitalet dhe ordinancat mjekësore, pastaj të tjerët. Momentalisht si pengesë e shoh sigurimin e lëndës së parë, pasi që ajo vjen nga India dhe Kina dhe tani ky është problemi, mungon lënda e parë, megjithëse aktualisht furnizohemi me rregull. Por, nëse kjo gjendje zgjatë edhe për disa muaj, ne do të ballafaqohemi me rritje të çmimit dhe mungesë të lëndës së parë dhe si pasojë edhe me mungesë të pajisjeve dezinfektuese.