Lajme

COVID-19: Franca, gati të lehtësojë masat, në Gjermani ka rënie të infektimeve

Qeveria franceze po punon për një kalendar të ri lehtësimi prej 4 fazash, në bazë të të cilit dyqanet, baret dhe restorantet do të rihapen më 19 maj dhe në fund të qershorit nuk do të ketë më shtetrrethim.

Njoftimi do të bëhet në mbrëmje nga pallati Elize, bashkë me publikimin e intervistës që presidenti francez Emmanuel Macron u ka premtuar mediave të ndryshme rajonale.

Njëra prej tyre konfirmoi se më 3 maj kufizimet për të lëvizur përtej distancës prej 10 km nga shtëpia do të hiqen dhe po ashtu nxënësit e gjimnazeve do të mund të kthehen fizikisht në shkolla.

Ndërkohë, në Gjermani zyrtarët kanë mirëpritur në mënyrë të moderuar një rënie të infektimeve të COVID-19 në ditët e fundit. Sidoqoftë, ata paralajmëruan se është ende herët për të festuar.

 “Kjo nuk mjafton. Të gjithë në institucionin tonë janë të lumtur nga rënia e shifrave, por është shumë herët për të folur për një trend”, u shpreh Lothar Wieler, president i Institutit Robert Koch.

Ndërkohë, në ishullin e Procida-s, në Itali, vijon vaksinimi në masë. Të mërkurën, me rastin e ditës së parë kushtuar personave mbi 50 vjeç, u administruan rreth 700 doza vaksinash. Një shifër e ngjashme pritet të arrihet edhe të enjten, kur janë thirrur qytetarë të moshave nga 40 në 49 vjeç në qendrën e vaksinimit të ngritur në selinë e Bashkisë së ishullit.