Gruaja

Diagnoza: Kanceri i gjirit, një shqiptare rrëfen për përvojat e saj

"Kanceri, ai është diçka që u ndodh të tjerëve. Diçka për të cilin dëgjon se vuan nëna e një shoqeje të koleges së punës por jo një gjë që të ndodh ty vet..."

  • (AP Photo/Eckehard Schulz)

Anjeza S. ishte vetëm 25 vjeçe kur e mori diagnozën e kancerit. Pak muaj para kësaj, nëpunësja e sigurimeve ishte martuar me mikun e saj shumëvjeçar. Të dy punonin, mund t`ia lejonin vetes një banesë të bukur e të vogël jashtë Cyrihut, planifikonin pushimet e ardhshme dhe dëshironin që së shpejti të bëheshin edhe prindër. Por, ndodhi diçka që përnjëherë e ktheu kokëposhtë jetën e çiftit.

Në mëngjesin e 17 shtatorit 2015 Anjeza po qëndronte përballë një mjekeje të “Qendrës së gjirit” në Cyrih dhe po priste të dëgjonte nga ajo se gjëndra e gjetur ishte thjesht një cistë e cila mund të hiqet shpejt. Pas kësaj, ajo donte të shkonte në Bahnhofstrasse për të blerë një palë këpucë me taka. Por shikimi i mjekes i përshkuar nga dhembja, e bëri të dyshonte. Ajo iu afrua dhe i tha: “Më duhet mjerisht të ju njoftoj se ju keni një kancer (tumor të vogël kancerogjen)”. Pas këtij njoftimi të shkurtë, ajo u tërhoq dhe i afroi Anjezës para hunde një kuti me faculeta xhepi. Shikimi i saj po i thoshte: tash mund të qani.

“Por unë nuk mundja të qaja në atë moment”, kujton Anjeza. “Unë nuk e kisha kuptuar, se çka po më thoshte ajo grua atje. Unë isha, thjesht, e shokuar”. Para së gjithash ajo nuk dinte se çfarë ishte menduar me atë `tumorin e vogël kancerogjen`. A do të thoshte kjo se puna ishte më pak keq? A kishte shpresë për shërim? Dhe çfarë do të thoshte në përgjithësi të kesh një kancer? Kanceri, ai ishte diçka që i prek të tjerët. Diçka për të cilin dëgjon se vuan nëna e shoqes së koleges së punës, por jo ti vet…

“Unë, natyrisht, kisha dëgjuar për sëmundjet e kancerit, se njerëzit duhej të bënin terapi ose për faktin se nuk  duhet të hash këtë ose atë ushqim, pasi që e provokon kancerin. Por që të përballesha me të vërtetë me këtë, kjo nuk kishte ndodhur kurrë”. Askush nga familja e saj e gjerë dhe farefisi nuk kishte vuajtur ndonjëherë nga ndonjë sëmundje vdekjeprurëse. Tumori i cili kishte sulmuar Anjezën, nuk vinte nga ndonjë predispozitë e trashëguar por si rezultat i një mutacioni të gjeneve.

“Ndërkohë që unë kisha rënë në një gjendje të ngjashme me transin”, rrëfen ajo më tutje, “mjekja fliste lidhur me mundësitë e trajtimit; kimioterapia, terapitë e rrezatimit dhe operacionet. Unë nuk kuptoja asgjë”.

E kthyer në shtëpi, ajo hyri në dhomën e ditës, u plandos në kauç dhe u zgjua nga transi ku kishte rënë. Në atë çast ajo nuk po mendonte për rrugën e vuajtjes që kishte përpara por për nënën e saj. Si do t`ia sqaronte nënës se sa rëndë ishte e sëmurë dhe se mund të vdiste? Si do t`i gjente fjalët e duhura për këtë?

“Për fat të mirë, në ditën e martesës ende nuk e dija se çfarë po më priste”

26 vjeçja rri ulur në kauçin prej lëkure të zezë në dhomën e saj të ditës. Mbrapa saj, në mur, rrinë varur pesë fotografi nga dasma, të rrethuara me letrën e bardhë dhe me kornizën prej druri të zi: çifti i lumtur duket tek shkëlqen në parkun me gjelbërim të thellë të Gërmisë, në Prishtinë. Anjeza ka veshur një fustan të bardhë dasme, me një korset në trajtë zemre dhe një fund prej tyli, i cili mbërrin deri në tokë. Flokët ngjyrë kafe të errët të rregulluara me një frizurë të thjeshtë. Sot ajo bart një parukë me ngjyrë kafe të errët. “Për fat që në ditën e dasmës nuk e dija se çfarë po më priste” thotë ajo tek shikon në tasin me çaj të gjelbër, të cilin e përthekon me të dyja duart.

Çaji i gjelbër ishte ide e burrit të saj. Ata njiheshin prej shtatë vitesh dhe që nga marrja e diagnozës, ai kujdeset në mënyrë  shumë të përpiktë që ajo të konsumojë vetëm ushqime të shëndetshme. Kokakola nuk ka më vend në tavolinën e tyre ndërsa çaji i gjelbër është më i shëndetshëm se kafja. Ai del çdo ditë për të shëtitur me të në pyllin e afërm në mënyrë që ajo të bëjë lëvizje të mjaftueshme. Anjeza i eviton grumbullimet e njerëzve, pasi që, për shkak të sistemit të saj aktualisht të dobësuar të imunitetit, ekziston rrezik më i madh i infektimit nga viruset e gripit. Kështu, efekteve të shumta të tjera të kësaj sëmundjeje i shtohet akoma edhe izolimi.

Por, ajo eviton takimet me njerëz të tjerë jo vetëm nga frika e infektimit. Anjeza u largohet atyre edhe për arsyen se ndjehet keq kur takon një shoqe e cila nuk di asgjë për sëmundjen e saj. Sepse nuk mund ta fshehë më sëmundjen: ajo bart një parukë, duhet t`i vizatojë vetullat ndërsa qerpikët i kanë rënë.

Reaksionet e familjes dhe farefisit

Në fillim ajo nuk donte t`u tregonte prindërve asgjë për sëmundjen e saj. “Por pastaj mu bë e qartë se kjo gjë ishte krejtësisht e pamundur. Një kimioterapi me pasojat anësore si rënia e flokëve, dhembja dhe ligështimi, nuk mund të fshihen”. Që në mbrëmjen e parë ajo u telefonoi atyre. Dhe ata reaguan ngjashëm sikur vet Anjeza: Në fillim me tronditje, pastaj me mosbesim. Babai i Anjezës kishte bindjen e fortë se mjekët po e ekzagjeronin, nuk dinin se për çfarë po flisnin, nuk kishin ide për këtë. Veç kësaj, Anjeza nuk kishte dhembje dhe kur nuk ke dhembje, nuk je as i sëmurë. “Dikur e vura re se prindërit nuk po kuptonin. Ata dinin tepër pak rreth kësaj teme”. Edhe pse e kishte tmerrësisht vështirë, ishte Anjeza ajo që duhej të sqaronte familjen e saj: ka stade të ndryshme, mund të zhvillohen metastaza, tumori agresiv duhet të nxirret me operacion. Gjëra këto për të cilat ajo as vetë nuk dinte me tamam.

Dhe pastaj u njoftuan familjarët tjerë. Babai i Anjezës duhej të fliste me vëllezërit e vet rreth problemit, pasi që ai nuk e kishte ende të qartë lajmin. Edhe pse asaj nuk i pëlqente kjo gjë, ajo i lejoi prindërit të flisnin me ta, pasi që ishte e vetëdijshme se ata kishin nevojë për fjalët e vëllezërve dhe motrave të tyre. Në të njëjtën mënyrë, dajat dhe axhallarët, tezet, hallat dhe kushërinjtë e kushërirat e Anjezës, përpiqeshin ta mbështetnin të sëmurën nga kanceri. Para së gjithash asaj i telefononin, madje edhe nga Kosova dhe me fjalë trimëruese e pyesnin se si ndjehej. “Si mund të jem?”, mendon ajo. “Unë vuaj nga kanceri me shkallën më të lartë të vdekshmërisë. 19.6% të të gjitha grave që vdesin nga kanceri, e pësojnë nga kanceri i gjirit”. Por ajo nuk i thotë këto fjalë asnjëherë. Veç tjerash nuk ndjehet mirë të flasë lidhur me trupin e saj. Asaj i kishte ardhur turp kur ishte detyruar t`ia sqaronte dajës së saj se nga cili lloj i kancerit ishte e sëmurë. “Janë disa fjalë të caktuara që ne në shoqërinë shqiptare nuk i përdorim. Para së gjithash kur është fjala për trupin e njeriut. Për këtë arsye kanceri i gjirit është një temë tabu. Nuk bën të flitet për të”. Dhe pasi që njerëzit nisur nga kjo dinë tepër pak lidhur me këtë sëmundje, ky tabuizim e bën edhe më të vështirë jetën e të sëmurit nga kanceri.

Kërkimi i shkaktarit dhe besëtytnitë

Anjeza pi edhe një gllënjkë çaji të gjelbër, e vendos tasin mbi tavolinën prej xhami që është në mes nesh dhe mendohet për një çast. “E di, më e keqja më duket kur njerëzit spekulojnë për të gjetur shkaktarin e sëmundjes sime”. Ata gjejnë në mënyrë kreative gjithfarë shkaqesh, por asnjëri prej tyre nuk ka bazë shkencore. Për më tepër, farefisi i saj i beson bestytënitë sipas të cilave Anjeza dhe familja e saj përmes kësaj sëmundjeje kanë marrë  dënimin e tyre. Një teze i kishte thënë nënës së saj se po pyeste veten, përse t`u ndodhte atyre kjo gjë, ata nuk janë aspak njerëz të këqij. Madje edhe vet nëna shtronte pyetjen se çfarë të keqe kishte bërë familja e saj që ta meritonte një fat të tillë të tmerrshëm. Këso deklarimesh nuk do të jepeshin as nga më besimtarët në mesin e tyre, mendon Anjeza. Dukej se ata ishin viktima të një bestytënie që ishte e ngulitur thelle në shoqëri. Një përfytyrim i tillë është i mbjellë thellë në koka, gjë që e bën pothuajse të pamundur një shikim objektiv të temës.

“Personi i prekur ose madje e gjithë familja e tij, ka bërë diçka të gabuar”, kështu e përmbledh Anjeza S. këtë bestytëni. “Ata ma ushqejnë ndjenjën sikur unë ta kisha merituar që të sëmurem nga kanceri”. Zëri i saj kaplohet tërësisht nga dridhjet ndërkohë që sytë i mbushen me lot. Ajo bën një pauzë të shkurtë, merr frymë thellë dhe shton: “Tema, thjesht, nuk mund të shikohet në mënyrë objektive. Duhet të ekzistojë një shkak personal për sëmundjen. Kur e di se njerëzit mendojnë kështu, ku mbetet pastaj mbështetja?”. Kjo qasje krejtësisht e ndryshme me kancerin është në fakt edhe ndryshimi në krahasim me atë që e shprehin zviceranët me të cilët Anjeza flet rreth kësaj. Shoqet, koleget dhe kolegët dinë më shumë rreth shkaktarëve, terapive dhe mundësive të shërimit. Në këtë mënyrë, mbi këtë temë hidhet dritë nga një anë tjetër, gjë që e thjeshtëson bashkëbisedimin me ta. Edhe bashkëshorti është informuar me themel rreth sëmundjes, ka hulumtuar dhe lexuar shumë. Ai e ndihmon Anjezën, me faktin se mund të flasë me të lidhur me aspektin shëndetësor.

Mbështetje përmes sqarimit

Anjeza, përmes sëmundjes së saj e ka mësuar një gjë: Një qasje dinjitoze me të goditurin nga sëmundja mund të ekzistojë vetëm me ndihmën e sqarimit, njohjes profesionale dhe një shikimi objektiv mbi temën e kancerit të gjirit. Duhet biseduar lidhur me sëmundjen dhe mundësitë e terapisë e preventivës dhe jo lidhur me fatet personale të njerëzve të përveçëm. “Nganjëherë e ndjej veten si një personazh kryesor i një reviste thashethemesh. Në fillim ju dhimbsesh dhe pastaj fillojnë të flasin për ty”. Por Anjeza nuk dëshiron as të hidhet në rolin e viktimës dhe as të shikohet si sensacion. Pacientët e kancerit nuk do të duhej të turpëroheshin ose të ndjeheshin fajtorë për sëmundjen e tyre. Dhe, Anjeza nuk dëshiron të fshihet më. Ajo e ka filluar luftën kundër kësaj sëmundjeje të tmerrshme  dhe ka besimin se do ta fitojë këtë luftë. Kur e pyesin sot se si është, ajo përgjigjet: “Kimioterapia po vepron. Së shpejti do të jem e shëruar”.