Lajme
Diaspora kërkoi lirimin e Haradinajt para gjykatës së qytetit Colmar
Me shumë flamuj, shqiptarë, të Kosovës, të SHBA-së dhe të Francës, me transparente dhe me zërin e tyre, shqiptarët e tubuar u kanë apeluar autoriteteve franceze për të liruar Ramush Haradinaj, të arrestuar dy ditë më parë në territorin francez, në bazë të kërkesës së bërë Interpolit nga Serbia
Colmar, Francë, 7 janar 2017. Me rreth minus 10 gradë celsius është mbase dita më e ftohtë e vitit deri tash në këtë qytet të Francës verilindore, në afërsi të kufirit me Zvicrën dhe Gjermaninë. Por qindra veta, të ardhur nga Zvicra, Gjermania, Franca e gjetiu, të bërë bashkë para godinës së Gjykatës së Apelit të këtij qyteti nuk e kanë këtë hall. Ata, të pajisur me qindra flamuj, shqiptarë, të Kosovës, të SHBA-së dhe të Francës, me transparente dhe me zërin e tyre duan t`u apelojnë autoriteteve franceze për të liruar Ramush Haradinaj, të arrestuar dy ditë më parë në territorin francez, në bazë të kërkesës së bërë Interpolit nga Serbia.
Në fytyrat e tyre mbizotëron mllefi ndaj këtij veprimi të Francës e cila, duke iu përgjigjur kërkesës së Serbisë, ka arrestuar Haradinajn, komandantin e tyre të dashur, njeriun që, siç e përshkruan disa nga folësit në protestë, është Njeri i paqes në Kosovë.
Thirrjet më të shpeshta që dëgjohen janë: “Ramush, libere” në gjuhën frënge dhe “Lironi Ramushin”; në gjuhën shqipe. albinfo.ch ka qenë në vendin e ngjarjes.
“Kriminelët kërkoni në Serbi”, “Ramushi është Kosova” “Edhe lugina me Ramushin” “Ramushi është çlirimtar” dhe shumë parulla tjera të shkruara në shqipe, anglishte dhe frëngjishte në duart e protestuesve kanë mbuluar sheshin e rrethuar me policë francezë që kanë marrë të gjitha masat për të mbrojtur rendin. Por rendi në asnjë moment nuk është rrezikuar, pasi që protestuesit kanë dëgjuar apelin e drejtuesve të cilët disa herë në fjalët e tyre kanë theksuar se Franca është shtet mik dhe me shumë merita për Kosovën. Arrestimi i Haradinajt prandaj duhet të kuptohet si një akt aksidental ose keqkuptim, të cilin kërkojmë nga Franca që ta përmirësojë.
Kjo në fakt ishte dhe motoja që dilte nga fjalimet e shumicës së oratorëve.
Para masës ka folur i pari konsulli i Republikës së Kosovës në Shtutgard, Gjermani, Ajvaz Berisha, i cili në fjalën e tij veç tjerash ka thënë se “sot me Ramushin janë të gjithë shqiptarët”. Ndërsa veprimtari Nazmi Jakurti, në cilësinë e këshilltarit për diasporë të Haradinajt ka theksuar se arrestimi i ish kryeministrit të Kosovës është një gabim që duhet të përmirësohet sa më shpejt sepse “Ramushi, si përfaqësuesi më i denjë i opozitës, i nevojitet shumë Kosovës dhe proceseve që po zhvillohen atje”.
Protestuesve u është drejtuar edhe kryetarja e Aleancës së Gruas për Zvicër, Alije Mujaj, e cila ka apeluar për lirimin e kryetarit të partisë që ajo i takon dhe ish luftëtarit me merita të veçanta.
Ka folur edhe boksieri i famshëm, Nuri Seferi, i cili ka tërhequr vërejtjen të mos preket UÇK-ja dhe vlerat e saj. Ndërsa Haradinaj është njëri ndër gurthemelet e UÇK-së.
Dedë Hajdaraj, duke folur në emër të PSHDK-së për diasporë, ka apeluar se “Ramushi nuk është vetëm i AAK-së por i tërë Kosovës dhe i gjithë shqiptarëve. Lirojeni çlirimtarin”, ka kërkuar Hajdaraj në fjalën e tij.
Me fjalime janë paraqitur edhe shumë folës tjerë, aktivistë të diasporës shqiptare në Zvicër, Francë, Gjermani etj. si Mentor Mushkolaj, Ilir Balija, Xun Çetta, Isa Alimusaj etj.
E-Diaspora
-
Haxhiu falënderon ambasadorin Sprecher: Breza të tërë të mërgatës sonë e bënë Zvicrën shtëpi të dytë Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në një takim lamtumirës... -
Një destinacion që quhet Kosovë! -
46-vjeçari nga Kosova del para gjykatës në Zvicër, akuzohet për vrasjen e partneres -
Diaspora Meeting rikthehet me edicionin e nëntë në Kosovë -
Magazina albinfo.ch vjen me numrin special, Vera `26
Jeta në Zvicër
-
Aeroporti i Gjenevës përgatitet për një verë rekord: Priten mbi 3.5 milionë pasagjerë Aeroporti i Gjenevës po bëhet gati për një fluks historik udhëtarësh gjatë sezonit veror. Sipas të... -
Zvicër: Ndalohet rreptësisht blerja e biletës pasi treni është nisur, hidhet poshtë propozimi për tolerancë -
Kantoni i Bernës lejon “natën e lirë” për çerekfinalen Zvicër-Argjentinë -
Studim: 95% e zviceranëve fillimisht trajtohen vetë, pa shkuar te mjeku -
Zvicra, vendi ku lumenjtë janë pjesë e jetës së përditshme: edhe udhëtimi për në shtëpi bëhet me not
























