Lajme

Dikush pagoi 28 milionë dollarë për ‘vendin e lirë’ në fluturimin hapësinor me Jeff Bezos

Blue Origin e Jeff Bezos tanimë ka shitur “vendin e veçantë” të raketës hapësinore të kompanisë, e cila pritet të lansohet më 20 korrik për 28 milionë dollarë.

Sipas mediave të huaja, me 20 ofertues aktivë që filluan me 4.8 milionë dollarë gjatë ankandit prej 10 minutash, ofertat u përshkallëzuan në tre minutat e fundit të shitjes.

Fillimisht, rreth 7,600 njerëz u regjistruan për të bërë oferta nga 159 vende, citohet të ketë thënë kompania, përcjell Telegrafi.

Fituesi, identiteti i të cilit nuk është njoftuar, do të bashkohet me themeluesin e Amazon, Jeff Bezos dhe vëllain e tij Mark në fluturim.

Fluturimi i automatizuar prej 11 minutash – i 16-ti i kompanisë, por që transporton për herë të parë njerëz – do të ngrihet nga Van Horn, Texas.

Kapsula do të mbajë deri në gjashtë pasagjerë, megjithëse kompania nuk ka zbuluar ende se kush tjetër do të jetë në bord.

Javën e kaluar, Bezos, i cili do të largohet nga posti i shefit ekzekutiv të Amazon, 15 ditë para fluturimit, postoi në Instagram: “Që kur isha pesë vjeç, kam ëndërruar të udhëtoj në hapësirë. Më 20 korrik, unë do të bëj atë udhëtim me vëllain tim. Aventura më e madhe, me shokun tim më të mirë”.

Udhëtimi vjen në mes të konkurrencës në rritje midis disa prej njerëzve më të pasur në botë.