Muzikë

Dio, një zë i ëmbël premtues në Austri

Ajo që e shquan më shumë Dion, është zëri i tij i ëmbël në këndim. Njihet si një këngëtar profesionist në Austri dhe veçohet për ngjyrat e veçanta të zërit të tij

Dio Dragaj tashmë është emër suksesi në fushën e muzikës në Austri dhe në Gjermani.

Që në shikim të parë Dio përçon pozitivitet me buzëqeshjen e tij dhe me stilin unik të veshjes.

Por, ajo çfarë e shquan më shumë atë, është zëri i tij i ëmbël në këndim. Njihet si një këngëtar profesionist në Austri dhe veçohet për ngjyrat e veçanta të zërit të tij.

Pozitiviteti, energjia e punës dhe ambiciet për jetën, janë tri shtyllat kryesore për Dion dhe asnjëherë nuk i ndali përpjekjet, duke punuar për ëndrrat e tij.

Ai ka lindur në Vjenë, ndërsa me muzikё nё mёnyrё profesionale ka filluar tё merret qё nga mosha 14-vjeçare, si pjesёmarrёs nё ‘The Voice Kids of Germany’(2018/2019), ku arriti edhe titullin e finalistit.

“Në fakt, dëshira për muzikë ka filluar që në moshën 4-vjeçare, në kohën kur fillova të ushtrohesha për HipHop – Dance me mjeshtrin Alamande Belfor, në kuadër të klubit ‘BigSmile’ në Vjenë. Ndërkohë nga mosha 7 deri 9 vjeç kam qenë i regjistruar për piano në shkollë të muzikës”, tregon ai.

Familje me taban muzikor

Dio rrjedh nga një familje shqiptare, prindërit e të cilit janë me prejardhje nga Kosova. Ata janë familje artistësh, të cilët për vite me radhë kanë kultivuar muzikë të mirëfilltë, duke ndikuar edhe tek Dio në formimin e tij profesional si këngëtar.

“Natyrisht që familja ka qenë gjithmonë përkrahëse në dëshirat, fiks idetë dhe vendimet e mia. Pothuajse e tërë familja ime merren profesionalisht me muzikë. Babai si frontman i bendit “Humus”, së bashku me Nderimin (dajën), i cili është kitarist, nëna është muzikologe si dhe në rini të hershme ishte anëtare e bendit ‘Tempujt e heshtjes’, vëllai basist/këngëtar, e madje edhe gjyshja arsimtare e muzikës dhe alto në korin e Filarmonisë së Kosovës si dhe Arbeni (daja), Jazz pianist. Andaj, unë jam rritur me muzikë shumëngjyrëshe, babai më udhëzoi për teknikat rreth zërit, kurse nënën time e kam shtytëse të pandashme që nga fillimi në çdo hap të evoluimit tim”, tregon Dio.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

 

Dio “pushtoi” skenën e “The Voice Germany”

Dio bëri shumë “zhurmë” në Gjermani. Madje, u komentua për ngjyrat e tij të zërit, duke pushtuar skenën e “The Voice Kids Germany” në vitin 2019.

Që në paraqitjen e parë, në audicionet e fshehta, Dio goditi fort me këngën “Ordinary People” nga John Legend. Këngë kjo e vështirë, që në vete do përveç zërit, edhe mjeshtri të veçantë të këndimit, që të dyja këto vlera i gëzon Dio.

“Ajo që vazhdimisht përsëritej në komentet e jurisë (pos tjerash), ishte ngjyra karakteristike e zërit, që sipas tyre, mund të dallohej mes shumë zërave. Po ashtu, është përfolur performanca ime e sigurt dhe teknika që e posedoja në atë moshë”, shprehet ai.

I pyetur nga revista Albinfo.at se a kishte emocione të forta kur u zgjodh për finalen e madhe, Dio tregon se e gjithë kjo garë ishte një emocion në vete, një investim kohor dhe shpirtëror, një interaksion i drejtpërdrejtë me publikun, me bashkëgaruesit si dhe një rinjohje e mundësive dhe resurseve të vetvetes.

“Unë arrita deri në finale, dhe me këtë rezultat ia vërtetova vetes time se nëse ke ndonjë dhunti dhe natyrisht dëshirë, mund të arrish çdo gjë”.

 

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

 

Skenik dhe me ngjyrim emocional

Dio Dragaj, para së të gjithash, është një djalë skenik që në vete bart edhe ngjyrim emocional tek audienca.

Dio ka bashkëpunuar me producentë nga Berlini, Hamburgu, Frankfurti, Londra, Stokholmi dhe Vjena. Tani është pjesë e produksionit të njohur muzikor në Austri, “Sony Music Entertainment Austria”. Ai deri më tani ka arritur të lansojë dhjetë këngë të ndryshme.

Këngët e tij janë: Hush,  Down, Try Me Out, Face You, Coming Home, ‘Waiting for a Sign’ – që përmban 5 këngët si në vijim: Waiting for a Sign, Idol, Dangerous, City Girl, Nobody Else.

Të gjitha këto këngë kanë nga një sukses më vete, në të gjitha dimensionet.

Shumësi zhanresh muzikore

Se cilin zhanër muzikor e preferon më shumë dhe e këndon më me qejf, Dio shprehet se është shumë versativ sa u përket zhanreve.

“Tërë jetën kam pasur influencë indirekte të muzikës që më ka rrethuar, duke filluar me muzikë klasike, jazz, rock, blues, RnB, kurse këngët që unë i dëgjoj vazhdimisht, janë të zhanreve: rage, hyperpop, hiphop dhe RnB, të cilat kam dëshirë t’i përfaqësoj si artist”, shprehet ai

Dio, po ashtu, ka folur edhe për pjesën humane të tij dhe për koncertin që i ka lënë më shumë shije, duke e veçuar atë të Ronald McDonald Charity, gala koncert në vitin 2019.

“Ky është një event shumë i rëndësishëm tradicional, ku mblidhen të holla për fëmijët që jetojnë në kushte të vështira. Ndjenja të kontribuosh ti vetë si fëmijë në një mënyrë sado modeste, nuk krahasohet”, tregon ai.

Dio është para shumë projekteve të reja që do t’i sjellë shumë shpejt për publikdashësit e tij.

“Momentalisht jam në shërbim të ushtrisë (deri në shtator), itinerari im muzikor do të fillojë të jetësohet pas shtatorit të këtij viti. Fjala është për këngë të reja, të cilat kam filluar t’i skicoj dy projekte komplet të ndryshme”, përfundon Dio.