Tematike

Dy humanistët dhe mrekullia e vogël e fshatit Strazhë

Rrëfimi mbi atë se si Willy Knecht dhe zonja Newton, pa marrëveshje mes vete, i kanë ndërtuar shtëpinë familjes Lika nga Strazha e Kaçanikut

Zvicerani Willy Knecht, miku i dëshmuar i shqiptarëve, kohë më parë pati grumbulluar mjetet për ndërtimin e shtëpisë familjes së varfër Lika nga fshati Strazhë i Kaçanikut. I njohur tashmë për bamirësinë e tij të shpërndarë në tërë atë regjion e më gjerë, Willy edhe kësaj here gjithë punën e kishte bërë me vetiniciativë.

Por, kësaj here ai, për të sensibilizuar sa më shumë miq të tij zviceranë me Kosovën dhe për t`i motivuar ata që të ndihmojnë, kishte shfrytëzuar librin e tij “Landjäger 701”.

Ky libër, ku ai ka hedhur përvojat e tij prej oficeri policor dhe eksperti të sigurisë, por edhe përvojën e pasur kosovare (albinfo.ch ka shkruar gjerësisht për të), është dërguar në 300 adresa. Ndërsa në fletëpagesën bashkëngjitur, Knecht ka shkruar destinimin e parave që do të mblidheshin nga shitja e librit: ndërtimi i shtëpisë për familjen e varfër e me fëmijë të sëmurë, Lika, nga Strazha e Kaçanikut.

©albinfo.ch: Me familjen Lika, pranë shtëpisë së re

Humanistja nga Uellsi kishte bërë atë që do ta bënte Knecht

Por, ndërkohë që Knecht po i bënte përçapjet e fundit për të organizuar ndërtimin e shtëpisë në fjalë, një humaniste tjetër një si “shpirt binjak”, i panjohur i Willyt, tashmë kishte bërë të njëjtën gjë. Pak ditë para se Willy Knecht me shoqëruesin e tij kosovar Nezir Loki të udhëtonin nga Zvicra në Kosovë për të nisur ndërtimin e shtëpisë, i vjen lajmi befasues: shtëpia e Likajve ishte ngritur. Asaj i mungonin fasada dhe gjithë pajisjet e brendshme që i duhen një shtëpie, por ndërtimi bazë ishte kryer. Një grua nga Uellsi, zonja Newton, ashtu sikur Willy kishte grumbulluar mjete për ndërtimin e shtëpisë së përmendur.  “Ende nuk kam mundur të njihem me zonjën Newton, por sikur nga ky rrëfim të shkruhej një libër, do të dilte shumë i besueshëm”, shkruan Willy Knecht në një letër të tij, me të cilën falënderon të gjithë ata që e kanë ndihmuar në aksionin e tij humanitar.

I përballur me befasinë e këndshme që ia kishte përgatitur mikja e panjohur, Knecht pa u hamendur, vazhdon aty ku kishte mbetur zonja Newton: paratë e grumbulluara nga miqtë zviceranë i fut në meremetimin dhe pajisjen e plotë të shtëpisë. Ai bën madje edhe izolimin, sipas standardeve zvicerane, fasadën, instalimin e rrymës, ujit, e deri edhe te instalimi i ngrohjes qendrore.

Gjatë prillit, kur ai së bashku me Nezirin vizitojnë familjen në Strazhë, punimet po i afroheshin me të shpejtë fundit. Pas pak ditësh gjithçka tashmë ishte kryer: shtëpia e bukur, komplete dhe me ngrohje, i priste për ta festuar hyrjen në strehën e re.

“Dhe,  të nesërmen bie borë në Strazhë. Sikur për të “testuar” ngrohjen e re qendrore me dru: ajo e dha provimin!”, thotë Willy.

Kështu, Willy çon në vend vullnetin e atyre dhjetëra zviceranëve dhe miqve të tjerë që, duke i blerë librin, po mundësonin ngritjen e një strehe të ngrohtë e të sigurt për familjen e rrahur jo vetëm nga hallet e varfërisë por edhe nga tragjeditë e njëpasnjëshme.

© albifno.ch: Mahiri, me shenjat e sëmundjes së rrallë të muskujve

A do të mbijetojë Mahiri?

Djali i madh i familjes në fjalë, Meludi, kishte vdekur në dhjetorin e kaluar. Një sëmundje e rëndë dhe e rrallë e muskujve, e kishte çuar atë në varr në moshën e njomë, 14 vjeçare. Ndërsa vëllanë e tij të vogël, Mahirin dhjetë vjeç, duket se do ta ndjekë i njëjti fat. Simptomet e sëmundjes së Meludit dita ditës bëhen më të dukshme edhe te ai. Lëvizjet i janë rënduar dhe është çështje muajsh kur ai do të detyrohet të ecë me karrocë invalidësh. E çka do të ndodhë pas disa vjetësh…?! Ndërsa vëllai tjetër, Jetoni 7 vjeç, para një viti qe sëmurë rëndë dhe mjekët ishin detyruar t`ia hiqnin njërën veshkë. Aktualisht ai duket mirë me shëndet por mjekët, duke pasur parasysh edhe historinë e sëmundjes së dy vëllezërve të tij, duan të bëjnë kontrollimin e të gjithë anëtarëve të familjes. Mirëpo, Likajve u mungonin paratë e nevojshme për një gjë të tillë.

“Karroca e Meludit, tashmë të ndjerë, është shkatërruar. Kështu, Mahirit do t`ia sigurojmë një të re, nga Zvicra. Shpenzimet e transportit i kemi siguruar”, thotë Willy, i lumtur që po i jepet rasti të bëjë edhe një të mirë.

“Takimi” me Meludin

Në ndarje nga Likajt, ai nuk ka mundur pa u pjekur edhe me mikun e tij, Meludin. Në grumbullin e dheut, që është varri i 14 vjeçarit, ai ka vënë një trëndafil të verdhë…Gjatë qëndrimit të tij të fundit në Kosovë, Willy Knecht ka vizituar edhe Sulejmanin e vogël, në fshatin Kotlinë të Kaçanikut. Ai ka një histori të dhimbshme prapa vetes. Babanë ia kanë mbytur gjatë luftës në një masakër, ndërsa nëna e ka lënë fare të vogël. Për të është kujdesur gjyshja. “Thonë se po mëson shumë mirë dhe se do të ndjekë gjimnazin në Kaçanik. Ia kam hapur një konto, të cilën do të mund ta shfrytëzojë vetëm kur ta mbërrijë moshën madhore”, thotë humanisti zviceran.  Knecht nuk mund ta harrojë as “të birin” tjetër, më të vjetrin, Fatonin. Pasi, në moshën 12 vjeçare kishte parë t`i vriteshin para syve babai, dy vëllezërit dhe motra e vogël, Fatoni kishte bartur trauma të rënda për një kohë të gjatë. Por ndihma atërore e Willy Knecht-it dhe solidarizimi i mesit ku jeton, e kanë shpëtuar Fatonin nga humnera ku mund të rrëshqiste…

Sot ai është martuar, jeton në Gjermani dhe ndihmon nënën, e cila vazhdon të jetojë në Dubravë të Kaçanikut.

Në letrën që Willy Knecht u dërgon në shenjë falënderimi të gjithë atyre që e kanë mbështetur në aksionin e tij të fundit humanitar, veç tjerash shkruan: “unë bashkë me ndihmëtarët e mi, jam i stërlumtur që së bashku me një zonjë nga Uellsi, pa  marrëveshje mes vete, e kemi jetësuar një ide e cila në fillim dukej e parealizueshme. Janë shumë njerëz në Zvicër dhe në Uells që e kanë bërë të mundur realizimin e kësaj ëndrre”.

Por, vazhdon Knecht, edhe pse ëndrra ime për të ndihmuar një familje të varfër dhe të goditur nga fati, është realizuar, unë do të vazhdoj të ndihmoj aktivisht në Kosovë, ku ende ka shumë familje të varfra që jetojnë nën mimumimin e ekzistencës. Prandaj, edhe një herë “shumë faleminderit” (këto dy fjalë ia ka shkruar shqip) të gjithëve që na kanë mbështetur”.

©albinfo.ch: Shtëpia e re e Likajve