AT Balkani

Dy vëllezër të mitur kosovarë vdesin pasi u goditën nga treni në Gjermani

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Gjermani, ku kanë humbur jetën dy të mitur kosovarë

Dy vëllezër nga komuna e Deçanit, banorë në Gjermani, kanë vdekur sot pasi janë goditur nga treni, shkruajnë mediat gjermane.

Sipas mediave gjermane, njëri nga vëllezërit është 13-vjeçar, ndërsa tjetri 17-vjeçar.

Sipas informacioneve, dy të rinjtë po tentonin të kapnin trenin, i cili ishte në stacion, për këtë arsye të dytë kishin vrapuar drejt shinave. Ata u goditën nga një tren që po vinte drejt Munihut dhe lëndimet e marra ishin fatale pas goditjes, përcjell albinfo.ch.

Zëdhënësi i Policisë tha se drejtuesi i trenit donte të fillonte një frenim emergjence, megjithatë ishte shumë vonë. Dëshmitarë të shumtë okularë, përfshirë disa studentë të shkollës së mesme, vëzhguan aksidentin fatal. Kryetari i Bashkisë së Bruckberg, Rudolf Radlmeier, e cilësoi rastin si “ditë të zezë për komunitetin”.