Lajme

“E Premtja Sociale”, nisma që i dha famë sipërmarrësit shqiptar

Fikret Zendeli, është shqiptari i parë që është promovuar në shkallë globale nga organizata TED, duke iu bashkuar radhëve të folësve të tjerë të njohur si Bill Gates, Elon Musk, Al Gore dhe Bill Clinton

Sipërmarrësi zviceran me prejardhje nga Maqedonia e Veriut dhe krijuesi i nismës “E Premtja Sociale”, Fikret Zendeli, është shqiptari i parë që është promovuar në shkallë globale nga organizata TED, duke iu bashkuar radhëve të folësve të tjerë, të njohur si Bill Gates, Elon Musk, Al Gore dhe Bill Clinton.

TED Talks është platforma më e njohur për eksplorimin e ideve inovative me ndikim global, ku videot përkthehen në mbi 100 gjuhë.

Zendeli tha në një intervistë për Euronews Albania se përfitimet që mund të lindin nga kjo iniciativë për shoqërinë dhe ekonominë janë të jashtëzakonshme, përcjell Albinfo.ch.

Siç theksoi Zendeli, nisma e tij mbështetet në faktin se e premtja, si dita më joproduktive në punë, mund të përdoret në mënyrë më kuptimplotë për një shoqëri dhe ekonomi më të mirë.

“E premtja është dita më pak produktive, dhe unë si sipërmarrës mund ta konfirmoj. Për të dhënë një zgjidhje, mund ta përdorim këtë ditë në mënyrë më kuptimplotë, duke qenë më pranë njerëzve. Koha joproduktive është më mirë që të përdoret për diçka tjetër se sa të jetë shpenzim i kotë njerëzor”, shpjegoi Zendeli./Albinfo.ch