E-Diaspora

E vërteta për pikën shkollore në Affoltern am Albis

Prindërit në shkollën shqipe në Affoltern am Albis kanë dy kërkesa në drejtim të LAPSH-it

Prindërit e shkollës shqipe në Affoltern am Albis, me anë të një peticioni kanë kërkuar mësuesin e tyre, derisa thonë se çelësin e shkollës në komunën e tyre po e mban të bllokuar kryetari i LAPSH-it, Nexhat Maloku.

Madje, ata po zhvillojnë mësimin në një klasë me qira në një komunë fqinje dhe për këtë me anë të një peticioni i janë drejtuar Ambasadës së Kosovës në Zvicër, asaj të Shqipërisë, ministrive të Arsimit të Kosovës e Shqipërisë, si dhe ministrive të Diasporës, shkruan albinfo.ch.

Por, ndryshe thotë Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it në Cyrih.

Ai thotë se LAPSH-i një kohë të caktuar ka dërguar mësuesen Sabahate Krasniqi në këtë pikë shkollore dhe se është LAPSH-i sipas rregullores që njofton Këshillin e prindërve se nuk ka kompetencë të pranojë mësues të tjerë.

Albinfo.ch sjell prononcimin e plotë të prindërve dhe LAPSH-it në Cyrih.

“Ne kemi kërkuar që punën e mësuesit të sapopensionuar ta zgjidhim së bashku. Ne i propozuam Këshillit kantonal një mësues me përvojë shumëvjeçare, i cili në pikëpamje profesionale e pedagogjike i plotësonte të gjitha kushtet, me qëllim të mbarëvajtjes së këtij procesi pedagogjik dhe arsimor. Por, kryesia e LAPSGH-it, pa na njoftuar fare, pa kurrfarë konsultimi paraprak dhe pa konkurs kishin emëruar një mësuese pa përvojë në mësimin plotësues në Zvicër. Për një gjë e tillë ne prindërit nuk u pajtuam. Përpjekjet tona për të gjetur një zgjidhje në shërbim të kësaj pike shkollore janë injoruar dhe hedhur poshtë”, thonë prindërit, që kanë nënshkruar edhe një peticion në lidhje me këtë çështje.

Prindërit kanë edhe një ankesë tjetër:

“Në një gjendje të këtillë dhe duke kuptuar rëndësinë e mësimit të gjuhës amtare, ne vendosëm bashkërisht të marrim një klasë me qira në një komunë fqinje dhe ta paguajmë atë, kurse klasa në Komunën ku banojmë është e lirë, dhe çelësin e mban koordinatori Nexhat Maloku në sirtar dhe nuk e jep dot. Andaj, duke u ballafaquar me veprime të këtilla të paarsyeshme dhe jologjike, u jemi drejtuar edhe organeve shtetërore që të zgjidhin këtë problem madhor për fëmijët tanë”, thuhet në kërkesën e prindërve të shkollës shqipe në Affoltern am Albis.

Përgjigjja e LAPSH-it:

“Me pensionimin e mësuesit z. Spahiu në pikën shkollore të Afoltern am Albis, LAPSH për kantonin e Cyrihut ka pranuar një email nga Këshilli i prindërve të shkollës shqipe, ku kërkon nga LAPSH-i të dërgojë një mësimdhënës për pikën shkollore Afoltern am Albis. LAPSH-i në një kohë të caktuar ka dërguar mësuesen Sabahate Krasniqi, e cila punon në LAPSH dhe ka një përvojë pune këtu, po edhe në Kosovë. Ne si LAPSH i Cyrihut kemi caktuar mësuesen dhe njoftuam Këshillin e prindërve për vendimin, më pas Këshilli i prindërve ndërkohë na njofton se ata kanë pranuar një mësues, i cili ka konkurruar te ai Këshill. LAPSH-I, sipas rregullores, njofton Këshillin e prindërve se nuk ka kompetencë të pranojë mësues, sepse këtë duhet ta bëjë LAPSH-i, i cili sipas rregullores zgjedh kuadrot arsimore, ata nuk e përfillën rregulloren e LAPSH-it dhe filluan mësimin në një lokalitet tjetër. Mësuesja nga ajo ditë pret të fillojë punën, por Këshilli i prindërve pa asnjë arsye refuzon mësuesen e caktuar nga LAPSH-i”, është shprehur Ulaj në një përgjigje për albinfo.ch. Edhe çelësin e shkollës nuk e mban LAPSH-i, siç pretendojnë prindërit. “Pra, çelësin e shkollës nuk e mban LAPSH-i sikur shkruan Këshilli i prindërve të Afolternit, por drejtoria e shkollës, e cila është përgjegjëse për atë. Këshilli i Afolternit ka marrë përgjigjen e duhur sipas rregullores në fuqi, si nga LAPSH-i kontonal, po ashtu edhe nga Drejtoria e Arsimit e kantonit Cyrih si dhe nga komisioni i LAPSH-it në nivel të Zvicrës. Për të gjitha komunikimet, si me Këshillin e prindërve, si me institucionet kantonale LAPSH-i posedon dëshmi në mënyrë të shkruar, të cilat gjenden në arkivin e LAPSH-it. LAPSH-i për kantonin Cyrih në këtë vit shkollor starton edhe me një pikë të re shkollore në qytetin Cyrih dhe do të bashkëpunojë edhe më tutje së bashku me prindërit dhe veteranët e devotshëm që e duan gjuhën dhe kulturën tonë të bukur”, ka thënë tutje Naser Ulaj.

Në vijim peticioni i prindërve:

Kerkesa_1

Shkarko Dokumentin

Kerkesa (2)

Shkarko Dokumentin

Kerkesa (3)

Shkarko Dokumentin