E-Diaspora

“E vrava pasi zërat më thoshin se ai është satanai”: Kosovari shpallet i sëmurë psikik

Kur fqinji i tij deshi të ngrihej pak më vonë për të shkuar në banjë, 36-vjeçari e godii. "Në çmendurinë e tij ai besonte se po luftonte Satanain. Ai nuk e kuptonte më se viktima ishte një njeri", thotë avokati i tij

Në vitin 2017, një shtetas kosovar 36-vjeçar kishte goditur për vdekje një person të moshuar, me të cilin ishte bashkë në dhomë, në Klinikën psikiatrike St. Urban. Autori i krimit thotë se kishte besuar se ai ishte në dhomë me djallin. Për shkak të sëmundjes, ai nuk mund të ndëshkohet, shkruan zentralplus.ch.

“Ende nuk mund ta besoj se e kam bërë këtë”, thotë 36-vjeçari i ulur në bankën e të akuzuarit para Gjykatës Penale të Lucernit këtë të martë në mëngjes, transmeton albinfo.ch. Kush e sheh kështu, nuk mund ta fajësojë. Në të vërtetë, është e vështirë të imagjinohet që ky i akuzuar me shpirt të mirë dhe me pamje korrekte mund të jetë i aftë për një brutalitet kaq të egër.

E megjithatë nuk ka asnjë dyshim se ai e ka bërë krimin. Një të premte të vitit 2017 në klinikën e përmendur ai thotë të ketë “dëgjuar zëra”. Pas intervistës për pranim në klinikë, ai qe dërguar në dhomën A224, në të cilën tashmë ishte duke fjetur një i moshuar, pa dyshuar se çfarë do t`i ndodhte pas pak minutash.

“Doja të shkoja në shtrat”, thotë i akuzuari me zë të ulët. Ishte errët në dhomë dhe papritmas njeriu pranë tij kishte filluar të gërhiste. “Unë u tremba për vdekje. Zëri i Zotit dhe ai i babait tim më thoshin se plaku është Satanai. Do të më mbyste kur të zgjohej”.

Kur fqinji i tij deshi të ngrihej pak më vonë për të shkuar në banjë, 36-vjeçari e goditi. “Në çmendurinë e tij ai besonte se po luftonte Satanain. Ai nuk e kuptonte më se viktima ishte një njeri”, thotë avokati i tij.

I akuzuari kishte goditur personin e pambrojtur me grushte dhe shkelma në kokë, përcjell albinfo.ch. 86-vjeçari nuk kishte asnjë shans kundër ish-kikboksierit. Ai vdiq në spital disa orë më vonë. I akuzuari iku nga dhoma, por u arrestua një kohë të shkurtër më vonë.

Raporti është i qartë: në kohën e krimit, i akuzuari i sotëm vuante nga skizofrenia e rëndë paranojake, kishte ankth dhe halucinacione. Ai nuk është fajtor (i përgjegshëm)- dhe për këtë arsye nuk mund të ndëshkohet. Prokurori ka bërë kërkesë për një masë spitalore. Në vend që të shkojë në burg, ai duhet të qëndrojë në repartin e mbyllur psikiatrik, në të cilin është trajtuar që nga krimi.

Psikiatrit pajtohen që kosovari paraqet një rrezik të madh nëse nuk mjekohet. Meqenëse ai ka qenë në terapi, nuk ka pasur simptoma. Një herë në muaj ai merr një injeksion që “hesht zërat” në kokën e tij.

Sipas raportit klinik, i akuzuari është zhvilluar dhe stabilizuar shumë pozitivisht në dy vjetët e fundit. Ai është i gatshëm të merret me sëmundjen dhe veprën e tij.

36-vjeçari bën dy orë terapi çdo mëngjes dhe pasdite. Ai konsiderohet një pacient shembullor, përcjell albinfo.ch. “Kjo më ka ndihmuar shumë për të jetuar në këtë mjedis të mbrojtur”, thotë ai. “Unë jam duke mësuar të merrem me sëmundjen time dhe kam kohë për të përpunuar krimin. “Sidoqoftë, mbrojtja dëshiron ta nxjerrë atë edhe nga klinika. Ajo kërkon që kosovari të mund të vazhdojë terapinë nga shtëpia. Në atë mënyrë, gruaja e tij mund të shtonte orarin e punës dhe ai mund të kujdesej për familjen dhe fëmijët.

I akuzuari është i lindur në Kosovë dhe rritur në Zvicër. Tek ai nuk ishte vërejtur kurrë më parë shprehia për ushtrim dhune. Familja e tij e përshkruan atë si një njeri të dashur. Edhe prokurori e quan një djalë të mirë dhe të qetë.

Ai vetë është i bindur që diçka e tillë nuk do të ndodhë më. Por tek personi në fjalë ishin shfaqur simptomat e para disa vjetësh para aktit kriminal. Për shkak të problemeve me përqendrimin, ai ishte paraqitur te mjeku i familjes në vitin 2015, transmeton albinfo.ch. Edhe atëherë ai nuk ishte në gjendje të mendonte qartë. “Dëgjoja zëra, por në fillim po mendoja se ishin vetëm mendimet e mia”.

Kur mjeku i familjes i kishte caktuar një termin te psikiatri, ai nuk kishte shkuar. Nuk donte të pranonte se diçka nuk ishte në rregull me të. Ai është i zoti i familjes, ai duhet të punonte – kjo është arsyeja pse ai nuk kishte folur me askënd për zërat në kokën e tij.

“Unë isha baba dhe gjithmonë kisha frikë të humbja punën”, i thotë gjykatës ish-operatori i vinçit. Dhe, në fund të fundit, kështu ndodhi. Por sot ai është i siguruar nga pensioni invalidor.

Gjatë gjykimit, i akuzuari bën një përshtypje shumë të qëndrueshme dhe të qetë. Por a është me të vërtetë e arsyeshme heqja dorë e tij nga psikiatria? Jo, nuk është, ka vendosur Gjykata Penale e Luzernit, përcjell albinfo.ch. “Ju mund të jeni të qetë dhe korrekt sot, por nuk duhet të harroni se skizofrenia është e rëndë për t’u trajtuar dhe shpërthimet mund të ndodhin sërish shpejt,” tha njëri nga gjykatësit në aktgjykim. Megjithë zhvillimin e mirë, ai duhet të vazhdojë të trajtohet në spital psikiatrik.

Vendimi gjyqësor thotë se ai ka kryer vrasje me dashje por nuk mund të ndëshkohet për këtë sepse nuk është i përgjegjshëm penalisht. Sidoqoftë, ai duhet të paguajë 10,000 franga dëmshpërblim për gruan e viktimës dhe  nga 5.000 franga për të dy fëmijët e tij.

Nga këndvështrimi i mbrojtësit, i akuzuari është viktimë në këtë histori. “Pranimi i pakujdesshëm në psikiatri ka çuar në këtë ngjarje tragjike,” thotë ai. Pacienti me sëmundje serioze nuk duhet të ishte vendosur kurrë në dhomën dyshe A224, siç u vendos ai,  me viktimën e ardhshme, transmeton albinfo.ch. Nëse dikush duhet të paguajë kompensim, atëherë kjo kërkesë t`u bëhet përgjegjësve të klinikës”, ka thënë mbrojtësi.

Në fakt, prokurori publik gjithashtu ka filluar procedurat kundër klinikës. Por këto hetime nuk kanë përfunduar ende, ka thënë zëdhënësi Simon Kopp. Eshtë kërkuar një mendim i jashtëm i ekspertit (ekspertizë), i cili ende është duke u pritur. Rezultatet priten në maj.