Sport

Edhe Akil Gjakova fiton medalje të artë në Tarragona

Pas Nora Gjakovës e Distria Krasniqit, edhe xhudisti Akil Gjakova ka fituar medaljen e artë pasi që në kategorinë deri në 73 kilogramë, në finale e mposhti turkun Bilal Ciloglu

Akil Gjakova e ka siguruar edhe një medalje të artë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në “Tarragona” të Spanjës.

Pas Nora Gjakovës e Distria Krasniqit, edhe xhudisti Akil Gjakova ka fituar medaljen e artë pasi që në kategorinë deri në 73 kilogramë, në finale e mposhti turkun Bilal Ciloglu. Gjakova e mposhti me Ippon turkun pas vazhdimeve.

Akil Gjakova i nisi garat nga çerekfinalja, ku u takua me spanjollin Havier Ramirez, të cilin po ashtu e mposhti me Ippon. Xhudisti nga Peja në gjysmëfinale fitoi kundër egjiptianit, Mohamed Mojelldin.

Numri i medaljeve nga xhuditëst mund të shkojë në katër, pasi edhe Laura Fazliu do të ketë një duel në repesazh për medaljen e bronztë me serben, Jovana Obradoviq.

Deri më tani, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi kanë arritur të fitojnë medalje të arta në Lojërat Mesdhetare.