Koronavirusi: çast pas çasti

Ekspertja shqiptare sqaron: çfarë duhet të dimë për certifikatat Covid në Zvicër

Dr. Fatime Imeri Berisha, specialiste e mikrobiologjisë dhe pronare e drejtuese e disa laboratorëve në Zvicër flet për albinfo.ch lidhur me certifikatën COVID

Kohëve të fundit po flitet me të madhe për certifikatat Covid në Zvicër ndërsa në opinionin e këtushëm në përgjithësi dhe në atë shqiptar, në veçanti, janë disa paqartësi rreth tyre. Për të sqaruar për lexuesit tanë se për çfarë bëhet fjalë, albinfo.ch ka intervistuar Dr. Fatime Imeri Berisha, specialiste e mikrobiologjisë dhe pronare e drejtuese e disa laboratorëve në Zvicër.

albinfo.ch: Si qëndron puna me certifikatat Covid, ku dhe si do të përdoren ato, gjegjësisht ku do të shtrihet vlefshmëria e tyre?

Dr. Imeri Berisha: Zvicra do t`i bashkëngjitet BE-së dhe do të fillojë dhënien e certifikatave COVID , të cilat aktualisht do të vlejnë në BE.  Me gjasë do të bëhet unifikimi i përdorimit të tyre edhe jashtë shteteve të BE-së, por për këtë ende nuk ka marrëveshje konkrete.

Certifikatat COVID që i lëshon Zvicra do të vlejnë vetëm nëse tregohen bashkë me pasaportë ose letërnjoftim, sepse ato nuk përmbajnë foto të personit i cili e posedon atë. Në certifikatë janë të shënuara të dhënat personale dhe arsyeja pse  është lëshuar,  p.sh. i/e vaksinuar, i/e shëruar apo i/e testuar.

albinfo.ch: Për sa lloje certifikatash bëhet fjalë?

Dr. Imeri Berisha: Janë tri lloje certifikatash COVID:

  • Certifikata për të vaksinuarit
  • Certifikata për të shëruarit nga COVID-19
  • Certifikata për testin PCR ose testin antigjen

Varësisht nga lloji i certifikatës, ato lëshohen nga mjekët që punojnë në ordinancë, spitalet, qendrat e vaksinimit, laboratorët, qendrat e testimit, barnatoret, apo administratat kantonale. Vetëm personat e autorizuar nga Ministria e Shëndetësisë (BAG) do të mund të lëshojnë certifikata të tilla.

Certifikata për të vaksinuarit jepet pas  kompletimit të vaksinimit dhe aktualisht ka afat 180 ditë, edhe pse në të nuk ka të shënuar datë të skadimit. Varësisht nga të dhënat e reja për imunitetin pas vaksinimit, kjo do të mund të vlejë edhe më gjatë. Por për këtë duhet të pritet deri atëherë kur të kemi të dhëna plotësuese statistikore. Kjo certifikatë lëshohet nga institucioni ku është marrë vaksina. Në të është i shënuar edhe numri i vaksinave të dhëna dhe numri që është nevojitur për kompletimin e vaksinimit. Pra, 2 doza për të vaksinuarit që nuk kanë pasur COVID-19  dhe 1 dozë për të vaksinuarit që e kanë kaluar dhe janë shëruar nga COVID-19. Të shëruarit vaksinohen zakonisht 6 muaj pasi e kanë kaluar sëmundjen dhe marrin vetëm një dozë.

Certifikata për të shëruarit nga  COVID-19 jepet nga dita e 11-të pasi pacienti të ketë rezultuar pozitiv në testin PCR. Kusht është, që deri atëherë pacienti të jetë shëruar dhe këtë e vërteton mjeku i cili edhe e merr përgjegjësinë për këtë konstatim. Kjo certifikatë vlen 180 ditë nga dita që një person ka rezultuar pozitiv në testin PCR.

Certifikata për testin PCR vlen 72 orë kurse ajo për testin antigjen vlen 24 orë nga ora e saktë  kur është marrë mostra. Certifikatat për testin antigjen jepen nga qendra në të cilën është bërë testimi kurse certifikata për PCR nga laboratori i cili e ka bërë analizën. Është e mundur  që certifikata për antigjen nuk pranohet nga çdo shtet, siç është rasti edhe tash, që disa shtete pranojnë vetëm testin PCR.

albinfo.ch: Po si qëndron puna me përdorimin e certifikatave për udhëtimet jashtë vendeve të BE-së?

Dr. Imeri Berisha: Për udhëtimet jashtë BE-së ndodh që të mos mjaftojë certifikata por duhet të merret edhe rezultati nga laboratori në të cilin është i shënuar edhe numri i pasaportës. Udhëtarët duhet të dinë dhe të informohen se çfarë nevojitet për hyrje në vendin në të cilin udhëtojnë dhe të japin të dhëna plotësuese siç është numri i pasaportës.

albinfo.ch: A jepen certifikatat në mënyrë automatike apo duhet kërkuar? 

Dr. Imeri Berisha: Është e rëndësishme  të theksohet fakti se certifikatat COVID nuk lëshohen automatikisht por  vetëm nëse ato kërkohen nga ana e një individi. Pra, nëse e bëni  testin PCR ju duhet të cekni që doni t`ju lëshohet certifikata COVID për atë test. Edhe të vaksinuarit dhe të shëruarit duhet të bëjnë kërkesë për lëshimin e certifikatës përkatëse.

Pra, certifikata lëshohet pasi të bëni kërkesën për të dhe vlen 180 ditë për të vaksinuarit dhe të shëruarit  kurse 72 orë për testin PCR dhe 24 orë për testin antigjen.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI